Edmond Arizaj

“Kapaku prej floriri” 

Vdekja nuk mund të mbyllë hesapet e jetës

Ne shqiptarët kemi një marrëdhënie shumë të veçantë me vdekjen. Aq të veçantë, sa sapo dikush vdes, harrojmë çdo gjë të keqe që ka bërë në jetë, duke e lëvduar vetëm për të mirat, e nëse nuk ka shumë, ia shpikim, ia hiperbolizojmë

Mjafton të mbyllë sytë, dhe ai që ka qenë hajdut, dhunues, maskara, matrapaz, zhvatës, përdhunues, vrasës moral apo literal, bëhet “burrë i mirë”, “i shkreti”, “iku i varfri, i mbylli hallet”. 

Ne, shumica jonë të paktën, nuk themi më të vërtetën kur dikush vdes, vëmë në skenë atë unin tjetër hipokrit që thotë “Gjynah”, “Vdekja i çon në harresë të gjitha”, “I mori me vete në atë botë të këqiat”

Po si i merr të gjitha vdekja?! Paratë e pista? Plagët që ka lënë? Trashëgiminë?! 

Të nderosh thellësisht maskarenjtë

Shumë njerëz që kanë bërë krime të rënda në vendin tonë, që kanë poshtëruar, shkatërruar, përçmuar të tjerët, vjedhur e grabitur, përfituar rëndë, a pasuruar padrejtësisht, sapo vdesin, përcillen me kurora, me lot publik, me statuse prekëse, me kujtime, a thua në orët e fundit, mbi Tokë, duan ta pastrojnë para se të hyjë nën Tokë. E shumohen aktet e “fisnikërisë” nga bamirësi të bëra me para droge, tenderash, manipulimesh, grabitjesh, a fatkeqësie për dikë tjetër. 

Në këto momente, ligjësitë tona të pashkruara ta ndalojnë të thuash çfarë realisht ndjen, sepse ata që e kanë bërë më parë janë quajtur “të ligj”, “të pashpirt”, “të keqkuptuar”, “të poshtër”, “armiq” madje. 

Dhe pas vdekjes, hipokrizia bëhet kolektive.

Askush nuk flet. Askush nuk guxon. Askush nuk do t’i prishë qetësinë të vdekurit dhe botës së frikshme të përtejme. 

E vërteta që mbyllet me arkivol

Ne kemi ndërtuar një kulturë ku vdekja është amnisti morale. Dhe më e keqja: është falas. Nuk kërkon pendesë, as kërkimfalje, as reflektim.

Vetëm një ndarje fizike nga kjo botë.

Ndërkohë, veprat e bëra nuk zhduken. Pasuritë e përfituara padrejtësisht mbeten në duar të pasardhësve. Nuk ka ndodhur deri më sot që ndonjë prej tyre t’i refuzojë a dorëzojë, edhe pa bujë. Ata nuk nisin nga zero. Ata nisin me miliona, me prona, me emra të mëdhenj, me favore, ndërsa fëmijët e njerëzve të ndershëm nisin me borxhe, turp, harresë. E kështu, ne bëhemi vetë, amnistues të padrejtësisë, po aq sa ankimtarë ndaj saj. Kjo ndodh prej dekadash në mos shekujsh. Jemi vetë ne që nuk e konceptojmë vdekjen si pjesë të jetës, të mbushur me mistikë, frikë, e supersticione. Vdekja nuk barazon, por ne e bëjmë, vdekja siç tha Aleksandri nuk merr asgjë me vete, ne ia japim, duke marrë rolin e pastruesit, atij të Madhërishmit. 

Shembuj që i kopjojmë keq

Vdekja nuk është njëlloj. Pasvdekja bashkë me respektin e shumicës tonë është më keq. Në varreza mund të shohësh ndërtime madhështore për vrasës, përdhunues, tutorë, hajdutë, zhvatës; janë ndërtuar e porositur me materialin më të mirë nga paratë e përfituara mbi fatkeqësinë, apo të drejtën e të tjerëve, e pranë tyre pa dyshim do të gjesh më shumë varre gati të mbuluar nga bari të ndonjë mësuesi, ndonjë nëne që ka rritur me thonj e dhëmbë 4 fëmijë, apo mirëbërës që nuk u vetreklamuan kurrë. Ne jemi në linjën e atyre që përcjellin me marshe funebër, me fanfara, me trëndafila, duartrokitje e lot, Pablo Eskobarin, John Gotin, apo Al Kaponen, teksa mezi çojmë varrmihësin dhe karrocën e bashkisë për Nikola Teslën, Edgar Allan Poe, Vincent van Gogh, Franc Kafkën, apo më të turpshmin e varrimeve për njerëzimin, Wolfang Amadeus Moxart. Ne në fakt, nuk reflektojmë dot as pas 200 vjetësh. Ne nuk dënojmë kurrë njëzëri, e as lëvdojmë kurrë një zëri. Askush tek ne pas vdekjes nuk është “i lig”, sepse ka bërë “dhe ndonjë të mirë”. Çfarë arsyetimi mjeran! 

Ne dhe vendet e tjera perëndimore

Në fakt, vdekja sjell ndjeshmëri kudo, në çdo vend. Por ama, jo falje kolektive. Jo hipokrizi mediatike, politike, e shoqërore. Të paktën heshtje, kur nuk do të flasësh drejt. 

Kur vdiq Jerry Falwell, media, akademikë dhe një pjesë e madhe e shoqërisë amerikane, nuk i lanë pa përmendur përveç të tjerave edhe pasurinë e grumbulluar, apo demagogjinë. Krejt ndryshe nga vendi ynë, ku obituaret mediatike nuk thonë kurrë, kurrë historitë ku i vdekuri është akuzuar psh, ku ka pasur një problematikë me ligjin, etj. Madje, më keq, thurren dafina fjalësh edhe nga ata që kanë qenë armiq. Por duke vijuar me sjelljen e vendeve të tjera, marrim një emër që ne e njohim më shumë si Donald Rumsfeld. Askush nuk bëri sikur nuk ka ndodhur asgjë se mos i prishnin qetësinë të vdekurit, por folën e shkruajtën për gënjeshtrat e luftës së Irakut, torturat në Abu Grab, apo mospranimin deri në fund të fajit dhe shprehja “ne nuk do të harrojmë çfarë bëre” e mediave, gazetarëve e analistëve ishte një nga më të përdorurat. Nuk bëjnë sikur nuk ka ndodhur gjë në gjallje, vetëm pse ndërron jetë. Vdekja nuk i fshin veprat. Drejtësia vazhdon e funksionon. Institucionet, mediat, shoqëria civile, vazhdojnë e ndjekin paratë, pasuritë, ndikimin. Nuk heshtin. Nuk glorifikojnë. Nuk harrojnë. Siç fatkeqësisht bën shumica jonë. 

Heshtja jonë si bashkëfajësi

Nëse tek ne një politikan, një funksionar, një kriminel, i korruptuar, apo i hetuar, ndërron jetë, pasuria që lë pas nuk përmendet më. Një biznesmen i rritur në gjak e trafik ndahet nga jeta, shumica jonë thotë: “Kishte zemër të mirë”. Kur një funksionar shteti, vdes, nuk ka fjalë tjetër me zë të lartë përveçse: “Ndihmonte kë të mundtte i shkreti”. Po si mor burra e gra i ndihmonte?! Ku i merrte?! Kush ia jepte?! Ne, shumica jonë, nuk kemi frikë nga vdekja, por nga e vërteta. 

Amaneti hipokrit për brezat

Çfarë u themi fëmijëve tanë? Atë që na kanë thënë edhe ne, edhe prindërve e gjyshërve tanë më parë. Pas vdekjes harrohet çdo gjë. Është si puna e gjobave që fshihen pas një farë kohe, apo si parashkrim i përgjithshëm i gjithçkaje ke bërë. Apo më mistike: Gjyqin e bën Zoti! Dmth mund të bësh ç’te duash, mjaft të dish ta dredhësh me njerëzit e duhur, të vjedhësh, të poshtërosh, të shtypësh, të grabitësh, të lëndosh, se kur të vdesësh qoftë nga sëmundjet, nga armët, apo aksidentet do të thonë: “I shkreti, ishte i ri dhe i mirë, buzëqeshte gjithmonë”. Ndoshta s’na ka ikur ende refleksi i kushtëzuar mësuar me dajak në periudhën osmane për të përcjellë me lot, lëvdime, e lutje për “hakun e fundit” të çdo zyrtari maskara. Nuk ndryshoi shumë në periudhën e Zogut dhe Hoxhës. Por ironikisht, në kohën e sotme, në vend të rehabilitonim lirinë dhe inteligjencën tonë, u bëmë më të rafinuar dhe oportunistë. U përshtatëm. Nuk nxjerrim thjesht lotë. Thurrim legjenda mirësie edhe për të përçmuarit. 

Mund të falim, por jo të harrojmë

Njëra është zgjedhje, e shpirtmadhësisë, e ndjesive të mira. Por tjetra është pothuaj tradhëti ndaj shumicës. Nëse nuk kemi kurajo për të vërtetën, të paktën të nos flasim, e nëse nuk rrimë dot pa folur se duket se i vdekuri do të na kujtojë “nderet”, të paktën të mos gënjejmë. Veten në rradhë të parë. Hipokrizia e varreve nuk duhet të jetë më pjesë e jona, e as shprehja e shpikur kush e di nga ndonjë bej shpirtlig, grabitës, katil e vrasës: i gjalli me të gjallët, i vdekuri me të vdekurit. Nuk mund që pjesa jonë dërrmuese, pavarësisht nivelit kulturor, të heshtë, a më keq, glorifikojë në vijimësi e në cikle të përsëritura, ata që kanë shkaktuar dëm, kanë plagosur shpirtëra a kanë shkelur jetët e të tjerëve. Nuk e di si bëhet peshimi i të mirave dhe të ligave në atë botë, por për këtë botë jam i bindur se një e drejtë e shkelur e kujtdo, nuk lahet me “dhjetë ndere” bërë miqve e shokëve. Ndryshe, maskarenjtë do të vazhdojnë ta dinë se lavdia e kanë të siguruar falas dhe do të tallen edhe nga përtej varrit duke u thënë maskarenjve të rradhës: “Bëni ç’të doni, të gjitha harrohen”. 

Shoqëri që bën pakt me hipokrizinë

Jo! Ndjesë! Nuk është se ne njësoj si italianët e jugut, vende të tjera ballkanike apo lindore, i lëmë në paqe maskarenjtë vetëm në vdekje. Ne e bëjmë që në ngjallje. Si vallë e harrova evolucionin tonë?! Ne mund të riciklojmë një të akuzuar për korrupsion krejt lehtë! E bëjmë analist, pastaj e ftojmë të flasë për jetën, për familjen, për politikën. E dalëngadalë, njerëzit harrojnë ç’bëri e si u soll, por e përqafojnë se shau ndyrë “armikun” politik, a megjithë neverinë shkojmë i kërkojmë një “nder”. Ne harrojmë ata që drejtësia i dënoi, apo i ekspozoi keqazi. Pas një periudhe pushimi që tek ne është periudha e artë 3-6 muaj e harrimit, ata rikthehen, krejt si pa të keq, duke dhënë leksione në ekrane, në media, podkaste tani. Ne nuk harrojmë kurrë të bëhemi tifozë të krimit, hajdutërisë, mashtrimit, hilesë, përfitimit dhe u ofrohemi e i pranojmë krejt lehtë, e nuk protestojmë fare për riciklimet mediatike, për shfaqjet e neveritshme të servilizmit të hapur e nuk na bën përshtypje për personazhe të përditshëm moralizues e opinionbërës me rekorde të dyshimta përfitimi. Sepse jemi të gjithë, ku më pak e ku më shumë të infektuar me virusin “secili për vete, n’dreq të shkojë ai tjetri”. Nuk është krejt e vonë kjo sjellje. I kemi të nakatosur të gjitha figurat tona. E nuk mundemi t’i nxjerrim dot në dritë, a t’i lemë në hije, madje më keq, sipas interesit ata të dritës i fusim hijeve, e të hijeve i ndriçojmë. Me tradhëtarë që bëhen heronj, e heronj që zbulohen si tradhëtarë. Po njësoj sot, ditën për diell, e natën në dritat led: Nga kangjellat e drejtësisë hop në kolltukun e mendimtarit, nga përçmimi i shoqërisë në rrëfime mallëngjyese vetjake, nga neveri e publikut në mendimdhënës. Etj, etj, etj. Ndërsa unë flas për pasvdekjen! Ne tashmë u bëjmë pastrimin maskarenjve që në gjallje. 

Komente

Lini një koment