Shqiptarët duhet të mësohen me realitetin e ri. Nëse nuk je “investitor strategjik”, “mik strategjik”, “shërbyes strategjik”, nuk mund të marrësh leje qeverie për zaptim prone publike. Ngulja e hunjve, vënia e gardheve, hedhja natën e themeleve, ndërtimi në shkurt e legalizimi në mars, nuk janë më të modës. Janë “investime” pa të ardhme, për “një copë bukë”. Duhen fshatra turistikë, hotele, resorte… në këto investime “që ja vlen”, po, pasi të kalojnë edhe pengesat e “mikut”, “shërbyesit” dhe “zarfit”, mund t’i vënë syrin kujtdo “pike të voçkël”, siç thoshte dikur ministrja e përjetshme Mirela Kumbaro, dhe atëherë si me magji toka publike kthehet në “tokë të zënë”, por me bekimin e qeverisë.
Dikur ishin njerëzit që u lëshuan mbi pronën e përbashkët si lukuni ujqish dhe sot Shqipëria, vendet e saj më të bukura janë bërë si telajo e Jackson Pollock, diku-diku edhe si shgarravinat e vetë Ramës. Sot është shteti vetë që gjithçka publike nuk ia kthen qytetarëve të përshtatshme për shfrytëzim publik, qoftë edhe kundrejt pagesave simbolike, por ua jep si pronë “strategëve” dhe qytetarëve u mbetet thjesht kujtimi.
PS: Kjo furtuna e drejtorëve nëpër bashki është kaq patetike, sa më shumë se neveri, shkakton keqardhje.
Lini një koment