Edmond Arizaj

Etiketë: blog

  • Kur dhe si kalbet pushteti?

    E kemi kollaj ta matim kohën që i duhet ujit të mbushur në burimin më të pastër për t’u qelbur; nga 3-7 ditë. Por si të matim kohën e njeriut që “qelbet” në pushtet? Nuk janë më shumë se 3-6 muaj, koha e “qelbjes” në pushtet në një vend me mungesë kontrolli dhe llogaridhënie. Pra brenda 100 ditëve të para dhe maksimumi në 200 ditë pushtet, nisin të ndihen më pak të ndikuar nga mendimi i të tjerëve, mësohen me privilegjet dhe i quajnë të merituara e të padorëzueshme, humbasin empatinë që e tregonin pa hesap më parë. “Paradoksi i pushtetit” i Dacher Keltner, ku njerëzit e mirë që ngjiten, nisin e ndryshojnë, e shpjegon jo keq. Shumë liderë, apo drejtues të lartë institucionesh, vijnë me premtime të mëdha e të bujshme, por brenda pak ditësh, javësh, e ndonjëherë në raste “të mira” muajsh, nisin shenjat e arrogancës, autokracisë, kapjes së institucionit dhe moslëshimit deri në zbythje nga një më lartë. 

    Si të kalb pushteti

    Maksimumi, maksimumi, brenda 6 muajsh, nëse nuk ka kontroll serioz institucional, dhe transparencë, nisin erërat e rënda të nepotizmit, interesave personale, interesave ekonomike, zhvendosjes nga parimet, arriganca dhe mendjemadhësia. Natyrshëm era nuk ndihet shpejt sepse parfumi propagandistik ushqehet po aq fort sa korrupsioni moral e material. Nëse thjesht e mendon, simptomat e kalbëzimit politik janë kaq të dukshme ngado të kthehesh: Vetëmburrja kthehet në sistem shtetëror, kritika përbuzet, institucionet kapen me “të besuar”, fjala publike shumëzohet me 0, promovohet servilizmi dhe çdinjitetëzimi për karierrë. Mos më thoni që nuk keni takuar të paktën një herë në jetën tuaj, një injorant në kultimin e parë të fjalës që pas gjashtë muajsh në pozitë, ju flet juve si zbuluesi i teorisë së relativitetit…të pushtetit. Dhe ju, jeni detyruar ta dëgjoni! Ja kjo është qelbja! 

    Kur qelbet fare? 

    Pra kur dekompozohet, që as e nuhat dot? Kur fillon të besojë se “ai” është shteti, se pa “atë” gjithçka do marrë fund si në kohën e dinosaurëve, se ikja e tij do të jetë njësoj me kataklizëm dhe s’ka Noe ta shpëtojë. Është ajo koha kur pushtetari nuk ka më turp pse nuk i shërben njerëzve, por përkundrazi është i vetkënaqur si sundues, si gjithçkabërës si do vetë pa pyetur njeri, ose thjesht duke iu servilosur “komandantit” sipas rastit. Ky është dekompozimi total që nuk është më i rrezikshëm për ata, por përkundrazi vendin. Ndryshimi i fytyrës nga shërbyes i popullit, në pashanë e popullit, do pak muaj; ndryshimi i pasojave që lënë këta spahinj, kajmekamë e pashallarë. 

    A është populli dashnor i diktaturës?

    Zgjedhjet e fundit, ku fare pak nuk u rreshtuan pas njërit, apo tjetrit “diktator” prej 26 apo 34 vjetësh, nuk tregojnë këtë. Më shumë tregojnë pasiguri, lodhje, e dëshirë për “qetësi”, pavrësisht se ajo është shtypje. Për liri nuk bëhet fjalë, sepse pavarësisht se tingëllon bukur, është e lodhshme, jo duhet të mbash qëndrime, jo parime, jo duhet të flasësh, jo duhet ndonjë sakrificë e vogël, jo përgjegjësi, jo zhgënjime pas zhgënjimesh nga njerëzit e nga pritshmëritë. E lëmë lirinë mënjanë, sepse ne teorikisht nuk e kemi pasur ndonjëherë. 

    Si lidhet “i qelburi” me qytetarin? 

    Krejt thjeshtë, madje krejt lirë. Parimet, idetë, janë hedhur diku në ndonjë kosh, çfarë mbizotëron është: “a fitoj gjë unë, a më jep gjë”. Jo shumë, një vend pune, një leje ndërtimi, një ndihmë ekonomike, një tender, një shuk me euro, një legalizim, një premtim, një projekt…dhe ja ku “i qelburi” i djeshëm edhe në gojën tënde, sot bëhet “burrë i mirë” që të ndihmon. Ky është korrupsioni moral, shumë i frikshëm se ai financiar, sepse ky moleps gjithë popullsinë, jo vetëm pushtetin, dhe pastaj popullsia ndihet në detyrim ndaj pushtetit. 

    Kemi lindur servilë dhe të pazë?!

    Nuk besoj. Nuk besoj se një popull lind i tillë. Por mund të edukohet si i tillë. Breza të tërë që për shekuj janë mësuar ta ngrenë kokën lartë të dëgjojnë se ç’thotë udhëheqësi, dhe ta ndjekin edhe në humnerë, apo të ulin kokën e të skuqin duart nga duartrokitjet kur udhëheqësit u flasin, apo të presin poshtë ballkonit të udhëheqësit mos u hedh një copë ushqim,  nuk e përcjellin perceptimin e lirisë si të drejtë, por si rrezik. Le t’i shtojmë pak kësaj edhe sjelljen “kombëtariste” e rajonale të shpëtimtarit të madh dhe klonëve të tij shpërndarë kudo, që përsërisin deri në mërzi se “ay” është mbrojtësi i kombit, “ay” bëri mrekullira, “ay” vendosi rregull e bëri shtet, e njerëzit të trembur se mos kush e di ndodh ndonjë hata, mblidhen mes tyre duke pëshpëritur “të paktën ka rregull, se mbani mend si ishte dikur”. Ky është dorëzimi i lirisë. Por ashtu siç populli mësohet me diktaturë e diktatorë realë, apo kopje, të vegjël a të mëdhenj, po ashtu mund të mësohet edhe të mos i pranojë më. Duke nisur nga klonët në periferi. Do kohë, do guxim, do vetëdije, do dhe ndonjë vrimë të vogël në murin e frikës, për të hyrë sadopak dritë. 

  • Rregullorja “Macron” për shuplakën në publik

    1. Nëse një burrë ngre dorën ndaj një gruaje, është dhunë e patolerueshme. Nëse një grua ngre dorën ndaj një burri, është një shaka e pafajshme mes çiftit.
    2. Kur një burrë goditet nga një grua, ai duhet të buzëqeshë dhe të pranojë me humor. Çdo gjë është ok.
    3. Nëse një burrë ankohet për një shuplakë, ai është i dobët. Nëse nuk ankohet, ai është i pandjeshëm.
    4. Kur një burrë goditet në publik, është një moment argëtues për të gjithë. Kur një grua goditet në publik, është një krizë kombëtare.
    5. Nëse një burrë refuzon të pranojë një shuplakë si shaka, sidomos duke zbritur nga avioni, ai nuk ka sens humori.
    6. Nëse një burrë goditet nga gruaja e tij, është një shenjë e dashurisë së tyre të thellë. Duhet ta provoni dhe ju.
    7. Nëse një burrë ngre dorën ndaj një gruaje, është një akt i neveritshëm. Nëse një grua ngre dorën ndaj një burri, është një moment i fuqizimit femëror.
    8. Kur një burrë tregon shenja të dhunës, ai është një rrezik për shoqërinë. Kur një grua tregon shenja të dhunës, ajo është e guximshme. Ndonjëherë edhe edukuese.
    9. Nëse një burrë kërkon ndihmë pas një incidenti të tillë, ai duhet të rishikojë burrërinë e tij.
    10. Në çdo rast, burrat duhet të jenë të fortë, të heshtur, të respektojnë moshën dhe të pranojnë gjithçka me dinjitet. Sidomos kur “leksioni” vjen në formën e edukimit mësimor.
  • Duke analizuar Barberon

    A po shkojmë drejt “1914” të shekullit XXI?

    Kur historia flet dhe nuk dëgjohet, do të ulërasë në të njëjtat plagë

    Alessandro Barbero, është një mjeshtër i narrativës historike, jo i zakontë, hulumtues mikroskopik i detajeve, ironik. E ka kthyer rrëfimin e historisë në një art dhe veten në një “pop star”. Por është po aq tragjik, paralajmërues, dhe hidhësisht i vërtetë kur jep të dhënat, ngjashmëritë e frikën mes epokave, duke qenë pothuaj përfaqësuesi i postulatit “historia përsëritet”. Të njëjtën gjë bëri ai rreth dy vjet më parë në një manifestim kundër riarmatimit, kur ngjarjet dhe realitetin e para Luftës se Parë Botërore i krahasoi me ngjarjet dhe realitetin e sotëm. Le ta detyrojmë pak trurin të stërvitet duke mbivendosur këto ngjashmëri të frikshme.

    1. Barbero foli për kohët e gjata të paqes në Europë. Si atëherë para 1914, si sot prej 1945, fuqitë e mëdha prej dekadash nuk luftonin mes tyre. Sigurisht Ballkani bënte përjashtim, sepse ai nuk e njihte paqen. Ndoshta është krijuar iluzioni i sigurisë dhe ideja se shtetet e fuqishme nuk do të përplasen kurrë mes tyre, duke i shkarkuar tensionet diku në Afrikë, por Ukraina, tensionet SHBA-Kinë mbi Taivanin, Deti i Kinës Jugore, e zerojnë iluzionin.
    2. Barbero foli, dhe ai u referohet gjithmonë fakteve, për helmimin e trurit nga diskursi publik dhe letërsia u quajt “letërsia e luftës së ardhshme”. Me dhjetëra e qindra libra: Si do të sulmohet vendi ynë; Si të mbrohemi. Anglia kryesonte renditjen me libra si do të sulmohej Anglia nga Franca, pastaj nga Rusia dhe më së shumti nga Gjermania. Ideja e luftës së pashmangshme tashmë po zë vend fort edhe në këto kohë, kur që prej 2014 media, think-tank-et, analizat gjeopolitike, ekspertët me ekspertizë, apo jo, rrjetet sociale janë të mbushura me narrativa, video, numërim ushtrish, apo përplasje epokale mes demokracisë dhe autokracisë, Perëndimit dhe Lindjes, SHBA dhe Kinës, SHBA dhs Rusisë. Njësoj si dikur që na thotë Barbero, publiku është i intoksikuar me frikë, dhe kërkesë për mbrojtje e siguri.
    3. Barbero foli për frikën e fuqive të mëdha nga fuqia fqinjë. Për Gjermaninë që ndihej e frikësuar nga flota angleze e për Francën e trembur nga këmbësoria gjermane. Vendet dukeshin të dobëta dhe kërkonin aleanca. Të tjerë fuqi këto aleanca i shihnin si rrethime. Ikim nga fotografia bardhë e zi e para 1914 dhe vijmë në fotografinë dixhitale të epokës sonë. A nuk e sheh Rusia aleancën e NATO si rrethim? A nuk pretendon Kina se perëndimi kërkon ta mposhtë? A nuk thërret SHBA se po kërcënohet? Pra “po na rrethojnë” është qëndrimi i çdo fuqie të madhe në botën e sotme dhe secila, ashtu si dikur si na e shpjegon Barbero kërkon mbrojtje, sigurisht mbrojtje dominuese jo thjesht brenda oborrit.
    4. Barbero foli për aleancat që krijojnë efekte të papritura si Rusi-Francë 1894, apo Angli-Francë 1904. Sepse një Gjermani e mbetur jashtë këtyre aleancave pyet veten: Po këta e paskan me mua! Pra aleancat nisen për siguri, dhe ndjellin frikë. Ja ku vijmë në epokën tonë, ku NATO shtyn kufijtë e saj në Lindje, Kina forcon marrëveshjet me Rusinë dhe Iranin, BRICS kërkon një rend alternativ, vendet afrikane duan edhe ato revansh. Rreziku është njësoj si dikur: Një shkëndijë e vogël mund t’i përfshijë zinxhir aleancat në luftë dhe Franc Ferdinandi i dikurshëm të jetë Ukraina, Tajvani, Gaza.
    5. Barbero foli për riamartimin e atëhershëm, shtetet nuk ndaleshin. U arrit deri në 50 përqind e buxhetit të çdo shteti të shkonte për armatim. Cili shtet sot nuk po riarmatoset? Edhe Gjermania, që për 80 vjet ishte në letargji, u zgjua, si ai ariu që nuk dihet ku do sulmojë e çfarë do kafshojë. Po SHBA, Kina, Rusia, Franca, Anglia e të tjerë me rradhë, çfarë po bëjnë? Të gjithë duke shtuar arsenalet ushtarake. Sistemet raketore që instalohen kudo, ushtritë që rriten në numra, mjetet motorike në tokë, det e ajër që prodhohen me shpejtësi, financohen në emër të mbrojtjes nga njëra anë, por perceptohen si kërcënuese nga ana tjetër. Spiralja e paranojës ka kohë që ka filluar.
    6. Barbero foli për militarizimin e kulturës publike. Kur romanet e luftës, u zëvendësuan nga udhëzuesit e luftës, shkruar nga gjeneralë. Si gjenerali gjerman fon Bernardi në 1911 me librin “Gjermania dhe lufta e ardhshme” me kapituj si: E drejta për të bërë luftë, Detyra për të bërë luftën, apo të dominosh botën ose të biesh. Barbero nuk e përmend, por Bernardi ka dhe një kapitull me titullin “Lufta si nevojë biologjike”. Deri sa vihet në deklarata si ajo e komandantit të ushtrisë gjermane fon Moldke që në fillim të 1914 deklaron: Tani jemi gati dhe sa më parë, aq më mirë. E kishte fjalën për nisjen e luftës. E përshpejtojmë kohën nga fillimi i shekullit XX në fillimin e shekullit XXI. Në vend të literaturës civile, mbizotëron strategjia për dominimin ushtarak në yotube, tik-tok, e facebook, podcastet janë të mbushuara me analiza luftërash dhe cili shtet del fitimtar, videolojërat kanë kaluar nga WW2 në luftën SHBA-Kinë, memet bëhen për raketa, ushtarë, tanke e armatime, evokohen trimëritë e ushtarëve në luftërat botërore. Nuk është gjë tjetër kjo e sotmja, veçse përgatitje në mënyrë të zbutur e mentalitetit të njerëzve për luftën. E për ta kompletuar ngjashmërinë e frikshme të kësaj fotoje dixhitale me bardh e ziun e 110 viteve më parë: deklaratat e ushtarakëve më të lartë të fuqive dhe aleancave që nga sekretari i përgjjthshëm i NATO, nuk u lënë gjë mangut atyre të gjeneralëve me fon, apo kolonelëve me sir.
    7. Barbero flet për frikën si motiv për sulm. Gjermania kur e ndjeu se po humbte epërsinë, nisi të konsiderojë luftën si zgjidhje. Brrr, çfarë ngjashmërie me analizat që flasin për një veprim përpara 2027, i njohur si viti i Tajvanit. Por nuk mbetet vetëm këtu, vetëm me shikimin e vëngërt amerikan për ngjitjen e Kinës. Analizat sekrete që si “rastësisht” zbulohen nga mediat për një luftë brenda pesë viteve të ardhshme, deklaratat pastaj hapur nga ish-ushtarakë të lartë, apo të tjerë që mendojnë se jemi shumë pranë saj, e bëjnë gjithë situatën po aq tragjike sa ç’përshkruan Barbero para 1914, e që e dimë tashmë se çfarë solli më pas. Shtoji kësaj armatimet aktuale…E dikush, apo disa do të duan të ruajnë epërsinë, dhe armët janë mjeti i fuqive që shohin se po bien.
    8. Barbero nuk është fatalist, megjithë pesimizmin, që nuk e fsheh dot pas një “poker face”. Ai thotë nuk jemi njësoj si atëherë, ka më shumë institucione, jemi më të kulturuar, ka më shumë ndikim ekonomia dhe lidhjet mes vendeve janë më të ngushta. Vetëm se, politika, ushtria dhe opinioni publik po operon prej kohësh me mentalitetin e para 1914…dhe frika e shpresa mbetet që ne në këtë epokë, siç thotë profesori Barbero, mos t’u ngjajmë shumë atyre të epokës së para 110 viteve, që i parapriu vetvrasjes së Europës në 1914.
      “Lufta” është kthyer në një fjalë ordinere, mund ta thotë kushdo, ta parashikojë kushdo, ta tallë kushdo, e të trembet kushdo. Flitet për mbrojtje atomike, prodhime tankesh, shtim ushtarësh, drone, sisteme antiraketë, sisteme hapsinore, raketa interkontinentale, nëndetëse, aeroplanmbajtëse, bëhen krahasime armatimesh e ushtrish mes shtetesh, simulohen sulme dhe kundërsulme bërthamore…deri tek numërimi i të vrarëve dhe të mbijetuarve. Bota ndoshta nuk është çmendur. Bota ndoshta ndodhet në një epokë që kush e di si do e rrëfejnë ata të tjerët 100, apo 200 vjet më pas…apo 500 vjet më pas.
  • Si e lashë dashnoren më të ndyrë!Miku im! Mos ja bëj qejfin! Lere edhe ti!

    Sot u bënë plot 11 vjet që u ndava prej saj. Nuk ndeza qiri për ta kujtuar. Nuk u ula askund për tu zhytur në nostalgji. Lot, as që bëhej fjalë. Madje, tani që e mendoj, as e kisha hiç në mendje, as e ndjeja në gjoks mallin, e as dikund tjetër. Por sytë më tradhëtuan.

    Teksa panë një palë buzë që e puthnin, thithnin, ndjenin, kënaqeshin njësoj si unë dikur. Teksa shihja qepallat gjysëmmbyllur nga kënaqësia, mendova trishtueshëm: Paska rënë edhe ky në dashuri me shtrigën! Nuk e përçmova! E di, e di mirë, ajo dashuri është e verbër. Sytë të hapen vetëm pasi ndahesh. Por kjo është kaq e vështirë! E di dhe këtë! Sidomos me një dashnore që e gjen kudo, kurdo, ngado, në mëngjes, në drekë e në darkë, në divan, në tavolinë, në karrige e në krevat, në xhep, në çantë, në dasëm, në varreza, në kafe e në raki.

    Cigarja! Kështu quhet! Dhe unë kam qenë “legjendë”, me katër paketa në ditë, ndonjëherë edhe më shumë. E lija çdo natë, kur mushkëritë më përvëlonin, koka më plaste, goja erëmbante më keq se qenefi, rrobat shpërndanin aromë a thua i kishin mbajtur derrat në një ballo mbi plehra…dhe e nisja sërish në mëngjes, duke e shtyrë lënien për darkën e rradhës…

    Unë nuk isha ndarë kurrë prej saj, që në adoleshencë, kur volla për herë të parë pasi e provova. Më duhej një shoqe meditimi, ajo aty, më duhej të mbysja një ndjenjë, ajo e gatshme, më duhej frymëzim, ajo thoshte “po” e para…Ishte dashuri e fortë, sidomos kur zgjaste ndonjëherë nga mëngjesi në mëngjes. Ishte dashuri pa kushte.

    Ajo nuk më detyronte. Ajo nuk fyhej kurrë; as kur e shaja bashkë me shokë të tjerë duke e sjellë nëpër duar, as kur e hidhja në ndonjë rrjedhë uji, as kur e shkelja me këmbë, madje as kur e shpërdoroja duke e përdorur. Si duket ajo qeshte dhe tundte kokën verdhacuke (apo bardhoshe sipas rastit) sikur të thoshte: Do ta shohim!

    Dhe e pamë! Unë e pashë! Mushkëria ime e pa! Koka ime! Zemra ime e pa më mirë! Dhe 11 vjet më parë më dhanë ultimatumin e fundit: O me ne, o me dashnoren tënde të ndyrë! Vendos! Një ultimatum që erdhi me mjekë, me ambulanca, me frikë…Dhe unë vendosa të iki, jo nga jeta, nga dashnorja.

    Nuk e ndeza më kurrë cigaren. Zemra ime vetëm më falënderon. Nuk e thitha më kurrë tymin duke i çuar të fala mushkërive dhe dhimbjes së kokës. Po, edhe me shokët e miqtë, u bëra ndonjëherë grindavec, për cigaret dhe tymin…unë që grindesha pse kishte tym duhani hahahahha, dukej si shenjë apokalipsi. Por ishte bukur. Është bukur.

    Ndaj miku im, kushdo qofsh, mos mendo se “gjyshi im vajti 90 vjeç duke pirë cigare”, apo “unë pi vetëm të zgjedhura”, apo “kush e di ça problemesh kishte ky, unë kam zemër çeliku dhe mushkëritë më dolën të bardha”…ashtu mendoja dhe unë, madje dhe ca më shumë.

    Është dashnorja më e keqe, lere! Vetëm të rrjep dhe s’të jep asgjë, lere! Të puth, për të të vrarë, lere! Lere miku im, lere ti i pari, sepse po të la ajo…mund të jetë vonë! Mos dëgjo askënd që të thotë “nuk ia del dot”. Unë kam qenë plotësisht i varur prej saj, dhe jam sot i lirë!

    Sado më fton, më josh e më lutet në atë mëngjesin me kafe, në atë pasdrekën e shijshme, në mbrëmjet kadife, në atë tryezën me bisedë të këndshme, në atë tavolinën e lojës, në mendimet e mia më të thella dhe haluçinante, në mërzitjet më të mëdha, a gëzimet më të papërmbajtura…veç e tall, dhe e përbuz. Nuk ndjehem më i gjallë, duke u vetshkatërruar pa e ditur.

    E kujtoj në fakt, njëherë në javë, apo dy javë me ndonjë puro, të cilën e shijoj si një simbol të një jete të dytë të dhuruar e që unë e kontrolloj për të mos e hedhur më poshtë të paktën për një dashnore të ndyrë, erëqelbur, tinzare e të pabesë. Miku im i panjohur! Merre jetën në dorën tënde! Mund të mendosh edhe pa cigare, mund të krijosh pa cigare, mund të jesh burrë pa cigare, mund të shesësh pordhë pa cigare!
    Lere!

  • Çfarë nuk bëri PD? 

    Se çfarë do të bënte PS para dhe gjatë votimeve shumëkush e dinte. Kur Rama nënshkroi memorandumin 2 në Kuç, gjërat u qartësuan krejt, patronazhimi total i kishte dhënë shifrat finale: vota të sigurta, të lëkundura, kundër. Dihej që shteti teksa përdorte krejt hapur fuqinë dhe paratë publike si bonuse pensionesh, falje gjobash, premtime legalizimesh, erj, pavarësisht ndalimit nga ligji, në mënyrë më të fshehtë mund të përdorte gjithçka tjetër, brenda-në kufij-a përtej ligjit. E përballë këtij organizimi legjionar, çfarë nuk bëri PD? 

    1.    Përballë sistemit paraelektoral të patronazhimit, nuk krijoi sistemin e saj patronazhues, jo si ofertë sepse s’ka çfarë oferton, por si denoncues në pallat, lagje, qytet, rrjete sociale. Vetëm kjo mënyrë mund të fashitte punën fantastike, por në kufijtë e kapërcimit të ligjit, nga patronazhistët. Një sistem patronazhimi për patronazhuesit. 

    2.    Mbrojtja e çdo vote të kërcënuar apo ofruar me vend pune, ndihmë sociale, shërbim shteti. E një sistem intimidimi për punën e drejtorëve në çdo qark mund të ishte e vetmja zgjidhje reale. Vetëm nëse PD është e verbuar të mos kuptojë se drejtorët në këtë sistem zgjedhor janë “tribunus militium”. 

    3.    PD ishte krejt spontane, madje edhe “provat” që tregon tash e parë, dhe që “po i grumbullon për t’ia paraqitur botës”, janë edhe si shprehje, njësoj si zgjedhjet e kaluara. Nuk ka mësuar asgjë nga dështimet. Nuk krijoi një sistem vëzhgimi-monitorimi-dokumentimi-denoncimi, në krejt Shqipërinë, mundësisht dhe diasporë. 

    4.    PD nuk kishte një databazë të njerëzve qejmbetur me PS, të të mërziturve, të kundërshtarëve, e ndoshta edhe të votuesve të sigurtë e të lëkundur të saj. 

    5.    PD nuk kishte idenë si mund të përfitonte nga kodi zgjedhor, megjithëse ishte bashkëfirmëtare. 

    6.    PD nuk ishte gati për të ndikuar pozitivisht në votën e diasporës. Madje nuk ishte gati as për ta bërë të sigurtë atë e të paprekshme, qoftë edhe nga dyshimi. 

    7.    PD nuk kishte një “fond” premtimesh serioze. Të premtosh rritje pensionesh, kur kundërshtari ofron bonuse, dhe pensionisti është më afër vezës sot se pulës mot, i bie të mos përpiqesh të luftosh “të keqen”, por t’i bësh fresk. 

    8.    PD nuk tregoi një strategji se si do e çlironte shtetin nga pushteti i PS, pra si do e zhbënte kapjen e gjithë sistemit nga partia. Teoria të iki ai, se ne jemi më mirë, ka kohë që s’pi më ujë me njerëzit që nuk duan të rrezikojnë në baste politike pa siguri. 

    9.    PD nuk tregoi një qeveri që ajo mendonte të drejtonte vendin pas zgjedhjeve, apo së paku disa emra. Njerëzit u ftuan të votonin për emrin e kryeministrit, i cili ishte po i njëjti që votojnë prej 34 vitesh dhe që e kanë bërë 2 herë kryeministër. 

    10.                  PD nuk bëri aleanca të reja, hapje të reja, rekrutime emrash, figurash, ligjëruesish, etj. Nuk kishte tharm në fushatën e saj, as frymë. PD nuk arriti të krijojë ndjesinë se populli mezi po pret ndryshimin. 

    11.                  PD nuk mbrojti votën. Nëse pretendon se u vodh, dmth nuk e ke mbrojtur. Nëse pretendon se nuk je policia, drejtësia, apo prokuroria, por ama thua që shteti është i gjithë i kapur, duhet të kishe ndërtuar struktura të posaçme parazgjedhore. Nëse pranon se nuk je në demokraci para zgjedhjeve, nuk mund të pretendosh “demokraci” pas zgjedhjeve. Po pranove të luftosh me gjithë sistemin e kapur, duhet të përgatitesh, sepse e di mirë se si funksionon. Ose gjej mënyra të tjera. Sigurisht hajduti që vjedh lopën, ka fajin kryesor, por nëse vazhdojmë me “humorin e Canes” edhe të flesh gjumë, të mos kesh qen, e ta lësh derën hapur, kompletojnë panoramën. Minimumi vjedhja, manipulimi, duhet vërtetuar përtej paragrafit të “nderkombëtarëve” kishte disa partegullsi. 

    12.                  PD nuk pati një strategji marketingu politik që të përballej me maxhorancën. Kandidatë krejt të panjohur, bullizonin publikisht drejtuesit e saj politikë në qarqe, e PD nuk mund të reagonte. PD nuk shfrytëzoi vendimin e PS për të mos dalë në debate. PD nuk pati shtrirje kapilare në rrjete sociale, as me influencerë, as me emra të njohur. PD reklamoi një strategjist amerikan zgjedhjesh, puna e të cilit u kufizua tek një kapele. PD nuk pati asnjë risi në komunikimin publik të zgjedhjeve. 

    13.                  PD nuk arriti të krijojë qoftë edhe një batutë përgjatë fushatës e cila të mbetej. Apo premtim. Apo thjesht nje shprehje. PD nuk pati një simbol gjatë zgjedhjeve. Madje nuk kishte as ndonjë narrativë mbreselënëse në shumicë. 

    14.                  PD nuk ishte e bindur se do të vinte në pushtet me kryetarin që ka. Madje nuk është e bindur se kjo do të ndodhë në 2029, apo në 2033 me të njëjtin ekip. PD nuk e di se cila dhe si do të jetë e ardhmja e saj. Nuk një plan, një strategji, një manual veprimi. 

    Në fund: PD nuk kishte bërë asnjë përgatitje serioze për të përballuar zgjedhjet dhe PS me gjithë potencialin e saj shtetëror dhe pushtetor. PD ishte në dijeni që përballë ka një makineri që merr me çdo mjet çdo votë të mundshme, dhe mbron me fanatizëm kërcënues çdo votë të paguar me para publike (rroga, pensione, ndihmë sociale, legalizim, leje, tender), megjithatë u mjaftua thjesht dhe vetëm në punën e pak njerëzve, në perceptimin e rrjeteve sociale, në mendimin se të gjithë janë mërzitur me pushtetin. Duke lënë mënjanë dyshimin më të madh që po duan ta injektojnë dhe që ka ndonjë bazë; PD (lideri) nuk donte të fitonte zgjedhjet. 

  • Manual: Si të bëhesh idiot funksional në rrjet në 12 hapa të thjeshtë

    1. Mos lexo më shumë se titulli, pastaj komento: Ky autori duket qartë që është paguar.
    2. Mos e hap artikullin, të lexosh lodhet truri, të komentosh dukesh si Kanti.
    3. Nëse autori shkruan më shumë se një paragraf, komenti rutinë është: E kujt i duhen këto, populli do bukë.
    4. Komenti që të dukesh sa më i afërt me thjeshtësinë duhet të fillojë: Nuk jam ekspert i çështjes, por…dhe jep mendimin tënd të pavarur për ekonominë, luftën, sportin, Tokën e sheshtë, vaksinat, historinë, psikologjinë e Kanunit dhe origjinën e Skënderbeut.
    5. Nëse lexon fjalët “ligjërim”, apo “narrativë” akuzoje autorin menjëherë për përdhunim të gjuhës së pastër shqipe duke përdorur fjalë të huaja për t’u dukur më i zgjuar.
    6. Mos harro ta fyesh autorin personalisht. Shprehja që shkon më shumë dhe që përshtatet me situatën sepse ti vetë nuk ke as fytyrë as emër është: Duket nga surrati prandaj shkruan kështu.
    7. Nëse në ndonjë fjali preket idhulli yt reagimi duhet të jetë i menjëhershëm, i fortë dhe pa mëdyshje: Ky është sufllaqexhiu i rradhës, ose: Ky është zhabë kënete.
    8. Mos harro pa përmendur, që ti nuk lexon se s’kanë ç’të duhen këto budallalleqe, ti ke zgjuarsi natyrore.
    9. Megjjthëse nuk e lexon, shan dhe fyen, shpërndaje artikullin me mbishkrimin: Lexojeni se çfarë thotë ky injoranti.
    10. Nëse për një arsye, apo tjetër ke lexuar dy paragrafë nga pesë që ka artikulli, fshikulloje autorin: Këta kujtojnë se çoç thonë, po nuk ia hedhin dot popullit të thjeshtë që është më i mençur.
    11. Nëse arrin për fatin tënd të madh të tërheqësh ndonjë reagim pas komenteve të para, mos harro pyetjen shpatë për autorin edhe sikur shkrimi të ketë titull për Hënën, apo për Pitagorën: Po ti çfarë ke bërë për vendin tënd?
    12. Dhe në fund mos hezito të pranosh që nuk ke lexuar kurrë libra dhe kjo të ka bërë ky që je, që askush nuk të mbush dot mendjen kollaj.

    Ti mund të jesh thjesht idiot dhe kjo është keq nëse nuk e vë në përdorim, ndaj fillo zbato këtë manual në gjithë shkrimet që lexon, autorët, gazetarët, dhe shumë shpejt do të shndërrohesh në një idiot funksional dhe në rrjetet sociale kjo është mëse e mjaftueshme për të pasur zë, ndjekës, ndikim e më vonë ndoshta edhe pushtet.

  • Rama shpalli se Shqipëria i përket Perëndimit

    Le ti pranojmë nja dy gjëra, pavarësisht se nuk e duam Ramën:

    Refuzimi publik që i bëri kryeministrit anglez, në takimin e parë historik, kur ai u soll pothuaj si me një vend kolonial (a kishin rënë dakort paraprakisht për çfarë do thoshte?!), është për t’u vlerësuar. Të tjerë kryeministra nuk do e bënin, sipas historisë.

    Krerët e Evropës që janë mbledhur në Tiranë, nuk kanë ardhur me siguri për “bukuritë e pakrahasueshme” të vendit tonë, janë pothuaj lobim i plotë i Ramës.

    Për keq, apo për mirë, Rama bëri një shpallje publike që prek një nga miqësitë dikur të forta të tij dhe vendit, Turqinë; ajo tashmë hyn tek dashuritë e shumta shqiptare, por e vetmja martesë është Italia.

    Rama ka bërë atë kalimin e madh; Shqipëria gjithmonë ka pasur një shalë në lindje, një në perëndim, Rama shpalli se Shqipëria tashmë i përket vetëm perëndimit. Si do sillet Erdogan?!

  • Analizë pa shumë fjalë

    5- PS, Edi Rama: Fitorja e thellë ishte e siguruar, thjesht në 11 Maj u bë zyrtare.

    1-PD-ASHM, Sali Berisha: Në vend të injektonin frymëzim, ngjallën pezm dhe dëshpërim. Demokratët janë në emergjencë reformimi.

    10-Mundësia, Agron Shehaj: Po sikur të ishte zgjedhur kryetar i PD?!

    11-PSD, Tom Doshi: Ndryshimi i vetëm mbetet për t’u parë nga qëndrimi në parlament.

    6-NSHB, Adriatik Lapaj: Më i grabituri nga kodi vrasës elektoral. Ndryshimi i kodit duhet të jetë beteja e tij.

    2-LB, Arlind Qorri: Arrin të përfaqësohet, një zë që mund të vlejë sa një grup parlamentar. Nuk duhet të qëndrojë jashtë parlamentit.

    9-Djathtas për Zhvillim,Kolegji Zgjedhor: Njerëzit nuk votojnë të bërit politikë, por interesin. Dashamir Shehi do jetë mungesë në zërat për t’u dëgjuar në Parlament.

    4-Koalicioni Euroatlantik, Endri Hasa: Lulzim Basha, do mbahet mend si dështaku më i madh politik i 50 viteve të para të pluralizmit shqiptar.

    7-AKSH, Elena Kocaqi: FB dhe Tik-Tok ku shkruajnë, ti je për kryeministre, nuk të bëjnë vërtetë kryeministre.

    3-Lëvizja Atdheu, Kreshnik Osmani: Pa koment.

    8-ADR, Edmond Stojku: Pa koment.

  • Si duhet ta nisë opozita?

    1. PD, por sidomos partitë e reja (nuk janë të vogla), betejën e tyre në Parlamentin e ardhshëm duhet ta fillojnë me ndryshimin e kodit zgjedhor. Votat e marra në gjithë Shqipërinë psh nga Adriatik Lapaj, dhe të papërfaqësuara për shkak të kodit elektoral, janë pak të thuash e turpshme për politikën shqiptare. Asgjë tjetër nuk është më e rëndësishme se kjo.
      Ata duhet ta detyrojnë PS, të gjejnë mënyrat, pavarësisht peshës së saj shtypëse në sallë, që të hyjë në diskutime serioze për një kod serioz, pa përjashtuar askënd nga diskutimi, madje as shoqërinë civile e mediat.
    2. Partitë e reja, do ishte mirë të gjenin mënyrën e krijimit të një grupi parlamentar, jo thjesht për përfitimet e zakonshme, por sepse ata kanë një seri propozimesh ligjore për të bërë, dhe të vetëm nuk do të kenë pothuajse fare fuqi. Kombinuar kjo dhe me karizmën tashmë mediatike, zëri i tyre mund të shumëfishohej.
    3. Pavarësisht premtimeve të Adriatik Lapaj se do të tërhiqet nëse marrin më pak se dy deputetë dhe vendosmërisë së Arlind Qorrit për të mos hyrë në Parlament si numri një në listë, partitë e tyre dhe këta vetë duhet ta thyejnë këtë premtim. Do të duhet shumë kohë që të tjerët pas tyre të krijojnë respekt brenda parlamentit. Pavarësisht gjithçkaje mendoj se Lapaj dhe Qorri i duhen foltores.
    4. Është e vështirë, por Partia Demokratike, që ka nevojë urgjente për riformatim, deri në rithemelim, (që nuk duket se do të ndodhë pa u thërritur Berisha nga i Madhërishmi), duhet të bjerë dakort që në foltore të paraqitet me fytyrat e saj më të reja, me tonalitete të ndryshme, me fjalime me ku të dallohet ligjërimi publik, aftësia intelektuale, largësia nga rruga.
    5. Sigurisht duhet të përgatiten për një periudhë të vështirë, arrogance, shtypjeje, mospërgjigjesh, indiference dhe intimidimi. Partitë e reja, pavarësisht pretendimeve, referuar kushteve dhe vendit, kanë marrë një rezultat të mirë.
  • Rrënimi, dorëzimi, SHPRESA

    Në 34 vjet kemi ndërtuar një shtet që:
    NUK të edukon-arsimon, NUK të mbron, NUK të shëron, VETËM të gjobit.

    Në 34 vjet qytetarëve u është thënë: Prisni pak se po ndërtojmë shtetin…çka u ndërtua ishin vetëm vilat, resortet dhe pasuritë e politikanëve, qytetarët u plakën duke pritur shtetin.

    Paradokse 1:

    Studentët marrin diplomë që u shërben për emigrim.
    Avokatët më shumë lobojnë se sa të mbrojnë.
    Partitë janë kthyer në grupe interesi me logo.
    Qendrat shëndetësore inagurohen në fshatra ku s’ka më njerëz.
    Të ndershmit jetojnë më keq, të diturit vlerësohen më pak, të nderuarit tallen më shumë.
    E mira konceptohet si naivitet, e keqja si zgjuarsi.
    Vota në shumicë, më shumë jepet për interes të xhajës në punë të mirë, a shpresës se daja do marrë një post të lartë.
    Vendi nuk shihet më si shtëpi, por si stacion tranziti.
    Nëse pyet çdo të ri çfarë zgjedh mes pasaportës gjermane a britanike dhe reformës së suksesshme në drejtësi, vështirë se shumica kanë ëndërr këtë të dytën.
    Emigrimi ka arritur kulmin e shkaqeve: njerëzit nuk ikin nga varfëria fizike, por nga neveria morale.
    Ikin sepse Shqipëria nuk është më vend ku ëndërron, por ku vetëm duron dhe ikja është revolta e pakthyer në protestë.
    Nëse kujton: Ku është mjeku më i mirë i lagjes? Gjermani. Ku është infermieria që të vinte edhe në tre të natës për djalin? Itali. Ku është Besi që të rregullonte telefonin, televizorin, radion, kompiuterin? Në USA.
    Edhe ata që kanë mbetur këtu, janë vetëm fizikisht sepse jetojnë në Tik-Tok të Italisë-Anglisë e Amerikës, në Youtube të Zvicrës e Austrisë e në ëndërrat gjermane e holandeze.
    Emigrimi nuk është thjesht para e ardhur mbrapsht, është plagë që kullon kur nënat qajnë çdo mbrëmje në heshtje pse fëmijët s’kanë marrë dot leje, kur fëmijët rriten me zërin dhe fytyrën e Watsapit, kur gjyshërit vdesin vetëm sepse të gjithë janë jashtë duke punuar.
    Vendi është i bekuar, e thonë të gjithë, vetëm Zoti nuk ka bërë ende një status në FB e tij që nga 1990.
    Heshtja është mënyrë jetese, “Ç’të duhet, ç’fiton, mos u përziej nuk ndryshon gjë”, vargjet e nënshtrimit.
    Mund të shohësh padrejtësi përditë, por shkon tutje me një “ç’të bëjmë vlla”.
    Feja, familja, shoqëria janë pjesë e së njëjtës simfoni heshtjeje.
    Të gjithë rrinë në rradhë duke thërritur “Drejtësi”, e kur u vjen rradha…”anonim të lutem”.
    Dhe ja ku e kemi njeriun e ri shqiptar, i butë nga jashtë, i thyer nga brenda.
    Për 34 vjet e keqja ka fituar status, nuk duket më e keqe kur i korruptuari përherë ngjitet në karrierë, hajduti gjithmonë shpallet vizionar, mashtruesit shpeshherë bëhen drejtuesa, servilët janë absolutisht “çunat e mirë”.

    Paradokse 2:

    Jemi mësuar të durojmë, jo të ndryshojmë.
    Ndryshimi na duket tashmë rrezik, të mësuar me të keqen që tashmë e njohim, megjithëse është e keqe.
    Nuk duam të ndryshojmë, sepse ka përgjegjësi, ndërsa siç jemi mjafton vetëm të ankohemi, të akuzojmë dhe t’i hedhim fajin tjetrit.
    Të duash ndryshimin do të duhet të flasësh, të rrezikosh, të shfaqesh, të ballafaqohesh, të dështosh, të sulmohesh…është më lehtë të thuash “s’kemi ç’bëjmë”, se sa “mjaft më”.
    Jemi filozofë të “më keq s’ka ku shkon”, dhe jo “duhet bërë shumë më mirë”, prandaj këshillojmë “mos u përziej”, “mos u ndje”, “ky qe fati”…kolektivizim i mesatares së mesme në të ulët.
    Ende nuk e kemi kulturën e guximit: Nuk mendojmë a është e drejtë, por a do fitoj gjë, apo a më dëmton mua.
    “Ai s’flet, por mua ç’më duhet”, kurajoja e zëvendësuar me llogari, ama nëse dëmtohesh personalisht revoltohesh sa e marrin vesh edhe eskimezët.
    E keqja është bërë pjesë e jona, nuk na trondit më, nuk na skandalizon, nuk na bën të reagojmë, nuk na nxjerr nga topitja…thjesht rrudhim buzët, hajt se tre ditë zgjat, rrufisim kafenë-ndezim cigaren. Ec!
    E quajmë normale që djali i ministrit ka kompani ndërtimi, që vajza e deputetit fiton tendera, që dhëndëri i drejtoreshës merr konçension, që nipi i filanit hap tre biznese pa ditur sa bëjnë 4X7…na ka hyrë në gjak sistemi familjar dhe nuk e kërkojmë sistemin institucional. Të rinj, mos u mërzisni, nuk jeni të paaftë, por tek ne suksesi nuk është meritë, është trashëgimi.
    Nuk ka vetëm trashëgim pasurie, por edhe fijet dhe rrjetat e miqësive dhe pazareve; nuk ke nevojë për diplomë Oksordi, por për dajon në Bashki, s’të duhet përvojë, por krushka tek prokurimet, mos u lodh për ide, tako hallën në katin e tretë të ministrisë.

    Korrupsioni është gjenealogjik.
    Kush ka qenë “i madh” në komunizëm është sërish, apo janë trashëgimtarët dhe degët e tyre. Janë po ata, veçse me logo të ndryshme, veshje të shtrenjta, fjalor të lëmuar demokratik.
    Në Shqipëri trashëgohet aksesi tek e keqja, ndërsa pasuria është forma e vetme e “dashurisë prindërore”.
    Të suksesshmit janë ata që ulin kokën, jo që ngrenë zërin, sistemi ka fuqinë të të vejë kundër vetes duke të bindur se je ti fajtori.
    Shqipëria është mbushur me të dorëzuar: Me gotën para dhe cigaren që nuk e fikin, me buzëqeshje cinike, me humor e revoltë…në rrjete sociale, me shprehjen masakruese “nuk ia vlen, nuk bëhet ky vend”, nuk flet më, nuk proteston më, nuk padit më, nuk kërkon të drejta, thjesht pranon të keqen si të pashmangshme.
    Ata trashëgojnë fijet dhe pasuritë, të tjerët trashëgojnë tek fëmijët largimin; kur u thonë “mos fol ç’të duhet”, “mos kundërshto”, “mos pyet”, “mos ëndërro Shqipëri tjetër”, “mëso shumë, të ikësh në Gjermani”.
    Ata i pregatisin fëmijët të marrin pasuritë, shumica i përgatit të ikin nga vendi, të mos përballen.
    Ata i përgatisin fëmijët të marrin çdo gjë në dorë, shumica i përgatit të heqin dorë.
    Të rritesh me dinjitet, të punosh me përkushtim, të flasësh me kurajo, është vetshkatërrim i ngadalshëm, jo pse je i rrethuar me armiq, por sepse ke ngado të dorëzuar. E kur të dorëzuarit bëhen shumicë, e keqja ecën dhe jeton mes nesh si normale.

    Shpresa

    Një brez i ri, ndoshta i rritur larg Shqipërisë, por me dashurinë e pashuar për vendin mbajtur gjallë nga prindërit, që nuk ulet në zyra duke pritur rradhën për ndonjë miqësi, që shkon në konkursin, apo intervistën e punës pa telefonatën e mikut, që nuk bën selfie me pushtetin edhe pse i ka mundësitë, që nuk reciton e këndon bashkë me të keqen duke e trajtuar si të mirë.
    Ai brez që të keqen nuk e sheh si urë për të përfituar vetë me familjen, por si mur që duhet rrëzuar e thyer bashkë me moshatarët e vet.
    Ai brez që nuk e kërkon pushtetin të nesërmen, por me kohë, sepse e di që e keqja ka rrënjë të thella, por nuk lodhet, nuk dorëzohet, nuk hesht. Ai brez mëson, studion ligjet, njeh sistemin, kupton njerëzit, nuk zhgënjehet menjëherë, e njeh përbindëshin që duhet të mundë dhe nuk kapitullon.
    Ai brez i rritur pastër, edukuar mirë e shkolluar bindshëm, që flet kur sheh padrejtësi, që nuk e injoron, apo përqafon korrupsionin, që kur sheh zullumqarë e injorantë të ngritur nuk i duartroket, por u ulëret, që nuk bën teatër me veten si paraardhësit, që nuk lejon të shitet e gjitha e ai të përfitojë për vete një majë gjilpëre, që nuk e sheh ndershmërinë si barrë e budallallëk, e as fjalën si luks.
    Ai brez do mësojë fëmijët të qëndrojnë, jo të ikin, të kërkojnë drejtësinë edhe për të panjohurin më shumë se pak përfitim për vete, të mos i ngjitet pushtetit si miza mjaltit.
    Ai brez do t’i kalojë e tejkalojë të gjithë brezat e mëparshëm, sepse do të tejkalojë mendësinë e kokës ulur, heshtjes dhe shpresës duke mbajtur rradhën.
    Ai brez i bekuar do e shohë Shqipërinë si projekt, e jo si trashëgimi, e atë projekt do e bëjnë të dashur e të banueshëm, jo aq fizikisht, por shumë më tepër moralisht.
    Është ai brez që do e shohë veten si qytetar e jo si “shef pushtetar”, që nuk do të krenohet me pasuritë e vëna nga karrigia që i dha populli, ai brez do të kuptojë se vendi nuk ka nevojë për shumë liderë, por për më pak mashtrues. Ai brez nuk do e shohë votën si biletë llotarie për hallin e vet personal, por si pasqyrë të ndërgjegjes, si përfaqësim vlerash.
    Sigurisht që do i tallin, do i përqeshin, do i nënvleftësojnë, do u thonë “fëmijë idealistë e utopistë, që nuk kuptojnë nga jeta”, por pastaj do i kenë frikë, sepse ai brez nuk fshihet, nuk blihet, nuk mbledh supet e rrudh buzët, nuk reciton nën buzëqeshjen e udhëheqësit.
    E ndoshta atëherë, edhe mijëra të rinj të aftë, por pa miq, mijëra të tjerë të kërrusur që herët me idetë e pasurimit, grabitjes e karrierrizmit pa meritë, do të mblidhen me njëri tjetrin e do të vendosin: Ky vend nuk është për të ikur, është për t’u bërë. Hajde ta pastrojmë dhe ta bëjmë. Ka ndodhur në vende të tjera, patjetër do të ndodhë edhe në Shqipëri.