Edmond Arizaj

Blog

  • “Sindromi Leart Vasili” dhe shoqëria shqiptare

    Të gjithë në ndjekje të dramës dhe klikimeve

    Leart Vasili është thjesht përfaqësuesi më i arrirë i një shoqërie që tashmë vuan për dramë, elektrizohet për flamur, dhe paketon shprehje traumatike për klikime. Learti është prej vitesh në kërkim të zhurmës, skenës, lotëve, spektaklit për turmat e ndjekësve të çdo debati pa thellësi, pa mendim, pa analizë, thjesht tërheqës për shkak të zërit të ngritur, roleve agresive, nacionalizmit bosh, e atdhetarizmit pa bërë asgjë serioze për atdheun.

    Shoqëria përmes Laertit? 

    A mund të analizojmë Leartin, për të kuptuar shoqërinë? Ndoshta po, ndoshta jo. Por një pjesë të shoqërisë mundet ta kuptojmë nëpërmjet tij. Është ajo pjesë që vuan për vëmendje. Që hulumtojnë se çfarë pëlqen publiku i gjerë, masa e madhe dhe amorfe, dhe si mund t’u qasesh atyre, duke i bërë për vete, për qëllime të ndryshme, kush për të fituar, kush për famë, kush për kënaqësi, kush për vetmbushje, etj.

    Tipologjitë që prodhon mungesa e vlerës, a largimi prej saj

    Dhe nëse i ndajmë ka nga ata që për shkak të nivelit ordiner zgjedhin “të përfaqësojnë” fundin e shoqërisë, me sharje, fyerje, dhunë psiqike, dhunë familjare, një çmenduri sociale e përmasave apokaliptike për një mendje teknikisht normale.

    Pastaj janë ata që duan të shpërthejnë, të ngjiten lartë, të bëhen si të tjerët, pavarësisht se s’kanë dhënë asgjë deri në atë moment, por besojnë se janë më të aftë se ata që kanë dhjetëra vjet profesion dhe rrjetet sociale ua japin këtë mundësi, pavarësisht se për krahasim me profesionistët janë si dinosaurët me zhapikun.

    Nacionalizmi, spektakli i vjetër i rrjeteve

    Pastaj vijnë nacionalistët, më të flaktit, mbrojtësit e çdo pëllëmbe toke shqiptare, çdo gërme, e çdo tradite, sigurisht me fjalë në rrjete dhe në studio, apo emisione pa baza shkencore, pa mbështetje dokumentuese, etj. Ka dhe nivele të tjera, por le të qëndrojmë këtu.

    Laerti dhe shfaqja si “shpëtimtar”

    Learti e nisi kështu, pasi u kthye në vendlindje. Si nacionalist, si atdhetar, si interpretues ndenjash mëmëdhetare nëpër studio, duke e vënë veten në qendër të një kauze…për të cilën nuk mbaj mend ta kishte kërkuar njeri, dhe as ishte koha se i duhej më njeriu.

    Fama si drogë që kërkon mbidozim

    Fama vjen, por duhet mbajtur. Është si puna e drogës, me kohë trupi bëhet rezistent dhe duhet dozë më e madhe. Njësoj dhe fama kur nuk ka material brenda, është e shpejtë e fuqishme, dehëse, haluçinante, por duhet mbajtur sepse publiku krijon rezistencë dhe s’mund ta gënjesh më vetëm me skenarë alla “Is Boletini u nxori pisqollën e fshehur inglezëve në Londër”.

    Spektakël, apo realitet?

    Në këtë moment, ajo pjesa e parë e shoqërisë, që i takon shtresës së ulët fare, nis e ndryshon fyerjet dhe sharjet dhe zgjeron tabelën e qitjes, krijojnë sherre, seriale tragjike (shqiptarët i adhurojnë serialet, s’ka rëndësi vijnë nga Turqia, nga Brazili, nga Tik-Toku, apo ekranet e mbrëmjet).

    Grupi i dytë e sheh se fama me boshësi nuk është krejt e lehtë, disa e lënë në mes, disa vazhdojnë për inerci, disa përpiqen të ndërveprojnë ME grupin e parë, apo në jo pak raste SI grupi i parë, apo në raste të pakta, përqëndrohen në gjëra vërtetë të këndshme dhe tërheqëse për shoqërinë, jo domosdoshmërisht në klikueshmërinë e sharjeve dhe nacionalizmit, por me shije.

    Kur patriotizmi nuk shitet më vjen viktimizimi

    Dhe vijmë tek grupi i tretë, Learti si përfaqësues. Nacionalizmi, atdhetarizmi nuk shesin më, interesi nuk është i mëparshmi. Biletat për spektaklin dhe recitimin janë të lira, e kur je bërë rob i ekranit sa nuk jeton më dot jashtë tij, duhen mënyra të reja për të rimbledhur pëlqime, klikime, ndjenjë pozitive.

    Viktimizimi, siç ndodhi në një show televiziv me Leartin, për të tjerët ndodh në forma të tjera. Dhe viktimizmi vjen duke u rritur deri në “heroizëm” që kërkon vlerësim nga shoqëria.

    Moderatoret janë gazetarë që pyesin si, pse, apo janë infermirë që klithin “ua”, “jo”, “si ndodhi”? 

    Brenda spektaklit televiziv Learti dha një deklaratë jo të lehtë, se ishte përdhunuar kur ishte fëmijë. Në kohë të tjera do ishte bërë nami në rrjete sociale e me komente me mbështetje etj, por në kohët e sotme, ku të gjithë “shpikin” fjalë e ngjarje për të qenë si viktima vetëm për vëmendje, pa afruar prova, deklarime të tilla nuk tërheqin më.

    Nuk mbaroi me kaq. Nga viktimizim që nuk ngjit, u kalua në heroizim në një tjetër emision televiziv, që për çudi modaratoret (moderatorët) asnjëherë nuk bëjnë pyetje si, pse, ku, kush, kur, thjesht bëjnë “uau”, “vërtetë”, “oh”, “ah”, “mos” dhe shprehin empatinë e tyre duke e kthyer gazetarinë në infermieri:

    “Unë e njoha përdhunuesin tim, iu ula përballë, desha ta vrisja, por vetëm e pashë dhe nuk i thashë asgjë.”

    Kur drama nuk mjafton, vjen absurdi

    Teorikisht këtu drama në këtë skenar duhet të arrijë majën. Publiku duhet të çohet në këmbë dhe të duartrokasë gjatë. Lule, lot, mirënjohje, burrëri, legjenda, për këtë telenovelë tronditëse. Vetëm se, sërish efekti është i vakët.

    Atëherë kalohet në absurd diku tjetër, sepse tashmë kjo pjesë e shoqërisë (Laerti si përfaqësues tipik) nuk ka më kufij, ata janë personazhe që nuk duan të jenë më qytetarë, por lajme:

    “Motra ime 6 muajshe vdiq sepse diktatorit i duhej transfuzion gjaku”. 

    Sërish asnjë dokument, asnjë e dhënë, as nëna të paktën, thjesht një legjendë e dëgjuar, dhe asociimi i vetes apo familjes me të…

    Kjo shoqëri është bërë e frikshme në boshësi, edhe nga ata që kanë se çfarë t’i japin, dhe të imagjinosh që janë më pak se ata që s’kanë asgjë.

    A mund të luftohet kjo sindromë? 

    Kjo sindromë si luftohet? A mund ta luftojë vetëm një njeri, një institucion, një qytet? Unë them jo. Për vende të vogla si vendi ynë, fenomene të tilla bëhen kollaj udhërrëfyese për rininë, ndryshe nga vendet e mëdha ku ka me dhjetëra shembuj që mund të ndiqen.

    Imagjino kur mediat dhe rrjetet sociale i bëjnë jehonë këtij “sindromi”. Çfarë mund të presim më pas?

    “Profecitë” që s’kanë pse na habisin më

    Unë nuk do të çuditesha sikur nga Laerti, që tashmë më duket krejt i çoroditur në ndjekje të famës dhe klikimeve (nuk shoh asnjë arsye tjetër), të deklaronte përgjatë këtyre tre muajve që do t’i mungojnë emisionet televizive për shkak të pushimeve të sezonit: Nëna ime ka dashur të më abortonte, por një ëngjëll e pengoi; Gjaku im rrjedh nga princa ilirë dhe ADN ime është unike në Ballkan; Në një seancë psikologjike më është shfaqur Skënderbeu dhe më tha je pasardhësi im…

    Shqipëria në borxh me ndokënd?! Mijëra në fakt në borxh me atdheun

    Ndoshta kjo pjesë e shoqërisë, ku Laertin mund ta fusim si përfaqësues, vuan nga ndjenja se kanë dhënë shumë, por janë të pashpërblyer, të pavlerësuar, të panjohur mirë nga masa dhe përpiqen në mënyra krejt jofisnike për çka përfaqësojnë të imponojnë a rrëmbejnë dashuri, famë, mirënjohje, e ndoshta ndonjëherë edhe më shumë se kaq.

    Është kaq e thjeshtë: Atdheu, Shqipëria, nuk i ka askujt ndonjë borxh për t’i kthyer. As Skënderbeut madje. Përkundrazi, me dhjetëra, qindra e mijëra shqiptarë, duhet t’i kthejnë erzin që i kanë marrë, me narçizizmin, egoizmin, e ndjekjen e famës me çdo kusht e çdo çmim, edhe me atë të humbjes së vetes.

    Sa dëme të bëra nga shembujt e rremë dhe rrjetet që i fryjnë pa asnjë filtër!

    I kanë një borxh vendit për dëmin që i kanë bërë e i bëjnë, së bashku me ata që u shumëfishojnë dramat e shpikura, apo urrejtjen e injektuar.

    Duhet të lahen me atdheun fillimisht për dëmin e bërë duke dhënë shembuj të absurdit dhe jo logjikës, për të rinjtë që i kanë mashtruar se fama është sukses në çdo rast dhe jo pasojë që çon shpeshherë në probleme të rënda, për boshtin moral të shoqërisë që prej vitesh e vitesh e kanë zëvendësuar me klikime, për prindërit që ndihen përherë e më të humbur, e për mësuesit që ndihen përherë e më të largët.

    Ata kanë borxhin e madh se tashmë edhe prej tyre, kemi hyrë në epokën drithëruese të fëmijëve që duke ndjekur këta udhërrëfyes mendojnë se nuk ka më nevojë të studiosh, sepse mjafton të jesh interesant.

    Jo thjesht Laerti, është epokë e re kulturore

    Nuk është thjesht Laerti. Nuk ka lidhje me të. Ai është një nga mijërat, ndoshta më përfaqësuesi, të një kulture shoqërore që prej kohësh i afrohet dhunshëm përplasjes me asfaltin, duke u shoqëruar masivisht me like, gifte, dhe makiazh.

  • “Kapaku prej floriri” 

    Vdekja nuk mund të mbyllë hesapet e jetës

    Ne shqiptarët kemi një marrëdhënie shumë të veçantë me vdekjen. Aq të veçantë, sa sapo dikush vdes, harrojmë çdo gjë të keqe që ka bërë në jetë, duke e lëvduar vetëm për të mirat, e nëse nuk ka shumë, ia shpikim, ia hiperbolizojmë

    Mjafton të mbyllë sytë, dhe ai që ka qenë hajdut, dhunues, maskara, matrapaz, zhvatës, përdhunues, vrasës moral apo literal, bëhet “burrë i mirë”, “i shkreti”, “iku i varfri, i mbylli hallet”. 

    Ne, shumica jonë të paktën, nuk themi më të vërtetën kur dikush vdes, vëmë në skenë atë unin tjetër hipokrit që thotë “Gjynah”, “Vdekja i çon në harresë të gjitha”, “I mori me vete në atë botë të këqiat”

    Po si i merr të gjitha vdekja?! Paratë e pista? Plagët që ka lënë? Trashëgiminë?! 

    Të nderosh thellësisht maskarenjtë

    Shumë njerëz që kanë bërë krime të rënda në vendin tonë, që kanë poshtëruar, shkatërruar, përçmuar të tjerët, vjedhur e grabitur, përfituar rëndë, a pasuruar padrejtësisht, sapo vdesin, përcillen me kurora, me lot publik, me statuse prekëse, me kujtime, a thua në orët e fundit, mbi Tokë, duan ta pastrojnë para se të hyjë nën Tokë. E shumohen aktet e “fisnikërisë” nga bamirësi të bëra me para droge, tenderash, manipulimesh, grabitjesh, a fatkeqësie për dikë tjetër. 

    Në këto momente, ligjësitë tona të pashkruara ta ndalojnë të thuash çfarë realisht ndjen, sepse ata që e kanë bërë më parë janë quajtur “të ligj”, “të pashpirt”, “të keqkuptuar”, “të poshtër”, “armiq” madje. 

    Dhe pas vdekjes, hipokrizia bëhet kolektive.

    Askush nuk flet. Askush nuk guxon. Askush nuk do t’i prishë qetësinë të vdekurit dhe botës së frikshme të përtejme. 

    E vërteta që mbyllet me arkivol

    Ne kemi ndërtuar një kulturë ku vdekja është amnisti morale. Dhe më e keqja: është falas. Nuk kërkon pendesë, as kërkimfalje, as reflektim.

    Vetëm një ndarje fizike nga kjo botë.

    Ndërkohë, veprat e bëra nuk zhduken. Pasuritë e përfituara padrejtësisht mbeten në duar të pasardhësve. Nuk ka ndodhur deri më sot që ndonjë prej tyre t’i refuzojë a dorëzojë, edhe pa bujë. Ata nuk nisin nga zero. Ata nisin me miliona, me prona, me emra të mëdhenj, me favore, ndërsa fëmijët e njerëzve të ndershëm nisin me borxhe, turp, harresë. E kështu, ne bëhemi vetë, amnistues të padrejtësisë, po aq sa ankimtarë ndaj saj. Kjo ndodh prej dekadash në mos shekujsh. Jemi vetë ne që nuk e konceptojmë vdekjen si pjesë të jetës, të mbushur me mistikë, frikë, e supersticione. Vdekja nuk barazon, por ne e bëjmë, vdekja siç tha Aleksandri nuk merr asgjë me vete, ne ia japim, duke marrë rolin e pastruesit, atij të Madhërishmit. 

    Shembuj që i kopjojmë keq

    Vdekja nuk është njëlloj. Pasvdekja bashkë me respektin e shumicës tonë është më keq. Në varreza mund të shohësh ndërtime madhështore për vrasës, përdhunues, tutorë, hajdutë, zhvatës; janë ndërtuar e porositur me materialin më të mirë nga paratë e përfituara mbi fatkeqësinë, apo të drejtën e të tjerëve, e pranë tyre pa dyshim do të gjesh më shumë varre gati të mbuluar nga bari të ndonjë mësuesi, ndonjë nëne që ka rritur me thonj e dhëmbë 4 fëmijë, apo mirëbërës që nuk u vetreklamuan kurrë. Ne jemi në linjën e atyre që përcjellin me marshe funebër, me fanfara, me trëndafila, duartrokitje e lot, Pablo Eskobarin, John Gotin, apo Al Kaponen, teksa mezi çojmë varrmihësin dhe karrocën e bashkisë për Nikola Teslën, Edgar Allan Poe, Vincent van Gogh, Franc Kafkën, apo më të turpshmin e varrimeve për njerëzimin, Wolfang Amadeus Moxart. Ne në fakt, nuk reflektojmë dot as pas 200 vjetësh. Ne nuk dënojmë kurrë njëzëri, e as lëvdojmë kurrë një zëri. Askush tek ne pas vdekjes nuk është “i lig”, sepse ka bërë “dhe ndonjë të mirë”. Çfarë arsyetimi mjeran! 

    Ne dhe vendet e tjera perëndimore

    Në fakt, vdekja sjell ndjeshmëri kudo, në çdo vend. Por ama, jo falje kolektive. Jo hipokrizi mediatike, politike, e shoqërore. Të paktën heshtje, kur nuk do të flasësh drejt. 

    Kur vdiq Jerry Falwell, media, akademikë dhe një pjesë e madhe e shoqërisë amerikane, nuk i lanë pa përmendur përveç të tjerave edhe pasurinë e grumbulluar, apo demagogjinë. Krejt ndryshe nga vendi ynë, ku obituaret mediatike nuk thonë kurrë, kurrë historitë ku i vdekuri është akuzuar psh, ku ka pasur një problematikë me ligjin, etj. Madje, më keq, thurren dafina fjalësh edhe nga ata që kanë qenë armiq. Por duke vijuar me sjelljen e vendeve të tjera, marrim një emër që ne e njohim më shumë si Donald Rumsfeld. Askush nuk bëri sikur nuk ka ndodhur asgjë se mos i prishnin qetësinë të vdekurit, por folën e shkruajtën për gënjeshtrat e luftës së Irakut, torturat në Abu Grab, apo mospranimin deri në fund të fajit dhe shprehja “ne nuk do të harrojmë çfarë bëre” e mediave, gazetarëve e analistëve ishte një nga më të përdorurat. Nuk bëjnë sikur nuk ka ndodhur gjë në gjallje, vetëm pse ndërron jetë. Vdekja nuk i fshin veprat. Drejtësia vazhdon e funksionon. Institucionet, mediat, shoqëria civile, vazhdojnë e ndjekin paratë, pasuritë, ndikimin. Nuk heshtin. Nuk glorifikojnë. Nuk harrojnë. Siç fatkeqësisht bën shumica jonë. 

    Heshtja jonë si bashkëfajësi

    Nëse tek ne një politikan, një funksionar, një kriminel, i korruptuar, apo i hetuar, ndërron jetë, pasuria që lë pas nuk përmendet më. Një biznesmen i rritur në gjak e trafik ndahet nga jeta, shumica jonë thotë: “Kishte zemër të mirë”. Kur një funksionar shteti, vdes, nuk ka fjalë tjetër me zë të lartë përveçse: “Ndihmonte kë të mundtte i shkreti”. Po si mor burra e gra i ndihmonte?! Ku i merrte?! Kush ia jepte?! Ne, shumica jonë, nuk kemi frikë nga vdekja, por nga e vërteta. 

    Amaneti hipokrit për brezat

    Çfarë u themi fëmijëve tanë? Atë që na kanë thënë edhe ne, edhe prindërve e gjyshërve tanë më parë. Pas vdekjes harrohet çdo gjë. Është si puna e gjobave që fshihen pas një farë kohe, apo si parashkrim i përgjithshëm i gjithçkaje ke bërë. Apo më mistike: Gjyqin e bën Zoti! Dmth mund të bësh ç’te duash, mjaft të dish ta dredhësh me njerëzit e duhur, të vjedhësh, të poshtërosh, të shtypësh, të grabitësh, të lëndosh, se kur të vdesësh qoftë nga sëmundjet, nga armët, apo aksidentet do të thonë: “I shkreti, ishte i ri dhe i mirë, buzëqeshte gjithmonë”. Ndoshta s’na ka ikur ende refleksi i kushtëzuar mësuar me dajak në periudhën osmane për të përcjellë me lot, lëvdime, e lutje për “hakun e fundit” të çdo zyrtari maskara. Nuk ndryshoi shumë në periudhën e Zogut dhe Hoxhës. Por ironikisht, në kohën e sotme, në vend të rehabilitonim lirinë dhe inteligjencën tonë, u bëmë më të rafinuar dhe oportunistë. U përshtatëm. Nuk nxjerrim thjesht lotë. Thurrim legjenda mirësie edhe për të përçmuarit. 

    Mund të falim, por jo të harrojmë

    Njëra është zgjedhje, e shpirtmadhësisë, e ndjesive të mira. Por tjetra është pothuaj tradhëti ndaj shumicës. Nëse nuk kemi kurajo për të vërtetën, të paktën të nos flasim, e nëse nuk rrimë dot pa folur se duket se i vdekuri do të na kujtojë “nderet”, të paktën të mos gënjejmë. Veten në rradhë të parë. Hipokrizia e varreve nuk duhet të jetë më pjesë e jona, e as shprehja e shpikur kush e di nga ndonjë bej shpirtlig, grabitës, katil e vrasës: i gjalli me të gjallët, i vdekuri me të vdekurit. Nuk mund që pjesa jonë dërrmuese, pavarësisht nivelit kulturor, të heshtë, a më keq, glorifikojë në vijimësi e në cikle të përsëritura, ata që kanë shkaktuar dëm, kanë plagosur shpirtëra a kanë shkelur jetët e të tjerëve. Nuk e di si bëhet peshimi i të mirave dhe të ligave në atë botë, por për këtë botë jam i bindur se një e drejtë e shkelur e kujtdo, nuk lahet me “dhjetë ndere” bërë miqve e shokëve. Ndryshe, maskarenjtë do të vazhdojnë ta dinë se lavdia e kanë të siguruar falas dhe do të tallen edhe nga përtej varrit duke u thënë maskarenjve të rradhës: “Bëni ç’të doni, të gjitha harrohen”. 

    Shoqëri që bën pakt me hipokrizinë

    Jo! Ndjesë! Nuk është se ne njësoj si italianët e jugut, vende të tjera ballkanike apo lindore, i lëmë në paqe maskarenjtë vetëm në vdekje. Ne e bëjmë që në ngjallje. Si vallë e harrova evolucionin tonë?! Ne mund të riciklojmë një të akuzuar për korrupsion krejt lehtë! E bëjmë analist, pastaj e ftojmë të flasë për jetën, për familjen, për politikën. E dalëngadalë, njerëzit harrojnë ç’bëri e si u soll, por e përqafojnë se shau ndyrë “armikun” politik, a megjithë neverinë shkojmë i kërkojmë një “nder”. Ne harrojmë ata që drejtësia i dënoi, apo i ekspozoi keqazi. Pas një periudhe pushimi që tek ne është periudha e artë 3-6 muaj e harrimit, ata rikthehen, krejt si pa të keq, duke dhënë leksione në ekrane, në media, podkaste tani. Ne nuk harrojmë kurrë të bëhemi tifozë të krimit, hajdutërisë, mashtrimit, hilesë, përfitimit dhe u ofrohemi e i pranojmë krejt lehtë, e nuk protestojmë fare për riciklimet mediatike, për shfaqjet e neveritshme të servilizmit të hapur e nuk na bën përshtypje për personazhe të përditshëm moralizues e opinionbërës me rekorde të dyshimta përfitimi. Sepse jemi të gjithë, ku më pak e ku më shumë të infektuar me virusin “secili për vete, n’dreq të shkojë ai tjetri”. Nuk është krejt e vonë kjo sjellje. I kemi të nakatosur të gjitha figurat tona. E nuk mundemi t’i nxjerrim dot në dritë, a t’i lemë në hije, madje më keq, sipas interesit ata të dritës i fusim hijeve, e të hijeve i ndriçojmë. Me tradhëtarë që bëhen heronj, e heronj që zbulohen si tradhëtarë. Po njësoj sot, ditën për diell, e natën në dritat led: Nga kangjellat e drejtësisë hop në kolltukun e mendimtarit, nga përçmimi i shoqërisë në rrëfime mallëngjyese vetjake, nga neveri e publikut në mendimdhënës. Etj, etj, etj. Ndërsa unë flas për pasvdekjen! Ne tashmë u bëjmë pastrimin maskarenjve që në gjallje. 

  • Më shumë protestohet për një qen të vrarë në rrugë se një fëmijë masakruar në Gaza

    Bota ka arritur në këtë pikë. Madje e ka tejkaluar mosndjeshmërinë. Në emër të aleancave, inateve, historisë, mbetjeve kolonialiste e vendimeve të pakorrigjuara mirë prej dhjetëra vitesh, arrogancës e kokëfortësisë së shumë palëve, indiferencës së palëve të tjera, skemave e jointeresit direkt, fëmijë të vrarë, të plagosur, të djegur, gra të shqyera nga bombat e plumbat, shihen live, e maksimumi i reagimit botëror është analiza mediatike me grafikë dhe me numrator. Ndoshta dhe po presin që shifra të barazohet me zero. Por e sigurtë është që një fëmijë ukrainas nuk është i barabartë me një fëmijë të Gazës. Le mos ta imagjinojmë sikur të ishin pesë apo dhjetë fëmijë perëndimorë! 

    Nuk ka asnjë justifikim moral për Gazën! 

    Nuk ka asnjë hakmarrje dhe mbrojtje që 60 përqind të viktimave i ka gra dhe fëmijë! 

    Nuk ka justifikim për këtë ndëshkim kolektiv! 

    Nuk ka asnjë të drejtë ndërkombëtare që justifikon bllokimin vrasës për ndihmë të Gazës! 

    Është budallëk të përpiqesh të gjesh zgjidhje bazuar në histori në këtë rast, qoftë edhe në historinë e tetorit! 

    Bota është bërë kaq e çuditshme, lotë që derdhen rrëke për vrasjen e një qeni dhe asnjë ndjeshmëri pothuaj për një fëmijë në Rafah. E nga ana tjetër, si Izraeli dhe Hamasi po luajnë me jetët si me gogla: Njëra palë duke e çuar në ekstrem hakmarrjen duke pretenduar “fitoren përfundimtare”, që gjithsesi është pothuaj e paarritshme ndaj një populli që nuk dorëzohet, vetëm me shuarje, dhe tjetra duke përdorur fëmijët dhe gratë e gjakut të vete si mish për top, teksa shpreson se një ditë presioni ndërkombëtar do të rritet e do të përkrahë projektin e tyre politik, që gjithsesi mbështetet gjithnjë e më pak edhe nga vendet arabe…Ndërkohë fëmijët vazhdojnë e vriten…

  • Kur dhe si kalbet pushteti?

    E kemi kollaj ta matim kohën që i duhet ujit të mbushur në burimin më të pastër për t’u qelbur; nga 3-7 ditë. Por si të matim kohën e njeriut që “qelbet” në pushtet? Nuk janë më shumë se 3-6 muaj, koha e “qelbjes” në pushtet në një vend me mungesë kontrolli dhe llogaridhënie. Pra brenda 100 ditëve të para dhe maksimumi në 200 ditë pushtet, nisin të ndihen më pak të ndikuar nga mendimi i të tjerëve, mësohen me privilegjet dhe i quajnë të merituara e të padorëzueshme, humbasin empatinë që e tregonin pa hesap më parë. “Paradoksi i pushtetit” i Dacher Keltner, ku njerëzit e mirë që ngjiten, nisin e ndryshojnë, e shpjegon jo keq. Shumë liderë, apo drejtues të lartë institucionesh, vijnë me premtime të mëdha e të bujshme, por brenda pak ditësh, javësh, e ndonjëherë në raste “të mira” muajsh, nisin shenjat e arrogancës, autokracisë, kapjes së institucionit dhe moslëshimit deri në zbythje nga një më lartë. 

    Si të kalb pushteti

    Maksimumi, maksimumi, brenda 6 muajsh, nëse nuk ka kontroll serioz institucional, dhe transparencë, nisin erërat e rënda të nepotizmit, interesave personale, interesave ekonomike, zhvendosjes nga parimet, arriganca dhe mendjemadhësia. Natyrshëm era nuk ndihet shpejt sepse parfumi propagandistik ushqehet po aq fort sa korrupsioni moral e material. Nëse thjesht e mendon, simptomat e kalbëzimit politik janë kaq të dukshme ngado të kthehesh: Vetëmburrja kthehet në sistem shtetëror, kritika përbuzet, institucionet kapen me “të besuar”, fjala publike shumëzohet me 0, promovohet servilizmi dhe çdinjitetëzimi për karierrë. Mos më thoni që nuk keni takuar të paktën një herë në jetën tuaj, një injorant në kultimin e parë të fjalës që pas gjashtë muajsh në pozitë, ju flet juve si zbuluesi i teorisë së relativitetit…të pushtetit. Dhe ju, jeni detyruar ta dëgjoni! Ja kjo është qelbja! 

    Kur qelbet fare? 

    Pra kur dekompozohet, që as e nuhat dot? Kur fillon të besojë se “ai” është shteti, se pa “atë” gjithçka do marrë fund si në kohën e dinosaurëve, se ikja e tij do të jetë njësoj me kataklizëm dhe s’ka Noe ta shpëtojë. Është ajo koha kur pushtetari nuk ka më turp pse nuk i shërben njerëzve, por përkundrazi është i vetkënaqur si sundues, si gjithçkabërës si do vetë pa pyetur njeri, ose thjesht duke iu servilosur “komandantit” sipas rastit. Ky është dekompozimi total që nuk është më i rrezikshëm për ata, por përkundrazi vendin. Ndryshimi i fytyrës nga shërbyes i popullit, në pashanë e popullit, do pak muaj; ndryshimi i pasojave që lënë këta spahinj, kajmekamë e pashallarë. 

    A është populli dashnor i diktaturës?

    Zgjedhjet e fundit, ku fare pak nuk u rreshtuan pas njërit, apo tjetrit “diktator” prej 26 apo 34 vjetësh, nuk tregojnë këtë. Më shumë tregojnë pasiguri, lodhje, e dëshirë për “qetësi”, pavrësisht se ajo është shtypje. Për liri nuk bëhet fjalë, sepse pavarësisht se tingëllon bukur, është e lodhshme, jo duhet të mbash qëndrime, jo parime, jo duhet të flasësh, jo duhet ndonjë sakrificë e vogël, jo përgjegjësi, jo zhgënjime pas zhgënjimesh nga njerëzit e nga pritshmëritë. E lëmë lirinë mënjanë, sepse ne teorikisht nuk e kemi pasur ndonjëherë. 

    Si lidhet “i qelburi” me qytetarin? 

    Krejt thjeshtë, madje krejt lirë. Parimet, idetë, janë hedhur diku në ndonjë kosh, çfarë mbizotëron është: “a fitoj gjë unë, a më jep gjë”. Jo shumë, një vend pune, një leje ndërtimi, një ndihmë ekonomike, një tender, një shuk me euro, një legalizim, një premtim, një projekt…dhe ja ku “i qelburi” i djeshëm edhe në gojën tënde, sot bëhet “burrë i mirë” që të ndihmon. Ky është korrupsioni moral, shumë i frikshëm se ai financiar, sepse ky moleps gjithë popullsinë, jo vetëm pushtetin, dhe pastaj popullsia ndihet në detyrim ndaj pushtetit. 

    Kemi lindur servilë dhe të pazë?!

    Nuk besoj. Nuk besoj se një popull lind i tillë. Por mund të edukohet si i tillë. Breza të tërë që për shekuj janë mësuar ta ngrenë kokën lartë të dëgjojnë se ç’thotë udhëheqësi, dhe ta ndjekin edhe në humnerë, apo të ulin kokën e të skuqin duart nga duartrokitjet kur udhëheqësit u flasin, apo të presin poshtë ballkonit të udhëheqësit mos u hedh një copë ushqim,  nuk e përcjellin perceptimin e lirisë si të drejtë, por si rrezik. Le t’i shtojmë pak kësaj edhe sjelljen “kombëtariste” e rajonale të shpëtimtarit të madh dhe klonëve të tij shpërndarë kudo, që përsërisin deri në mërzi se “ay” është mbrojtësi i kombit, “ay” bëri mrekullira, “ay” vendosi rregull e bëri shtet, e njerëzit të trembur se mos kush e di ndodh ndonjë hata, mblidhen mes tyre duke pëshpëritur “të paktën ka rregull, se mbani mend si ishte dikur”. Ky është dorëzimi i lirisë. Por ashtu siç populli mësohet me diktaturë e diktatorë realë, apo kopje, të vegjël a të mëdhenj, po ashtu mund të mësohet edhe të mos i pranojë më. Duke nisur nga klonët në periferi. Do kohë, do guxim, do vetëdije, do dhe ndonjë vrimë të vogël në murin e frikës, për të hyrë sadopak dritë. 

  • Rregullorja “Macron” për shuplakën në publik

    1. Nëse një burrë ngre dorën ndaj një gruaje, është dhunë e patolerueshme. Nëse një grua ngre dorën ndaj një burri, është një shaka e pafajshme mes çiftit.
    2. Kur një burrë goditet nga një grua, ai duhet të buzëqeshë dhe të pranojë me humor. Çdo gjë është ok.
    3. Nëse një burrë ankohet për një shuplakë, ai është i dobët. Nëse nuk ankohet, ai është i pandjeshëm.
    4. Kur një burrë goditet në publik, është një moment argëtues për të gjithë. Kur një grua goditet në publik, është një krizë kombëtare.
    5. Nëse një burrë refuzon të pranojë një shuplakë si shaka, sidomos duke zbritur nga avioni, ai nuk ka sens humori.
    6. Nëse një burrë goditet nga gruaja e tij, është një shenjë e dashurisë së tyre të thellë. Duhet ta provoni dhe ju.
    7. Nëse një burrë ngre dorën ndaj një gruaje, është një akt i neveritshëm. Nëse një grua ngre dorën ndaj një burri, është një moment i fuqizimit femëror.
    8. Kur një burrë tregon shenja të dhunës, ai është një rrezik për shoqërinë. Kur një grua tregon shenja të dhunës, ajo është e guximshme. Ndonjëherë edhe edukuese.
    9. Nëse një burrë kërkon ndihmë pas një incidenti të tillë, ai duhet të rishikojë burrërinë e tij.
    10. Në çdo rast, burrat duhet të jenë të fortë, të heshtur, të respektojnë moshën dhe të pranojnë gjithçka me dinjitet. Sidomos kur “leksioni” vjen në formën e edukimit mësimor.
  • Duke analizuar Barberon

    A po shkojmë drejt “1914” të shekullit XXI?

    Kur historia flet dhe nuk dëgjohet, do të ulërasë në të njëjtat plagë

    Alessandro Barbero, është një mjeshtër i narrativës historike, jo i zakontë, hulumtues mikroskopik i detajeve, ironik. E ka kthyer rrëfimin e historisë në një art dhe veten në një “pop star”. Por është po aq tragjik, paralajmërues, dhe hidhësisht i vërtetë kur jep të dhënat, ngjashmëritë e frikën mes epokave, duke qenë pothuaj përfaqësuesi i postulatit “historia përsëritet”. Të njëjtën gjë bëri ai rreth dy vjet më parë në një manifestim kundër riarmatimit, kur ngjarjet dhe realitetin e para Luftës se Parë Botërore i krahasoi me ngjarjet dhe realitetin e sotëm. Le ta detyrojmë pak trurin të stërvitet duke mbivendosur këto ngjashmëri të frikshme.

    1. Barbero foli për kohët e gjata të paqes në Europë. Si atëherë para 1914, si sot prej 1945, fuqitë e mëdha prej dekadash nuk luftonin mes tyre. Sigurisht Ballkani bënte përjashtim, sepse ai nuk e njihte paqen. Ndoshta është krijuar iluzioni i sigurisë dhe ideja se shtetet e fuqishme nuk do të përplasen kurrë mes tyre, duke i shkarkuar tensionet diku në Afrikë, por Ukraina, tensionet SHBA-Kinë mbi Taivanin, Deti i Kinës Jugore, e zerojnë iluzionin.
    2. Barbero foli, dhe ai u referohet gjithmonë fakteve, për helmimin e trurit nga diskursi publik dhe letërsia u quajt “letërsia e luftës së ardhshme”. Me dhjetëra e qindra libra: Si do të sulmohet vendi ynë; Si të mbrohemi. Anglia kryesonte renditjen me libra si do të sulmohej Anglia nga Franca, pastaj nga Rusia dhe më së shumti nga Gjermania. Ideja e luftës së pashmangshme tashmë po zë vend fort edhe në këto kohë, kur që prej 2014 media, think-tank-et, analizat gjeopolitike, ekspertët me ekspertizë, apo jo, rrjetet sociale janë të mbushura me narrativa, video, numërim ushtrish, apo përplasje epokale mes demokracisë dhe autokracisë, Perëndimit dhe Lindjes, SHBA dhe Kinës, SHBA dhs Rusisë. Njësoj si dikur që na thotë Barbero, publiku është i intoksikuar me frikë, dhe kërkesë për mbrojtje e siguri.
    3. Barbero foli për frikën e fuqive të mëdha nga fuqia fqinjë. Për Gjermaninë që ndihej e frikësuar nga flota angleze e për Francën e trembur nga këmbësoria gjermane. Vendet dukeshin të dobëta dhe kërkonin aleanca. Të tjerë fuqi këto aleanca i shihnin si rrethime. Ikim nga fotografia bardhë e zi e para 1914 dhe vijmë në fotografinë dixhitale të epokës sonë. A nuk e sheh Rusia aleancën e NATO si rrethim? A nuk pretendon Kina se perëndimi kërkon ta mposhtë? A nuk thërret SHBA se po kërcënohet? Pra “po na rrethojnë” është qëndrimi i çdo fuqie të madhe në botën e sotme dhe secila, ashtu si dikur si na e shpjegon Barbero kërkon mbrojtje, sigurisht mbrojtje dominuese jo thjesht brenda oborrit.
    4. Barbero foli për aleancat që krijojnë efekte të papritura si Rusi-Francë 1894, apo Angli-Francë 1904. Sepse një Gjermani e mbetur jashtë këtyre aleancave pyet veten: Po këta e paskan me mua! Pra aleancat nisen për siguri, dhe ndjellin frikë. Ja ku vijmë në epokën tonë, ku NATO shtyn kufijtë e saj në Lindje, Kina forcon marrëveshjet me Rusinë dhe Iranin, BRICS kërkon një rend alternativ, vendet afrikane duan edhe ato revansh. Rreziku është njësoj si dikur: Një shkëndijë e vogël mund t’i përfshijë zinxhir aleancat në luftë dhe Franc Ferdinandi i dikurshëm të jetë Ukraina, Tajvani, Gaza.
    5. Barbero foli për riamartimin e atëhershëm, shtetet nuk ndaleshin. U arrit deri në 50 përqind e buxhetit të çdo shteti të shkonte për armatim. Cili shtet sot nuk po riarmatoset? Edhe Gjermania, që për 80 vjet ishte në letargji, u zgjua, si ai ariu që nuk dihet ku do sulmojë e çfarë do kafshojë. Po SHBA, Kina, Rusia, Franca, Anglia e të tjerë me rradhë, çfarë po bëjnë? Të gjithë duke shtuar arsenalet ushtarake. Sistemet raketore që instalohen kudo, ushtritë që rriten në numra, mjetet motorike në tokë, det e ajër që prodhohen me shpejtësi, financohen në emër të mbrojtjes nga njëra anë, por perceptohen si kërcënuese nga ana tjetër. Spiralja e paranojës ka kohë që ka filluar.
    6. Barbero foli për militarizimin e kulturës publike. Kur romanet e luftës, u zëvendësuan nga udhëzuesit e luftës, shkruar nga gjeneralë. Si gjenerali gjerman fon Bernardi në 1911 me librin “Gjermania dhe lufta e ardhshme” me kapituj si: E drejta për të bërë luftë, Detyra për të bërë luftën, apo të dominosh botën ose të biesh. Barbero nuk e përmend, por Bernardi ka dhe një kapitull me titullin “Lufta si nevojë biologjike”. Deri sa vihet në deklarata si ajo e komandantit të ushtrisë gjermane fon Moldke që në fillim të 1914 deklaron: Tani jemi gati dhe sa më parë, aq më mirë. E kishte fjalën për nisjen e luftës. E përshpejtojmë kohën nga fillimi i shekullit XX në fillimin e shekullit XXI. Në vend të literaturës civile, mbizotëron strategjia për dominimin ushtarak në yotube, tik-tok, e facebook, podcastet janë të mbushuara me analiza luftërash dhe cili shtet del fitimtar, videolojërat kanë kaluar nga WW2 në luftën SHBA-Kinë, memet bëhen për raketa, ushtarë, tanke e armatime, evokohen trimëritë e ushtarëve në luftërat botërore. Nuk është gjë tjetër kjo e sotmja, veçse përgatitje në mënyrë të zbutur e mentalitetit të njerëzve për luftën. E për ta kompletuar ngjashmërinë e frikshme të kësaj fotoje dixhitale me bardh e ziun e 110 viteve më parë: deklaratat e ushtarakëve më të lartë të fuqive dhe aleancave që nga sekretari i përgjjthshëm i NATO, nuk u lënë gjë mangut atyre të gjeneralëve me fon, apo kolonelëve me sir.
    7. Barbero flet për frikën si motiv për sulm. Gjermania kur e ndjeu se po humbte epërsinë, nisi të konsiderojë luftën si zgjidhje. Brrr, çfarë ngjashmërie me analizat që flasin për një veprim përpara 2027, i njohur si viti i Tajvanit. Por nuk mbetet vetëm këtu, vetëm me shikimin e vëngërt amerikan për ngjitjen e Kinës. Analizat sekrete që si “rastësisht” zbulohen nga mediat për një luftë brenda pesë viteve të ardhshme, deklaratat pastaj hapur nga ish-ushtarakë të lartë, apo të tjerë që mendojnë se jemi shumë pranë saj, e bëjnë gjithë situatën po aq tragjike sa ç’përshkruan Barbero para 1914, e që e dimë tashmë se çfarë solli më pas. Shtoji kësaj armatimet aktuale…E dikush, apo disa do të duan të ruajnë epërsinë, dhe armët janë mjeti i fuqive që shohin se po bien.
    8. Barbero nuk është fatalist, megjithë pesimizmin, që nuk e fsheh dot pas një “poker face”. Ai thotë nuk jemi njësoj si atëherë, ka më shumë institucione, jemi më të kulturuar, ka më shumë ndikim ekonomia dhe lidhjet mes vendeve janë më të ngushta. Vetëm se, politika, ushtria dhe opinioni publik po operon prej kohësh me mentalitetin e para 1914…dhe frika e shpresa mbetet që ne në këtë epokë, siç thotë profesori Barbero, mos t’u ngjajmë shumë atyre të epokës së para 110 viteve, që i parapriu vetvrasjes së Europës në 1914.
      “Lufta” është kthyer në një fjalë ordinere, mund ta thotë kushdo, ta parashikojë kushdo, ta tallë kushdo, e të trembet kushdo. Flitet për mbrojtje atomike, prodhime tankesh, shtim ushtarësh, drone, sisteme antiraketë, sisteme hapsinore, raketa interkontinentale, nëndetëse, aeroplanmbajtëse, bëhen krahasime armatimesh e ushtrish mes shtetesh, simulohen sulme dhe kundërsulme bërthamore…deri tek numërimi i të vrarëve dhe të mbijetuarve. Bota ndoshta nuk është çmendur. Bota ndoshta ndodhet në një epokë që kush e di si do e rrëfejnë ata të tjerët 100, apo 200 vjet më pas…apo 500 vjet më pas.
  • Si e lashë dashnoren më të ndyrë!Miku im! Mos ja bëj qejfin! Lere edhe ti!

    Sot u bënë plot 11 vjet që u ndava prej saj. Nuk ndeza qiri për ta kujtuar. Nuk u ula askund për tu zhytur në nostalgji. Lot, as që bëhej fjalë. Madje, tani që e mendoj, as e kisha hiç në mendje, as e ndjeja në gjoks mallin, e as dikund tjetër. Por sytë më tradhëtuan.

    Teksa panë një palë buzë që e puthnin, thithnin, ndjenin, kënaqeshin njësoj si unë dikur. Teksa shihja qepallat gjysëmmbyllur nga kënaqësia, mendova trishtueshëm: Paska rënë edhe ky në dashuri me shtrigën! Nuk e përçmova! E di, e di mirë, ajo dashuri është e verbër. Sytë të hapen vetëm pasi ndahesh. Por kjo është kaq e vështirë! E di dhe këtë! Sidomos me një dashnore që e gjen kudo, kurdo, ngado, në mëngjes, në drekë e në darkë, në divan, në tavolinë, në karrige e në krevat, në xhep, në çantë, në dasëm, në varreza, në kafe e në raki.

    Cigarja! Kështu quhet! Dhe unë kam qenë “legjendë”, me katër paketa në ditë, ndonjëherë edhe më shumë. E lija çdo natë, kur mushkëritë më përvëlonin, koka më plaste, goja erëmbante më keq se qenefi, rrobat shpërndanin aromë a thua i kishin mbajtur derrat në një ballo mbi plehra…dhe e nisja sërish në mëngjes, duke e shtyrë lënien për darkën e rradhës…

    Unë nuk isha ndarë kurrë prej saj, që në adoleshencë, kur volla për herë të parë pasi e provova. Më duhej një shoqe meditimi, ajo aty, më duhej të mbysja një ndjenjë, ajo e gatshme, më duhej frymëzim, ajo thoshte “po” e para…Ishte dashuri e fortë, sidomos kur zgjaste ndonjëherë nga mëngjesi në mëngjes. Ishte dashuri pa kushte.

    Ajo nuk më detyronte. Ajo nuk fyhej kurrë; as kur e shaja bashkë me shokë të tjerë duke e sjellë nëpër duar, as kur e hidhja në ndonjë rrjedhë uji, as kur e shkelja me këmbë, madje as kur e shpërdoroja duke e përdorur. Si duket ajo qeshte dhe tundte kokën verdhacuke (apo bardhoshe sipas rastit) sikur të thoshte: Do ta shohim!

    Dhe e pamë! Unë e pashë! Mushkëria ime e pa! Koka ime! Zemra ime e pa më mirë! Dhe 11 vjet më parë më dhanë ultimatumin e fundit: O me ne, o me dashnoren tënde të ndyrë! Vendos! Një ultimatum që erdhi me mjekë, me ambulanca, me frikë…Dhe unë vendosa të iki, jo nga jeta, nga dashnorja.

    Nuk e ndeza më kurrë cigaren. Zemra ime vetëm më falënderon. Nuk e thitha më kurrë tymin duke i çuar të fala mushkërive dhe dhimbjes së kokës. Po, edhe me shokët e miqtë, u bëra ndonjëherë grindavec, për cigaret dhe tymin…unë që grindesha pse kishte tym duhani hahahahha, dukej si shenjë apokalipsi. Por ishte bukur. Është bukur.

    Ndaj miku im, kushdo qofsh, mos mendo se “gjyshi im vajti 90 vjeç duke pirë cigare”, apo “unë pi vetëm të zgjedhura”, apo “kush e di ça problemesh kishte ky, unë kam zemër çeliku dhe mushkëritë më dolën të bardha”…ashtu mendoja dhe unë, madje dhe ca më shumë.

    Është dashnorja më e keqe, lere! Vetëm të rrjep dhe s’të jep asgjë, lere! Të puth, për të të vrarë, lere! Lere miku im, lere ti i pari, sepse po të la ajo…mund të jetë vonë! Mos dëgjo askënd që të thotë “nuk ia del dot”. Unë kam qenë plotësisht i varur prej saj, dhe jam sot i lirë!

    Sado më fton, më josh e më lutet në atë mëngjesin me kafe, në atë pasdrekën e shijshme, në mbrëmjet kadife, në atë tryezën me bisedë të këndshme, në atë tavolinën e lojës, në mendimet e mia më të thella dhe haluçinante, në mërzitjet më të mëdha, a gëzimet më të papërmbajtura…veç e tall, dhe e përbuz. Nuk ndjehem më i gjallë, duke u vetshkatërruar pa e ditur.

    E kujtoj në fakt, njëherë në javë, apo dy javë me ndonjë puro, të cilën e shijoj si një simbol të një jete të dytë të dhuruar e që unë e kontrolloj për të mos e hedhur më poshtë të paktën për një dashnore të ndyrë, erëqelbur, tinzare e të pabesë. Miku im i panjohur! Merre jetën në dorën tënde! Mund të mendosh edhe pa cigare, mund të krijosh pa cigare, mund të jesh burrë pa cigare, mund të shesësh pordhë pa cigare!
    Lere!

  • Çfarë nuk bëri PD? 

    Se çfarë do të bënte PS para dhe gjatë votimeve shumëkush e dinte. Kur Rama nënshkroi memorandumin 2 në Kuç, gjërat u qartësuan krejt, patronazhimi total i kishte dhënë shifrat finale: vota të sigurta, të lëkundura, kundër. Dihej që shteti teksa përdorte krejt hapur fuqinë dhe paratë publike si bonuse pensionesh, falje gjobash, premtime legalizimesh, erj, pavarësisht ndalimit nga ligji, në mënyrë më të fshehtë mund të përdorte gjithçka tjetër, brenda-në kufij-a përtej ligjit. E përballë këtij organizimi legjionar, çfarë nuk bëri PD? 

    1.    Përballë sistemit paraelektoral të patronazhimit, nuk krijoi sistemin e saj patronazhues, jo si ofertë sepse s’ka çfarë oferton, por si denoncues në pallat, lagje, qytet, rrjete sociale. Vetëm kjo mënyrë mund të fashitte punën fantastike, por në kufijtë e kapërcimit të ligjit, nga patronazhistët. Një sistem patronazhimi për patronazhuesit. 

    2.    Mbrojtja e çdo vote të kërcënuar apo ofruar me vend pune, ndihmë sociale, shërbim shteti. E një sistem intimidimi për punën e drejtorëve në çdo qark mund të ishte e vetmja zgjidhje reale. Vetëm nëse PD është e verbuar të mos kuptojë se drejtorët në këtë sistem zgjedhor janë “tribunus militium”. 

    3.    PD ishte krejt spontane, madje edhe “provat” që tregon tash e parë, dhe që “po i grumbullon për t’ia paraqitur botës”, janë edhe si shprehje, njësoj si zgjedhjet e kaluara. Nuk ka mësuar asgjë nga dështimet. Nuk krijoi një sistem vëzhgimi-monitorimi-dokumentimi-denoncimi, në krejt Shqipërinë, mundësisht dhe diasporë. 

    4.    PD nuk kishte një databazë të njerëzve qejmbetur me PS, të të mërziturve, të kundërshtarëve, e ndoshta edhe të votuesve të sigurtë e të lëkundur të saj. 

    5.    PD nuk kishte idenë si mund të përfitonte nga kodi zgjedhor, megjithëse ishte bashkëfirmëtare. 

    6.    PD nuk ishte gati për të ndikuar pozitivisht në votën e diasporës. Madje nuk ishte gati as për ta bërë të sigurtë atë e të paprekshme, qoftë edhe nga dyshimi. 

    7.    PD nuk kishte një “fond” premtimesh serioze. Të premtosh rritje pensionesh, kur kundërshtari ofron bonuse, dhe pensionisti është më afër vezës sot se pulës mot, i bie të mos përpiqesh të luftosh “të keqen”, por t’i bësh fresk. 

    8.    PD nuk tregoi një strategji se si do e çlironte shtetin nga pushteti i PS, pra si do e zhbënte kapjen e gjithë sistemit nga partia. Teoria të iki ai, se ne jemi më mirë, ka kohë që s’pi më ujë me njerëzit që nuk duan të rrezikojnë në baste politike pa siguri. 

    9.    PD nuk tregoi një qeveri që ajo mendonte të drejtonte vendin pas zgjedhjeve, apo së paku disa emra. Njerëzit u ftuan të votonin për emrin e kryeministrit, i cili ishte po i njëjti që votojnë prej 34 vitesh dhe që e kanë bërë 2 herë kryeministër. 

    10.                  PD nuk bëri aleanca të reja, hapje të reja, rekrutime emrash, figurash, ligjëruesish, etj. Nuk kishte tharm në fushatën e saj, as frymë. PD nuk arriti të krijojë ndjesinë se populli mezi po pret ndryshimin. 

    11.                  PD nuk mbrojti votën. Nëse pretendon se u vodh, dmth nuk e ke mbrojtur. Nëse pretendon se nuk je policia, drejtësia, apo prokuroria, por ama thua që shteti është i gjithë i kapur, duhet të kishe ndërtuar struktura të posaçme parazgjedhore. Nëse pranon se nuk je në demokraci para zgjedhjeve, nuk mund të pretendosh “demokraci” pas zgjedhjeve. Po pranove të luftosh me gjithë sistemin e kapur, duhet të përgatitesh, sepse e di mirë se si funksionon. Ose gjej mënyra të tjera. Sigurisht hajduti që vjedh lopën, ka fajin kryesor, por nëse vazhdojmë me “humorin e Canes” edhe të flesh gjumë, të mos kesh qen, e ta lësh derën hapur, kompletojnë panoramën. Minimumi vjedhja, manipulimi, duhet vërtetuar përtej paragrafit të “nderkombëtarëve” kishte disa partegullsi. 

    12.                  PD nuk pati një strategji marketingu politik që të përballej me maxhorancën. Kandidatë krejt të panjohur, bullizonin publikisht drejtuesit e saj politikë në qarqe, e PD nuk mund të reagonte. PD nuk shfrytëzoi vendimin e PS për të mos dalë në debate. PD nuk pati shtrirje kapilare në rrjete sociale, as me influencerë, as me emra të njohur. PD reklamoi një strategjist amerikan zgjedhjesh, puna e të cilit u kufizua tek një kapele. PD nuk pati asnjë risi në komunikimin publik të zgjedhjeve. 

    13.                  PD nuk arriti të krijojë qoftë edhe një batutë përgjatë fushatës e cila të mbetej. Apo premtim. Apo thjesht nje shprehje. PD nuk pati një simbol gjatë zgjedhjeve. Madje nuk kishte as ndonjë narrativë mbreselënëse në shumicë. 

    14.                  PD nuk ishte e bindur se do të vinte në pushtet me kryetarin që ka. Madje nuk është e bindur se kjo do të ndodhë në 2029, apo në 2033 me të njëjtin ekip. PD nuk e di se cila dhe si do të jetë e ardhmja e saj. Nuk një plan, një strategji, një manual veprimi. 

    Në fund: PD nuk kishte bërë asnjë përgatitje serioze për të përballuar zgjedhjet dhe PS me gjithë potencialin e saj shtetëror dhe pushtetor. PD ishte në dijeni që përballë ka një makineri që merr me çdo mjet çdo votë të mundshme, dhe mbron me fanatizëm kërcënues çdo votë të paguar me para publike (rroga, pensione, ndihmë sociale, legalizim, leje, tender), megjithatë u mjaftua thjesht dhe vetëm në punën e pak njerëzve, në perceptimin e rrjeteve sociale, në mendimin se të gjithë janë mërzitur me pushtetin. Duke lënë mënjanë dyshimin më të madh që po duan ta injektojnë dhe që ka ndonjë bazë; PD (lideri) nuk donte të fitonte zgjedhjet. 

  • Manual: Si të bëhesh idiot funksional në rrjet në 12 hapa të thjeshtë

    1. Mos lexo më shumë se titulli, pastaj komento: Ky autori duket qartë që është paguar.
    2. Mos e hap artikullin, të lexosh lodhet truri, të komentosh dukesh si Kanti.
    3. Nëse autori shkruan më shumë se një paragraf, komenti rutinë është: E kujt i duhen këto, populli do bukë.
    4. Komenti që të dukesh sa më i afërt me thjeshtësinë duhet të fillojë: Nuk jam ekspert i çështjes, por…dhe jep mendimin tënd të pavarur për ekonominë, luftën, sportin, Tokën e sheshtë, vaksinat, historinë, psikologjinë e Kanunit dhe origjinën e Skënderbeut.
    5. Nëse lexon fjalët “ligjërim”, apo “narrativë” akuzoje autorin menjëherë për përdhunim të gjuhës së pastër shqipe duke përdorur fjalë të huaja për t’u dukur më i zgjuar.
    6. Mos harro ta fyesh autorin personalisht. Shprehja që shkon më shumë dhe që përshtatet me situatën sepse ti vetë nuk ke as fytyrë as emër është: Duket nga surrati prandaj shkruan kështu.
    7. Nëse në ndonjë fjali preket idhulli yt reagimi duhet të jetë i menjëhershëm, i fortë dhe pa mëdyshje: Ky është sufllaqexhiu i rradhës, ose: Ky është zhabë kënete.
    8. Mos harro pa përmendur, që ti nuk lexon se s’kanë ç’të duhen këto budallalleqe, ti ke zgjuarsi natyrore.
    9. Megjjthëse nuk e lexon, shan dhe fyen, shpërndaje artikullin me mbishkrimin: Lexojeni se çfarë thotë ky injoranti.
    10. Nëse për një arsye, apo tjetër ke lexuar dy paragrafë nga pesë që ka artikulli, fshikulloje autorin: Këta kujtojnë se çoç thonë, po nuk ia hedhin dot popullit të thjeshtë që është më i mençur.
    11. Nëse arrin për fatin tënd të madh të tërheqësh ndonjë reagim pas komenteve të para, mos harro pyetjen shpatë për autorin edhe sikur shkrimi të ketë titull për Hënën, apo për Pitagorën: Po ti çfarë ke bërë për vendin tënd?
    12. Dhe në fund mos hezito të pranosh që nuk ke lexuar kurrë libra dhe kjo të ka bërë ky që je, që askush nuk të mbush dot mendjen kollaj.

    Ti mund të jesh thjesht idiot dhe kjo është keq nëse nuk e vë në përdorim, ndaj fillo zbato këtë manual në gjithë shkrimet që lexon, autorët, gazetarët, dhe shumë shpejt do të shndërrohesh në një idiot funksional dhe në rrjetet sociale kjo është mëse e mjaftueshme për të pasur zë, ndjekës, ndikim e më vonë ndoshta edhe pushtet.

  • Rama shpalli se Shqipëria i përket Perëndimit

    Le ti pranojmë nja dy gjëra, pavarësisht se nuk e duam Ramën:

    Refuzimi publik që i bëri kryeministrit anglez, në takimin e parë historik, kur ai u soll pothuaj si me një vend kolonial (a kishin rënë dakort paraprakisht për çfarë do thoshte?!), është për t’u vlerësuar. Të tjerë kryeministra nuk do e bënin, sipas historisë.

    Krerët e Evropës që janë mbledhur në Tiranë, nuk kanë ardhur me siguri për “bukuritë e pakrahasueshme” të vendit tonë, janë pothuaj lobim i plotë i Ramës.

    Për keq, apo për mirë, Rama bëri një shpallje publike që prek një nga miqësitë dikur të forta të tij dhe vendit, Turqinë; ajo tashmë hyn tek dashuritë e shumta shqiptare, por e vetmja martesë është Italia.

    Rama ka bërë atë kalimin e madh; Shqipëria gjithmonë ka pasur një shalë në lindje, një në perëndim, Rama shpalli se Shqipëria tashmë i përket vetëm perëndimit. Si do sillet Erdogan?!