- Mos lexo më shumë se titulli, pastaj komento: Ky autori duket qartë që është paguar.
- Mos e hap artikullin, të lexosh lodhet truri, të komentosh dukesh si Kanti.
- Nëse autori shkruan më shumë se një paragraf, komenti rutinë është: E kujt i duhen këto, populli do bukë.
- Komenti që të dukesh sa më i afërt me thjeshtësinë duhet të fillojë: Nuk jam ekspert i çështjes, por…dhe jep mendimin tënd të pavarur për ekonominë, luftën, sportin, Tokën e sheshtë, vaksinat, historinë, psikologjinë e Kanunit dhe origjinën e Skënderbeut.
- Nëse lexon fjalët “ligjërim”, apo “narrativë” akuzoje autorin menjëherë për përdhunim të gjuhës së pastër shqipe duke përdorur fjalë të huaja për t’u dukur më i zgjuar.
- Mos harro ta fyesh autorin personalisht. Shprehja që shkon më shumë dhe që përshtatet me situatën sepse ti vetë nuk ke as fytyrë as emër është: Duket nga surrati prandaj shkruan kështu.
- Nëse në ndonjë fjali preket idhulli yt reagimi duhet të jetë i menjëhershëm, i fortë dhe pa mëdyshje: Ky është sufllaqexhiu i rradhës, ose: Ky është zhabë kënete.
- Mos harro pa përmendur, që ti nuk lexon se s’kanë ç’të duhen këto budallalleqe, ti ke zgjuarsi natyrore.
- Megjjthëse nuk e lexon, shan dhe fyen, shpërndaje artikullin me mbishkrimin: Lexojeni se çfarë thotë ky injoranti.
- Nëse për një arsye, apo tjetër ke lexuar dy paragrafë nga pesë që ka artikulli, fshikulloje autorin: Këta kujtojnë se çoç thonë, po nuk ia hedhin dot popullit të thjeshtë që është më i mençur.
- Nëse arrin për fatin tënd të madh të tërheqësh ndonjë reagim pas komenteve të para, mos harro pyetjen shpatë për autorin edhe sikur shkrimi të ketë titull për Hënën, apo për Pitagorën: Po ti çfarë ke bërë për vendin tënd?
- Dhe në fund mos hezito të pranosh që nuk ke lexuar kurrë libra dhe kjo të ka bërë ky që je, që askush nuk të mbush dot mendjen kollaj.
Ti mund të jesh thjesht idiot dhe kjo është keq nëse nuk e vë në përdorim, ndaj fillo zbato këtë manual në gjithë shkrimet që lexon, autorët, gazetarët, dhe shumë shpejt do të shndërrohesh në një idiot funksional dhe në rrjetet sociale kjo është mëse e mjaftueshme për të pasur zë, ndjekës, ndikim e më vonë ndoshta edhe pushtet.
Lini një koment