Edmond Arizaj

Bythëlëpirja si aktivitet

Ka një thënie e atribuar Ajnshtajnit që thotë:

Qielli dhe budallëku njerëzor janë të pafundmë, por për të parin jam i pasigurt.

Meqë nuk e dimë nëse e ka thënë vërtet gjeniu, apo jo, le t’i shtojmë dhe një të tretë:

Bythëlëpirja e shumë shqiptarëve është ndoshta më e pafundme edhe se budallëku.

Jo pse s’kemi plot të dhëna, jo pse nuk është ushqyer mirë ndër shekuj në oborre pashallarësh, saraje bejlerësh, sqetulla agallarësh, vrima komitetesh e komisarësh, por sot bythëlëpirja ka kaluar çdo kufi që mund të pranohej: është shndërruar në mënyrë jetese. Dhe, o Zot, nuk bëhet as në fshehtësi, as vetëm sy më sy, por faqe gjithë mexhlisit, në dritë të Diellit, me emër e mbiemër, me zë të lartë… dhe krenari neveritëse.

Pas një periudhe shumë të gjatë që nuk lexoja pothuaj fare komente, nuk di pse m’u shkrep “të kontrolloj” statuset propaganduese të disa udhëheqësve, lokalë e deri te drejtues të lartë, përfshirë kryeministrin. Po e them pa asnjë hiperbolizim: Më ka ardhur turp dhe krupë të vazhdoj përtej 10-15 komenteve në rastin më të gjatë.

Nuk kuptova, isha duke lexuar komente për statuse të një politikani, në shumicë pa asnjë vlerë, me raste më pak vlerë se kushdo mësues, rrallë pak vlerë sa për sy e faqe, apo të ndonjë shenjti: “Urime kryetar”; “Ja si po shkëlqen qyteti nga puna juaj”; “Bravo”; “Shyqyr që të kemi”, “Të marrshin të keqen”; “Po i ndryshon faqen vendit”; “Marrsh nga ditët tona”; “Je njësh”; “Të bekoftë Zoti”; “T’u zgjattë jeta”…

Nuk isha më në politikë. Isha brenda një sekti. Në liturgji idolatrie. Aty ku të marrëit luten dhe lëpijnë në të njëjtën masë.

Po fare mirë mund të isha edhe brenda fisesh antike që u falen dhe përgjërohen statujave prej druri – e nëse ndonjë “i marrë” ua kundërshton, e pret kurbanizimi në sytë e gdhendur të drurit.

A është thjesht nënshtrim? Këtë e kemi ditur prej dekadash: mbijeton dhe përfiton ai që shan me urdhër dhe lëvdon me ofertë.

Por kjo është më e rëndë: është degradim i ndërgjegjes. Prostitucion intelektual pa pagesë. Na pëlqen kaq shumë skllavërimi, sa ta tregojmë hapur! Madje jo, japim veten, paguajmë me veten, për të qenë skllevër.

Dhe, më ulëritësja, nuk gjejnë asgjë të gabuar në sjelljen e tyre, në fjalët e tyre; bëjnë lëpirje të neveritshme me foton e tyre dhe emrin e tyre, apo më keq me foton e një fëmije, nipi, a djali. Ndoshta bythëlëpirja është bërë strukturë mendimi. Ndoshta është normalizuar. Ndoshta ka marrë status. Ndoshta është institucionalizuar. Ndoshta. Nuk di si ta them ndryshe. Nuk di si t’i gjej një justifikim.

Kjo lloj bythëlëpirja jonë s’ka më as stil, as arsye. Nuk është as servilizëm për interes, që do ishte krejt e pranuar për xhinsin tonë.

Kjo është kthyer në një patologji të përgjithshme. Të heqësh me vetëdije dorë nga liria, apo, për ta rënduar pak gjuhën, t’i vendosësh vetes një rrip qeni në qafë.

Nuk mund të fajësoj vetëm ata që lëpihen, megjithëse këta duhen ndërgjegjësuar.

Kanë faj edhe ata që e lejojnë lëpirjen si mjet promovimi, shpërblimi, karriere, përfitimi. Ata që ndihen mirë kur i lëpijnë.

Që megjithëse janë krejt bosh, meqenëse kanë ecur vetë përpara me lëpirje e bythëlëpirje, nuk mund të shohin një rrugë tjetër karriere tek të tjerët, përveç kësaj që kanë hapur vetë.

Le të mos ia bëjnë qejfin njëri-tjetrit:

Pushtetet dhe njerëzit që kënaqen e mbahen me lëpirje janë po aq të rrezikshëm për vendin sa edhe ata që pëlqejnë dhunën për ta mbajtur pushtetin.

Komente

Lini një koment