Edmond Arizaj

Si e lashë dashnoren më të ndyrë!Miku im! Mos ja bëj qejfin! Lere edhe ti!

Sot u bënë plot 11 vjet që u ndava prej saj. Nuk ndeza qiri për ta kujtuar. Nuk u ula askund për tu zhytur në nostalgji. Lot, as që bëhej fjalë. Madje, tani që e mendoj, as e kisha hiç në mendje, as e ndjeja në gjoks mallin, e as dikund tjetër. Por sytë më tradhëtuan.

Teksa panë një palë buzë që e puthnin, thithnin, ndjenin, kënaqeshin njësoj si unë dikur. Teksa shihja qepallat gjysëmmbyllur nga kënaqësia, mendova trishtueshëm: Paska rënë edhe ky në dashuri me shtrigën! Nuk e përçmova! E di, e di mirë, ajo dashuri është e verbër. Sytë të hapen vetëm pasi ndahesh. Por kjo është kaq e vështirë! E di dhe këtë! Sidomos me një dashnore që e gjen kudo, kurdo, ngado, në mëngjes, në drekë e në darkë, në divan, në tavolinë, në karrige e në krevat, në xhep, në çantë, në dasëm, në varreza, në kafe e në raki.

Cigarja! Kështu quhet! Dhe unë kam qenë “legjendë”, me katër paketa në ditë, ndonjëherë edhe më shumë. E lija çdo natë, kur mushkëritë më përvëlonin, koka më plaste, goja erëmbante më keq se qenefi, rrobat shpërndanin aromë a thua i kishin mbajtur derrat në një ballo mbi plehra…dhe e nisja sërish në mëngjes, duke e shtyrë lënien për darkën e rradhës…

Unë nuk isha ndarë kurrë prej saj, që në adoleshencë, kur volla për herë të parë pasi e provova. Më duhej një shoqe meditimi, ajo aty, më duhej të mbysja një ndjenjë, ajo e gatshme, më duhej frymëzim, ajo thoshte “po” e para…Ishte dashuri e fortë, sidomos kur zgjaste ndonjëherë nga mëngjesi në mëngjes. Ishte dashuri pa kushte.

Ajo nuk më detyronte. Ajo nuk fyhej kurrë; as kur e shaja bashkë me shokë të tjerë duke e sjellë nëpër duar, as kur e hidhja në ndonjë rrjedhë uji, as kur e shkelja me këmbë, madje as kur e shpërdoroja duke e përdorur. Si duket ajo qeshte dhe tundte kokën verdhacuke (apo bardhoshe sipas rastit) sikur të thoshte: Do ta shohim!

Dhe e pamë! Unë e pashë! Mushkëria ime e pa! Koka ime! Zemra ime e pa më mirë! Dhe 11 vjet më parë më dhanë ultimatumin e fundit: O me ne, o me dashnoren tënde të ndyrë! Vendos! Një ultimatum që erdhi me mjekë, me ambulanca, me frikë…Dhe unë vendosa të iki, jo nga jeta, nga dashnorja.

Nuk e ndeza më kurrë cigaren. Zemra ime vetëm më falënderon. Nuk e thitha më kurrë tymin duke i çuar të fala mushkërive dhe dhimbjes së kokës. Po, edhe me shokët e miqtë, u bëra ndonjëherë grindavec, për cigaret dhe tymin…unë që grindesha pse kishte tym duhani hahahahha, dukej si shenjë apokalipsi. Por ishte bukur. Është bukur.

Ndaj miku im, kushdo qofsh, mos mendo se “gjyshi im vajti 90 vjeç duke pirë cigare”, apo “unë pi vetëm të zgjedhura”, apo “kush e di ça problemesh kishte ky, unë kam zemër çeliku dhe mushkëritë më dolën të bardha”…ashtu mendoja dhe unë, madje dhe ca më shumë.

Është dashnorja më e keqe, lere! Vetëm të rrjep dhe s’të jep asgjë, lere! Të puth, për të të vrarë, lere! Lere miku im, lere ti i pari, sepse po të la ajo…mund të jetë vonë! Mos dëgjo askënd që të thotë “nuk ia del dot”. Unë kam qenë plotësisht i varur prej saj, dhe jam sot i lirë!

Sado më fton, më josh e më lutet në atë mëngjesin me kafe, në atë pasdrekën e shijshme, në mbrëmjet kadife, në atë tryezën me bisedë të këndshme, në atë tavolinën e lojës, në mendimet e mia më të thella dhe haluçinante, në mërzitjet më të mëdha, a gëzimet më të papërmbajtura…veç e tall, dhe e përbuz. Nuk ndjehem më i gjallë, duke u vetshkatërruar pa e ditur.

E kujtoj në fakt, njëherë në javë, apo dy javë me ndonjë puro, të cilën e shijoj si një simbol të një jete të dytë të dhuruar e që unë e kontrolloj për të mos e hedhur më poshtë të paktën për një dashnore të ndyrë, erëqelbur, tinzare e të pabesë. Miku im i panjohur! Merre jetën në dorën tënde! Mund të mendosh edhe pa cigare, mund të krijosh pa cigare, mund të jesh burrë pa cigare, mund të shesësh pordhë pa cigare!
Lere!

Komente

Lini një koment