Edi Rama nënshkroi për 78 deputetë minimalisht. Sado “e çmendur” të duket firma, pas 12 vitesh me ministra në burg, skandale korruptive, nepotizëm e autokraci, ka disa faktorë që firma e Ramës të mos jetë hedhur aq në erë. Nuk është vetëm shqiptar si fenomen.
1) Partia Socialiste nuk është thjesht një forcë që qeveris, është sistemi vetë. Rrënjët e saj janë shumë të thella dhe kapilare në administratë, në polici, në drejtësi, në pushtetin lokal (budallëku i dikurshëm i Lulzim Bashës), në media, në biznese të mëdha e të vogla që varen nga tenderat e nga lejet. Pra çdo individ i lidhur me këtë sistem ka interes personal që të vazhdojë egzistenca e tij. Dhe çdo individ tjetër i lidhur pas individit lidhur me sistemin është automatikisht në shumicë pjesë e ushtrisë së heshtur të votuesve me interes. S’ka lidhje as morali, as liria, as gjykimi, është thjeshtë çështje garancie për bukën e përditshme.
2) Në 12 vite pushtet pothuaj absolut, Partia Socialiste ka nën hyqëm jo thjesht institucionet dhe masën e “bukës së gojës dhe pjatës së supës”, por edhe kontrollin e narrativës dhe dukjes, duke kontrolluar televizionet kryesore, emisionet kryesore (imagjino, deri në programe humoristike dhe shoë hyn politikani e bëhet pjesë e skeçit), reklamat, opinionbërësit (madje duke kthyer në shërbim shumë prej atyre që fillimisht shfaqen si kundërshtarë), rrjetet sociale…Sistemi nuk lodhet, nëse ka skandale ato relativizohen nga kjo ushtri propagandistike, zbehen, tejkalohen, përqeshen, dhe janë njerëzit që lodhen duke i rënë shkurt: Të gjithë janë njësoj. Indiferenca sjell plus për sistemin.
3) Në vendet e varfra, në fshatra, në zona pothuaj në mjerim, sistemi është pothuaj absolut. Ai zyrtari me makinën e bukur, i veshur si zengjin, me krahët e hapur, që sheh nga lartë -poshtë, përkthehet në mendjen e nevojtarit për ndihmë ekonomike, për një vend pune, për një ndërtim, për një favor të vogël jetëdhënës, si mbreti që mund ta bëjë të mundur këtë. Kjo është vota e kushtëzuar, aspak e lirë, e që në shumicë për një vend pune shofer, sjell pas vetes votën e krejt familjes dhe gjysmës së kushërinjve. Vota nuk mban erë, njësoj si paratë, nuk e dallon kush në është fituar me presion, me ofertë, me manipulim nevojash dhe sistemi për shkak të fuqisë ka më shumë mjete në dispozicion për këto.
4) Sistemi nuk bie vetë. Nuk ka ndodhur në ndonjë vend tjetër që të ndodhë në vendin tonë që gjithmonë reflekton i fundit. Sistemin duhet ta rrëzojë opozita. Që të ndodhë kjo, pas 12 vitesh pushtet, opozita duhet të vinte e freskët, e ndershme, e bashkuar, me ide të reja, me njerez të rinj. Ndërkohë opozita vjen krejt në të kundërt dhe pikërisht për këtë, fuqia propagandistike e sistemit, arrin ta paraqesë opozitën si “një e keqe tjetër”, madje edhe më të madhe! Njerëzit të lodhur duke shpresuar, nuk rrezikojnë.
5) Duhet pranuar, me dhimbje, por si e vërtetë: Njerëzit nuk votojnë moralin, por interesin dhe atë që njohin. S’ka pse t’i mbetet qejfi njeriu. Ky është njeriu i ri i demokracisë, të cilin e farkëtuan së bashku. Tani po ja vjel frutet ky sistem. Sepse u jep edhe pensione edhe suplemente dy herë në vit, jep rroga në sistemin publik pa ndonjë punë të lodhshme, bën rrugë-ura-aeroporte ca të vërteta e ca tre D, por që janë të dukshme e me ngjyra, e mbi të gjitha nuk përton përditë të përhapë frikën se “ata të tjerët do jenë shumë keq”. Pra e thjeshtë, vota nuk është për atë-ata që duhet të ishte për një sistem demokratik, por është për atë që u duhet, u duket më pak i rrezikshëm e më shumë i durueshëm.
Me pak fjalë, po, ka sistem demokratik-por është i kapur. Po, ka votë të lirë-por është e numëruar pa u hedhur në kuti. Po, ka mendim-por është i kanalizuar. Po, njerëzit nuk janë budallenj kur votojnë, kanë interesa.
Dhe pse të na duket çudi, çudia e firmosur në Kuç ku dhjetëra burra në këmbë këndonin që të kënaqej pashai me gotën e rakisë dhe kafenë para.
Lini një koment