Edmond Arizaj

Duke analizuar Barberon

A po shkojmë drejt “1914” të shekullit XXI?

Kur historia flet dhe nuk dëgjohet, do të ulërasë në të njëjtat plagë

Alessandro Barbero, është një mjeshtër i narrativës historike, jo i zakontë, hulumtues mikroskopik i detajeve, ironik. E ka kthyer rrëfimin e historisë në një art dhe veten në një “pop star”. Por është po aq tragjik, paralajmërues, dhe hidhësisht i vërtetë kur jep të dhënat, ngjashmëritë e frikën mes epokave, duke qenë pothuaj përfaqësuesi i postulatit “historia përsëritet”. Të njëjtën gjë bëri ai rreth dy vjet më parë në një manifestim kundër riarmatimit, kur ngjarjet dhe realitetin e para Luftës se Parë Botërore i krahasoi me ngjarjet dhe realitetin e sotëm. Le ta detyrojmë pak trurin të stërvitet duke mbivendosur këto ngjashmëri të frikshme.

  1. Barbero foli për kohët e gjata të paqes në Europë. Si atëherë para 1914, si sot prej 1945, fuqitë e mëdha prej dekadash nuk luftonin mes tyre. Sigurisht Ballkani bënte përjashtim, sepse ai nuk e njihte paqen. Ndoshta është krijuar iluzioni i sigurisë dhe ideja se shtetet e fuqishme nuk do të përplasen kurrë mes tyre, duke i shkarkuar tensionet diku në Afrikë, por Ukraina, tensionet SHBA-Kinë mbi Taivanin, Deti i Kinës Jugore, e zerojnë iluzionin.
  2. Barbero foli, dhe ai u referohet gjithmonë fakteve, për helmimin e trurit nga diskursi publik dhe letërsia u quajt “letërsia e luftës së ardhshme”. Me dhjetëra e qindra libra: Si do të sulmohet vendi ynë; Si të mbrohemi. Anglia kryesonte renditjen me libra si do të sulmohej Anglia nga Franca, pastaj nga Rusia dhe më së shumti nga Gjermania. Ideja e luftës së pashmangshme tashmë po zë vend fort edhe në këto kohë, kur që prej 2014 media, think-tank-et, analizat gjeopolitike, ekspertët me ekspertizë, apo jo, rrjetet sociale janë të mbushura me narrativa, video, numërim ushtrish, apo përplasje epokale mes demokracisë dhe autokracisë, Perëndimit dhe Lindjes, SHBA dhe Kinës, SHBA dhs Rusisë. Njësoj si dikur që na thotë Barbero, publiku është i intoksikuar me frikë, dhe kërkesë për mbrojtje e siguri.
  3. Barbero foli për frikën e fuqive të mëdha nga fuqia fqinjë. Për Gjermaninë që ndihej e frikësuar nga flota angleze e për Francën e trembur nga këmbësoria gjermane. Vendet dukeshin të dobëta dhe kërkonin aleanca. Të tjerë fuqi këto aleanca i shihnin si rrethime. Ikim nga fotografia bardhë e zi e para 1914 dhe vijmë në fotografinë dixhitale të epokës sonë. A nuk e sheh Rusia aleancën e NATO si rrethim? A nuk pretendon Kina se perëndimi kërkon ta mposhtë? A nuk thërret SHBA se po kërcënohet? Pra “po na rrethojnë” është qëndrimi i çdo fuqie të madhe në botën e sotme dhe secila, ashtu si dikur si na e shpjegon Barbero kërkon mbrojtje, sigurisht mbrojtje dominuese jo thjesht brenda oborrit.
  4. Barbero foli për aleancat që krijojnë efekte të papritura si Rusi-Francë 1894, apo Angli-Francë 1904. Sepse një Gjermani e mbetur jashtë këtyre aleancave pyet veten: Po këta e paskan me mua! Pra aleancat nisen për siguri, dhe ndjellin frikë. Ja ku vijmë në epokën tonë, ku NATO shtyn kufijtë e saj në Lindje, Kina forcon marrëveshjet me Rusinë dhe Iranin, BRICS kërkon një rend alternativ, vendet afrikane duan edhe ato revansh. Rreziku është njësoj si dikur: Një shkëndijë e vogël mund t’i përfshijë zinxhir aleancat në luftë dhe Franc Ferdinandi i dikurshëm të jetë Ukraina, Tajvani, Gaza.
  5. Barbero foli për riamartimin e atëhershëm, shtetet nuk ndaleshin. U arrit deri në 50 përqind e buxhetit të çdo shteti të shkonte për armatim. Cili shtet sot nuk po riarmatoset? Edhe Gjermania, që për 80 vjet ishte në letargji, u zgjua, si ai ariu që nuk dihet ku do sulmojë e çfarë do kafshojë. Po SHBA, Kina, Rusia, Franca, Anglia e të tjerë me rradhë, çfarë po bëjnë? Të gjithë duke shtuar arsenalet ushtarake. Sistemet raketore që instalohen kudo, ushtritë që rriten në numra, mjetet motorike në tokë, det e ajër që prodhohen me shpejtësi, financohen në emër të mbrojtjes nga njëra anë, por perceptohen si kërcënuese nga ana tjetër. Spiralja e paranojës ka kohë që ka filluar.
  6. Barbero foli për militarizimin e kulturës publike. Kur romanet e luftës, u zëvendësuan nga udhëzuesit e luftës, shkruar nga gjeneralë. Si gjenerali gjerman fon Bernardi në 1911 me librin “Gjermania dhe lufta e ardhshme” me kapituj si: E drejta për të bërë luftë, Detyra për të bërë luftën, apo të dominosh botën ose të biesh. Barbero nuk e përmend, por Bernardi ka dhe një kapitull me titullin “Lufta si nevojë biologjike”. Deri sa vihet në deklarata si ajo e komandantit të ushtrisë gjermane fon Moldke që në fillim të 1914 deklaron: Tani jemi gati dhe sa më parë, aq më mirë. E kishte fjalën për nisjen e luftës. E përshpejtojmë kohën nga fillimi i shekullit XX në fillimin e shekullit XXI. Në vend të literaturës civile, mbizotëron strategjia për dominimin ushtarak në yotube, tik-tok, e facebook, podcastet janë të mbushuara me analiza luftërash dhe cili shtet del fitimtar, videolojërat kanë kaluar nga WW2 në luftën SHBA-Kinë, memet bëhen për raketa, ushtarë, tanke e armatime, evokohen trimëritë e ushtarëve në luftërat botërore. Nuk është gjë tjetër kjo e sotmja, veçse përgatitje në mënyrë të zbutur e mentalitetit të njerëzve për luftën. E për ta kompletuar ngjashmërinë e frikshme të kësaj fotoje dixhitale me bardh e ziun e 110 viteve më parë: deklaratat e ushtarakëve më të lartë të fuqive dhe aleancave që nga sekretari i përgjjthshëm i NATO, nuk u lënë gjë mangut atyre të gjeneralëve me fon, apo kolonelëve me sir.
  7. Barbero flet për frikën si motiv për sulm. Gjermania kur e ndjeu se po humbte epërsinë, nisi të konsiderojë luftën si zgjidhje. Brrr, çfarë ngjashmërie me analizat që flasin për një veprim përpara 2027, i njohur si viti i Tajvanit. Por nuk mbetet vetëm këtu, vetëm me shikimin e vëngërt amerikan për ngjitjen e Kinës. Analizat sekrete që si “rastësisht” zbulohen nga mediat për një luftë brenda pesë viteve të ardhshme, deklaratat pastaj hapur nga ish-ushtarakë të lartë, apo të tjerë që mendojnë se jemi shumë pranë saj, e bëjnë gjithë situatën po aq tragjike sa ç’përshkruan Barbero para 1914, e që e dimë tashmë se çfarë solli më pas. Shtoji kësaj armatimet aktuale…E dikush, apo disa do të duan të ruajnë epërsinë, dhe armët janë mjeti i fuqive që shohin se po bien.
  8. Barbero nuk është fatalist, megjithë pesimizmin, që nuk e fsheh dot pas një “poker face”. Ai thotë nuk jemi njësoj si atëherë, ka më shumë institucione, jemi më të kulturuar, ka më shumë ndikim ekonomia dhe lidhjet mes vendeve janë më të ngushta. Vetëm se, politika, ushtria dhe opinioni publik po operon prej kohësh me mentalitetin e para 1914…dhe frika e shpresa mbetet që ne në këtë epokë, siç thotë profesori Barbero, mos t’u ngjajmë shumë atyre të epokës së para 110 viteve, që i parapriu vetvrasjes së Europës në 1914.
    “Lufta” është kthyer në një fjalë ordinere, mund ta thotë kushdo, ta parashikojë kushdo, ta tallë kushdo, e të trembet kushdo. Flitet për mbrojtje atomike, prodhime tankesh, shtim ushtarësh, drone, sisteme antiraketë, sisteme hapsinore, raketa interkontinentale, nëndetëse, aeroplanmbajtëse, bëhen krahasime armatimesh e ushtrish mes shtetesh, simulohen sulme dhe kundërsulme bërthamore…deri tek numërimi i të vrarëve dhe të mbijetuarve. Bota ndoshta nuk është çmendur. Bota ndoshta ndodhet në një epokë që kush e di si do e rrëfejnë ata të tjerët 100, apo 200 vjet më pas…apo 500 vjet më pas.

Komente

Lini një koment