1) Çfarë ke pasur dhe çfarë të kanë rrëmbyer? Nëse thua jo për të ardhmen, gënjen veten. Punon sa të kërcet shpina dhe zemra, por nuk blen dot shtëpi, madje as mundësi ta mendosh nuk ke. Nëse shpreson pensionin e merituar sepse ke kaq dekada që punon e kontribuon, do zhgënjehesh, dhe pastaj do jesh thjesht një nga 500 mijët për të cilët “5 vjeçari i ardhshëm do jetë magjik”. Siguria ekonomike? Vetëm po pate futur para në tubin e sobës. “Ata” e kanë siguruar të ardhmen për dhjetë breza, ti i dashur nuk siguron dot as fundjavën. Kjo është të të kenë rrëmbyer të ardhmen, dhe tashmë ta shesin si mundësi.
2) Po të janë ngritur rrogat. Të kapin për fyti nëse e kundërshton këtë. Mesatarja, ishte-është, etj reklama me ngjyra si kjo që të mbyll gojën. Por sa të mbeten? Hiq qeranë, hiq ushqimin, mos o Zot ndonjë ilaç, hiq sigurimet, hiq transportin, hiq veshjen, hiq…hiq…Sa të mbeten? Sa kohë ke të ndërtosh diçka tënden? Sa kohë ke për fëmijët e tu? Kjo është të të kenë grabitur kohën tënde dhe të bëjnë t’i falënderosh madje.
3) Po ti je shumë komod tani, ke gjithçka në telefon. Por çdo postim i yti, çdo mendim, çdo “like”, çdo koment, ka një sy që e vëzhgon, që e mat, që e raporton, që e etiketon, që e patronazhon. Teknologjia të ndihmon…të jesh i varur, në mos skllav. Ajo të biografon, të mbikqyr, duke të bërë të ngurtë, të tërhequr, të heshtur, apo më keq duke të tjetërsuar, duke të zbërthyer pak nga pak. Kjo është liria që e ke dorëzuar dhe nuk e kupton. Dhe që të ndjehesh sadopak i lirë duhet të përdorësh emër tjetër, pseudonim apo “anonim të lutem”. Je rehat, por pa liri.
4) E ke vënë re sa keq bëhesh kur nuk ke like? Kur nuk të komentojnë? E pra ti vajzë je e bukur, e hijshme, e këndshme, jo vulgare, ti tjetri je i zgjuar dhe shkruan gjëra që nuk i kopjon nga të tjerët, ata atje janë punëtorë të mrekullueshëm…por ndihen sikur janë askushi. Sepse suksesin ta masin me ndjekës, me like, me dukje. Kuptoje, të kanë marrë kuptimin e jetës.
5) Sa kohë të duhet të gjesh të drejtën tënde? Sa vite? Ndërsa “atyre” u duhen këto vite, që t’i shmangen drejtësisë, ty të duhen ta gjesh drejtësinë, madje ndonjëherë vdes pa drejtësi, e në shumicë paguan për të drejtën tënde, e në çdo rast nuk je i sigurtë për vendimin. A i ke parë ndërtimet të larta, të ulëta, luksose, a të rrëmujshme? Secila prej tyre ka pas një vendim nga drejtësia, shumica mund të jetë i padrejtë. Mendo tani çfarë vendimi do jepnin për ty me pak para? Mund të marrësh “të drejtën ligjore”, por jo të drejtën. Të kanë vjedhur drejtësinë.
6) Ti voton, e drejta jote më e madhe. Këtë herë votuan për herë të parë edhe ata që e kanë pasur më shumë se kushdo të drejtën, emigrantët. Por kush zgjedh? Mos bëni sikur nuk e dini: Financuesit e mëdhenj, mediat, sondazhet, algoritmet, ndonjë ndërhyrje që s’bie në sy. Sistemi zgjedhor është i kapur, që në gërmën e parë, në një mënyrë apo një tjetër, ti po bëhesh kloun për të zgjedhur më pak se një të tretën e deputetëve. Të tjerët janë zgjedhur tashmë dhe nuk i ke zgjedhur ti. Ti je thjesht numër partie, për dy parti që kanë kryetarë me lidhje direkte nga PPSH. Zëri yt nuk do dëgjohet. Të kanë marrë të drejtën themelore, votën/demokracinë.
7) Çfarë mendon, çfarë ëndërron, çfarë synon? Ti, shumica e mesme, që mëson, studion, edhe punon, edhe je i aftë, por edhe i ndershëm. Ëndërra jote për atë jetën e bukur, idilike, me familjen përdore është thjesht një sistem kredie, ku zhytesh njëherë dhe nuk e nxjerr më dot kokën për gjithë jetën. Do ndryshosh vetëm duke e bërë një maskarallëk. Të kanë marrë ëndrrën dhe të kanë vënë përballë zgjedhjes: Bëhu si ne dhe jetoje ëndrrën.
8)Çfarë dëgjoni gjithë ditën e natën nga ata që ju morën çdo gjë: Premtime të njëjta, ulje çmimesh që i ngritën vetë, qeratë që i ngritën vetë, shtëpitë që i ngritën vetë, rrogat që i masakruan vetë, ekonominë që e shkatërruan vetë, klasen e mesme që e zhdukën vetë…E kupton ku ka arritur situata? Nuk premtojnë më ndihmë për të varfrit klasikë, por për shtresën e mesme!!! Për çiftet që kanë frikë të bëjnë një fëmijë! Për të moshuarit që kanë frikë të sëmuren jo nga vdekja, por nga halli! Për të rinjtë që s’kanë perspektivë!
“Ata” kanë qenë gjithmonë bashkë kundër teje! Gjithmonë! Nëse do presësh ndryshimin nga lartë, do jesh përherë aty poshtë duke parë si ndryshojnë figurinat që ngjiten në podium. Ata nuk do ta ndalin rrënimin. Rrënimin duhet ta ndalësh vetë. Mos ua jep mundësinë të të lexojnë si ngjyrë, e si numër në listë, por si emër me shpirt, zemër dhe liri. Të kanë marrë gjithçka, merru të paktën mosrreshtimin.
Lini një koment