Edmond Arizaj

Etiketë: blog

  • Sikur të ishin personazhe kartonash…

    Edi Rama- Frolo (Kurrizo i Notredamit)

    Fuqi absolute, kontroll mbi të gjithë, kërkon të kontrollojë edhe ndenjat, mendon se është i përzgjedhur dhe në anën e duhur të historisë, çdo veprim i tij është për një qëllim madhor, çdo gjë ka lidhje me të-të gjitha rrugët të çojnë tek ai, mendon se katedralja nuk i është dhënë përkohësisht për ta mirëmbajtur, por se i takon me të drejtë dhe mund të bëjë çtë dojë edhe ta djegë, predikon moral teksa ndizet flakë nga pasioni për kontroll mbi çdo gjallesë, nuk duron kundërshtinë, idhnak deri në çmenduri me atë që jeton jetën e tij pa e lajmëruar, aleanca vetëm me të fortët, shpresa për të dobëtin, nuk i pëlqen dashuria, por nënshtrimi, flet për drejtësi dhe përdor çdo mjet jo të drejtë për pushtetin, i gjatë por i pëlqen hija që bën, ka një vetëdije se është më i zgjuari, më dinaku, më i stërholluari, më i lexuari, më i dituri, më modernisti, më sexi, më i pazavendësueshmi, më i madhi se mbi të gjithë të gjallët dhe të vdekurit, duartrokitet e brohoritet sepse është mjeshtër në shpërndarjen e lëmoshës dhe ndihmës së dhënë nga bujarët, sikur e nxjerr nga xhepi i tij.

    Erion Veliaj- Skar (Mbreti Luan)

    Intrigant, kërkon pushtet me çdo kusht, armiqtë i bën miq e miqtë armiq, askush nuk e kupton sa vuan nën liderin, teatral, mjeshtër i monologut, artist i planifikimit strategjik, premton ç’ka s’është e tij, ka një tufë që e ndjek pa pyetje sa kohë ka pushtet, hyn në aleanca të rrezikshme, rrëzohet nga të tijtë, braktiset, harrohet.

    Sali Berisha- Hadi (Herkuli)

    I vrullshëm, kalkulues, gojëtar, cinik, herë-herë komik, me hijen e vdekjes gjithmonë në fytyrë, i bindur se i janë bërë padrejtësi dhe rikthehet për “nder politik”, karizmatik dhe duket sikur ka një jetë që do të rrëzojë Zeusin nga pushteti duke thirrur në ndihmë edhe të burgosurit.

    Lulzim Basha- Pinoku (Pinoku)

    Një kukull që gjithmonë e lëviz dikush tjetër. Dëshiron të bëhet djalë prej vërteti (lider) por është shumë naiv, dhe gënjeshtar. Bie gjithmonë në grackën e dikujt, bën gjithmonë budallëqe, bën si i zgjuar dhe inteligjent, kërkon përherë një mbështetje edhe pse janë të rrezikshme, flet me fjalë të mëdha duke mbetur i vogël, jep premtime që s’i mban.

    Belinda Balluku- Ursula (Sirena e Vogël)+Maleficent (Bukuroshja e fjetur)

    (Dy në një). Kontroll absolut, triumf mbi çdo kundërshtar pavarësisht sa kohë duhet, mister, ligësi me ëmbëlsi, fuqi, pushtet, tentakula mbi çdo gjë-ujë-ajër-tokë, e frikshme kur zemërohet, e trembur vetëm nga Tritoni-ëndërra e vetme në sirtar tridhëmbëshi i Tritonit, armike e çdo gjallese tjetër, nëse nuk i shërben të transformon, shndërrohet në këngëtare dhe kërcimtare nëse ka interes.

    Monika Kryemadhi-Cruella de Vil (101 dalmatët)

    Stil i pazakontë, e zhurmshme, e rrëmujshme, dramatiko-melankolike, e dëshiruar për të lënë gjurmë, harron mondanitetin kur flet ashpër, nuk dorëzohet kurrë pa lënë shenjë, vaniteti i kthehet në makth dhe ankth.

    Arlind Qorri- Kuasimodo (Kurrizoja i Notre Dam)

    Idealist pothuaj i vetmuar, i sinqertë, jeton brenda kambanës së tij ideologjike, larg luksit, bindjet e tij duken të vjetëruara-ai beson në zemrat e pastra kur gjithçka rrotull vjen era pleh, ëndërrimtar utopist, dëshiron shumë të ndihmojë të varfërit dhe planifikon të bëjë Robin Hudin e ligjshëm-ua merr të pasurve dhe t’ua japë të varfërve, i pëlqen të duket altruist.

    Ilir Meta- Jafar (Aladini)

    Përherë i pakënaqur, fuqi-pushtet-mundësi, sërish i pakënaqur, kërkon gjithmonë më shumë, kërkon gjithmonë fronin-nëse s’e merr do ta kontrollojë, planet më të mëdha ua beson njerëzve më të paduhur që e tradhëtojnë përherë në fund, me vetbesim të verbër pa menduar aleancat e kundërshtarëve, për një kohë magjistar për pushtetin, fuqi e madhe në një hapësirë të vogël.

    Agron Shehaj- Simba (Mbreti Luan)

    Prejardhje fisnike, mjaullima i duket si hungërimë, ndonjëherë futet në telashe nga naiviteti dhe dëshira për t’u dukur, ende nuk e di a është gati për fronin, apo duhet të prese ende, fantazmat e të shkuarës e torturojnë megjjthëse këndon, është rritur larg realitetit por “hakuna-matata” nuk pi ujë-i duhet përballje, i zgjedh miqtë jashtë rrethit ku u rrit, ikën nga të tijtë-krijon habitat të ri-ëndërron rikthimin.

    Adriatik Lapaj-Herkuli (Herkuli)

    Në kërkim të vendit të vet mes njerëzve, beson se mund të ndryshojë botën, tregon muskujt sa herë ka spektatorë, shumë zhurmë, shumë fjalë, ka fuqi që nuk i menaxhon dot, qëllime të mira, por i ngatërron me vetglorifikimin, dëshiron dhe ëndërron të jetë hero, gjithmonë i duhet pak ndihmë për betejat e tij, kërkon gjithmonë të matet me më të fuqishmit, i pëlqen lëvdatat.

    Belind Këlliçi-Piter Pan (Piter Pan)

    A do të rritet ndonjëherë? Duket sikur jeton në ëndërr ku betejat e tij janë përherë të drejta, por ai vetë gjithmonë viktimë.

    Erion Braçe- Zazu (Mbreti Luan)

    Flet, flet, flet, flet, …let, …et, …t. Shërben si këshilltar i mbretit edhe kur nuk i kërkohet, gjithmonë me një ndjesi paniku dhe kritike për diçka që kush e di ku ka ndodhur, moralist, i përkushtuar, irritues, i lodhshëm edhe pse ka të drejtë, e merr çdo rol më seriozisht se ç’duhet edhe kur askush tjetër nuk e merr seriozisht, nuk bën fjalë kur mbreti e kthen në trajnim gjahu për të pëlqyerin e tij, besnik deri në kafazin e fundit.

    La Civita- Tomi (Tom&Jerry)

    Prolog me muzikë, fjalë, zhurmë, gjëmime, kërcënime, frikë-epilog me mjaullima, bën plane që gjithmonë i kthehen kundër, asnjë fitore deri tani përballë miut që do e hante bufi e jo më shqiponja, ka problem me përshtatjen-mendon se është në realitet kur është në një film që ndërron veç skenat dhe rregjizorin e ka kundër.

    Niko Peleshi- Lefou (E bukura dhe bisha)

    Shërbyes i bindur pa individualitet, gjithmonë pas Gastonit që fryhet duke qeshur me batutat e tij, duke e brohoritur për çdo ide shefin, i butë, i lëpirë, i pathyeshëm për të mbijetuar, nuk bën gjë vetë por ama në çdo tryezë është i pranishëm, shtiret si i padëmshëm, është gjithmonë pranë pushtetit, mediokër, të gjithë nuk e llogarisin-ai bën veç llogaritë e tij, nuk kërcënon kurrë, nuk inatoset, nuk ka stil, nuk bën art-megjithatë udhëheqësi i fshatit e pëlqen.

    Pandeli Majko-Sinbad Detari (1001 net)

    I plakur, i zbardhur, tregon histori të shkuara duke shtuar çdo herë nga një element magjik, i butë, jashtë kohës, njerëzit duan ta dëgjojnë sa t’u shkojë ora për drekë, flet vetë, qesh vetë, nuk i prish punë njeriu, kujton beteja të të tjerëve si të tijat, fjalëve të zakonshme e ndonjëherë pa lidhje u jep peshë postulatesh, i padëmshëm, arritja më e madhe në jetë-kur e morën si marinar dhe u bë kapiten sepse dy grupet kundërshtare në anije nuk pranonin asnjë tjetër, edhe sikur mos të jetë me tregimet e tij, “1001 netët e Sheherazedes” është gjithsesi i bukur.

  • Fushata vazhdon, njerëzit vriten

    Dy plumba në kokë, dy në trup. Në derën e shtëpisë. Tipik ekzekutim profesionist. Tipike vrasje me pagesë. Tipike mafioze. Renato Hoxhaj, 58 vjeç, roje, i mori me vete në Babicë (varrezat e Vlorës) sekretet e vrasjes së tij.

    Kush e kërcënoi? Pse? Çfarë i kërkuan? Çfarë nuk u dha? A ka denoncuar diku? A u “ngatërruan” vrasësit si para pak ditësh në Tiranë? A vërtetë bëhet fjalë për pronën e tij siç u aludua? Kush i di gjithë këto?! (Nuk kanë bërë asnjë përpjekje të paktën të dukej si sherr familjar, a si zënkë të dehurish…)

    Policia s’ka kohë për këto e as të parandalojë gjë, është fushatë. Njerëzit s’kanë kohë, duhet të gjejnë lidhjet e duhura për pas 11 Majit. Strukturat s’kanë kohë. Askush nuk ka kohë.

    Të vetmit që lotuan e u interesuan për Renaton ishin bashkëjetuesja që askush nuk ia zgjati një dorë ngushëllimi (video e parë) dhe qeni i tij. Askush nuk mund të ndalojë dhe të meditojë për jetën që ikën kaq për dhjamë qeni, pa pasur asnjë borxh diku, si ky roje 58 vjeç që e qajnë vetëm një pastruese e bashkisë dhe kafsha e tij besnike.

    Nuk ndalojnë një minutë, qoftë edhe pak sekonda sa për kujtesë, edhe ata që hipokrizinë e përsheshin duke heshtur teksa mbahet namazi, a vdes Papa Françesku, por jo kur ua vrasin shtetarët e tyre në prag të shtëpisë.

    Fushata vazhdon…

  • Fushatë vetëm për pensione!Po për marrëdhëniet me Kosovën pshçfarë qëndrimi kanë partitë?

    Çudi e madhe: Asnjë parti, e vjetër, apo e re, në pushtet, në opozitë, në parlament, apo në tentativë, nuk thotë gjysëm fjalie për politikën e jashtme. Si do jenë marrëdhëniet me Kosovën, çfarë qëndrimi do ketë për Çamërinë dhe pronat, për detin, për lidhjet me Turqinë dhe Greqinë, do jenë më pranë USA, apo BE? Si kanë planifikuar të veprojnë nëse aleanca e vjetër e Perëndimit çahet dhe Shqipëria do duhet të zgjedhë? Partitë që ëndërrojnë të bëhen “kingmaker” a do kenë ndonjë vijë të kuqe për këto çështje, apo ndonjë tjetër?
    Se duket sikur fushata po bëhet vetëm për pensionistët, e sikur Shqipëria ndodhet diku mes Oqeanit Atlantik!

  • Moralistët pa moral

    Morali i shitur publikisht nga njerëz të diskretituar po publikisht, është si Kurani në duart e një pijaneci, që luan zare me para të vjedhura…
    Ajo që s’kanë kuptuar të rinjtë e politikës, teksa bëjnë thirrjet e tyre, është se vendi nuk vuan aq për pensionet, se sa për shtyllë kurrizore…
    Një shoqërie të shkatërruar moralisht, bëja pensionet dhe rrogat sa të duash, ajo do vazhdojë të hajë veten…

  • Rilindja, ringjalli qytetet, vdiq njeriun

    Parti të vjetra e të reja kacafyten me gënjeshtra për rritje pensionesh e rrogash, ndërsa të rinjtë shqiptarë vriten për një takim pasqyrash; apo vetvriten për fejesa të detyruara, njësoj si 30 vjet, 50 vjet, a 100 vjet më parë.

    Kush është budallai në këtë mes, ata që premtojnë të zhbëjnë atë që e bënë vetë, apo ata që besojnë se njerëzit që e shkatërruan vendin nga themelet fizike dhe morale, janë po të njëjtët që do nisin të rimodelojnë vlerat.

    Në fakt, duket si një konspiracion gjigand, askush nuk po do të kuptojë se ringritja e vendit nuk mund të bëhet nga paraja e nga betoni, por nga ndërgjegja.

    Rilindja mund të ketë ringjallur qytetet, por ka vdekur njeriun.

  • Le ta bëjmë të thjeshtë

    1) Çfarë ke pasur dhe çfarë të kanë rrëmbyer? Nëse thua jo për të ardhmen, gënjen veten. Punon sa të kërcet shpina dhe zemra, por nuk blen dot shtëpi, madje as mundësi ta mendosh nuk ke. Nëse shpreson pensionin e merituar sepse ke kaq dekada që punon e kontribuon, do zhgënjehesh, dhe pastaj do jesh thjesht një nga 500 mijët për të cilët “5 vjeçari i ardhshëm do jetë magjik”. Siguria ekonomike? Vetëm po pate futur para në tubin e sobës. “Ata” e kanë siguruar të ardhmen për dhjetë breza, ti i dashur nuk siguron dot as fundjavën. Kjo është të të kenë rrëmbyer të ardhmen, dhe tashmë ta shesin si mundësi.

    2) Po të janë ngritur rrogat. Të kapin për fyti nëse e kundërshton këtë. Mesatarja, ishte-është, etj reklama me ngjyra si kjo që të mbyll gojën. Por sa të mbeten? Hiq qeranë, hiq ushqimin, mos o Zot ndonjë ilaç, hiq sigurimet, hiq transportin, hiq veshjen, hiq…hiq…Sa të mbeten? Sa kohë ke të ndërtosh diçka tënden? Sa kohë ke për fëmijët e tu? Kjo është të të kenë grabitur kohën tënde dhe të bëjnë t’i falënderosh madje.

    3) Po ti je shumë komod tani, ke gjithçka në telefon. Por çdo postim i yti, çdo mendim, çdo “like”, çdo koment, ka një sy që e vëzhgon, që e mat, që e raporton, që e etiketon, që e patronazhon. Teknologjia të ndihmon…të jesh i varur, në mos skllav. Ajo të biografon, të mbikqyr, duke të bërë të ngurtë, të tërhequr, të heshtur, apo më keq duke të tjetërsuar, duke të zbërthyer pak nga pak. Kjo është liria që e ke dorëzuar dhe nuk e kupton. Dhe që të ndjehesh sadopak i lirë duhet të përdorësh emër tjetër, pseudonim apo “anonim të lutem”. Je rehat, por pa liri.

    4) E ke vënë re sa keq bëhesh kur nuk ke like? Kur nuk të komentojnë? E pra ti vajzë je e bukur, e hijshme, e këndshme, jo vulgare, ti tjetri je i zgjuar dhe shkruan gjëra që nuk i kopjon nga të tjerët, ata atje janë punëtorë të mrekullueshëm…por ndihen sikur janë askushi. Sepse suksesin ta masin me ndjekës, me like, me dukje. Kuptoje, të kanë marrë kuptimin e jetës.

    5) Sa kohë të duhet të gjesh të drejtën tënde? Sa vite? Ndërsa “atyre” u duhen këto vite, që t’i shmangen drejtësisë, ty të duhen ta gjesh drejtësinë, madje ndonjëherë vdes pa drejtësi, e në shumicë paguan për të drejtën tënde, e në çdo rast nuk je i sigurtë për vendimin. A i ke parë ndërtimet të larta, të ulëta, luksose, a të rrëmujshme? Secila prej tyre ka pas një vendim nga drejtësia, shumica mund të jetë i padrejtë. Mendo tani çfarë vendimi do jepnin për ty me pak para? Mund të marrësh “të drejtën ligjore”, por jo të drejtën. Të kanë vjedhur drejtësinë.

    6) Ti voton, e drejta jote më e madhe. Këtë herë votuan për herë të parë edhe ata që e kanë pasur më shumë se kushdo të drejtën, emigrantët. Por kush zgjedh? Mos bëni sikur nuk e dini: Financuesit e mëdhenj, mediat, sondazhet, algoritmet, ndonjë ndërhyrje që s’bie në sy. Sistemi zgjedhor është i kapur, që në gërmën e parë, në një mënyrë apo një tjetër, ti po bëhesh kloun për të zgjedhur më pak se një të tretën e deputetëve. Të tjerët janë zgjedhur tashmë dhe nuk i ke zgjedhur ti. Ti je thjesht numër partie, për dy parti që kanë kryetarë me lidhje direkte nga PPSH. Zëri yt nuk do dëgjohet. Të kanë marrë të drejtën themelore, votën/demokracinë.

    7) Çfarë mendon, çfarë ëndërron, çfarë synon? Ti, shumica e mesme, që mëson, studion, edhe punon, edhe je i aftë, por edhe i ndershëm. Ëndërra jote për atë jetën e bukur, idilike, me familjen përdore është thjesht një sistem kredie, ku zhytesh njëherë dhe nuk e nxjerr më dot kokën për gjithë jetën. Do ndryshosh vetëm duke e bërë një maskarallëk. Të kanë marrë ëndrrën dhe të kanë vënë përballë zgjedhjes: Bëhu si ne dhe jetoje ëndrrën.

    8)Çfarë dëgjoni gjithë ditën e natën nga ata që ju morën çdo gjë: Premtime të njëjta, ulje çmimesh që i ngritën vetë, qeratë që i ngritën vetë, shtëpitë që i ngritën vetë, rrogat që i masakruan vetë, ekonominë që e shkatërruan vetë, klasen e mesme që e zhdukën vetë…E kupton ku ka arritur situata? Nuk premtojnë më ndihmë për të varfrit klasikë, por për shtresën e mesme!!! Për çiftet që kanë frikë të bëjnë një fëmijë! Për të moshuarit që kanë frikë të sëmuren jo nga vdekja, por nga halli! Për të rinjtë që s’kanë perspektivë!

    “Ata” kanë qenë gjithmonë bashkë kundër teje! Gjithmonë! Nëse do presësh ndryshimin nga lartë, do jesh përherë aty poshtë duke parë si ndryshojnë figurinat që ngjiten në podium. Ata nuk do ta ndalin rrënimin. Rrënimin duhet ta ndalësh vetë. Mos ua jep mundësinë të të lexojnë si ngjyrë, e si numër në listë, por si emër me shpirt, zemër dhe liri. Të kanë marrë gjithçka, merru të paktën mosrreshtimin.

  • Tomor Alizoti si paradoks

    Flet gjithë mllef për gjysëmopingat, ndërkohë që lejon veten, krenar për origjinën për parardhësit dhe çfarë përfaqëson, të drejtohet pikërisht nga një gjysëmopingë, jo të maleve të jugut, por të veriut.

    Përmend herë pas here dhe mirë bën viktimat e familjes së tij nga komunizmi, por harron a bën sikur harron se partia ku militon nuk bëri kurrë dekomunistifikimin dhe despiunizimin duke i sjellë vendit një dëm që s’mund ta llogarisë askush.

    Përmend prona, pa bërë “mea culpa” në emër të të gjithë pronarëve që u çdinjitetëzuan nga ligji i partisë së tij 7501.

    Përmend me mllef dhe vrer shtresën e përvuajtur të dikurshme të vendit, duke harruar se kjo politikë e ndjekur dikur nga partia e tij solli një ndarje absurde, të turpshme, të frikshme dhe vdekjeprurëse të vendit.

    Fjalët e tij, me ngrënie për së gjalli, pavarësisht kontekstit të zgjedhjeve dhe frymëzimit para entuziazmit të turmave, nuk janë më shumë dhe as më ndryshe nga ato të komisarëve të dikurshëm që betoheshin se pas lufte do i shqyenin bejlerët dhe agallarët.

    Tomor Alizoti, me heshtjen e tij, kundrejt premtimit kryesor rritjes së pensioneve dhe pagave të ulëta, a është pro një politike nga partia e tij e djathtë kundrejt “gjysëmopingave”, që votojnë dikë i cili në një realitet alternativ do shiste kokoshka, (ose misra) në Dhërmi?

    Dhe paradoksi më i madh i Tomor Alizotit është se ai, megjithëse mund të mbahet si më i zgjuari dhe i përgatituri i listave të PD, nuk jep alternativa paqeje, mirëkuptimi, bashkëpunimi, progresi, por ndasish, urrejtjeje dhe përçmimi, duke furnizuar me oksigjen turmat injorante që vazhdojnë e ndajnë shqiptarët në partizanë e ballistë, përveç ndarjeve të tjera krahinore e “kombëtare”, po aq idiote dhe injorante.

  • Memorandumi 2 i Kuçit si realitet i hidhur

    Edi Rama nënshkroi për 78 deputetë minimalisht. Sado “e çmendur” të duket firma, pas 12 vitesh me ministra në burg, skandale korruptive, nepotizëm e autokraci, ka disa faktorë që firma e Ramës të mos jetë hedhur aq në erë. Nuk është vetëm shqiptar si fenomen.

    1) Partia Socialiste nuk është thjesht një forcë që qeveris, është sistemi vetë. Rrënjët e saj janë shumë të thella dhe kapilare në administratë, në polici, në drejtësi, në pushtetin lokal (budallëku i dikurshëm i Lulzim Bashës), në media, në biznese të mëdha e të vogla që varen nga tenderat e nga lejet. Pra çdo individ i lidhur me këtë sistem ka interes personal që të vazhdojë egzistenca e tij. Dhe çdo individ tjetër i lidhur pas individit lidhur me sistemin është automatikisht në shumicë pjesë e ushtrisë së heshtur të votuesve me interes. S’ka lidhje as morali, as liria, as gjykimi, është thjeshtë çështje garancie për bukën e përditshme.

    2) Në 12 vite pushtet pothuaj absolut, Partia Socialiste ka nën hyqëm jo thjesht institucionet dhe masën e “bukës së gojës dhe pjatës së supës”, por edhe kontrollin e narrativës dhe dukjes, duke kontrolluar televizionet kryesore, emisionet kryesore (imagjino, deri në programe humoristike dhe shoë hyn politikani e bëhet pjesë e skeçit), reklamat, opinionbërësit (madje duke kthyer në shërbim shumë prej atyre që fillimisht shfaqen si kundërshtarë), rrjetet sociale…Sistemi nuk lodhet, nëse ka skandale ato relativizohen nga kjo ushtri propagandistike, zbehen, tejkalohen, përqeshen, dhe janë njerëzit që lodhen duke i rënë shkurt: Të gjithë janë njësoj. Indiferenca sjell plus për sistemin.

    3) Në vendet e varfra, në fshatra, në zona pothuaj në mjerim, sistemi është pothuaj absolut. Ai zyrtari me makinën e bukur, i veshur si zengjin, me krahët e hapur, që sheh nga lartë -poshtë, përkthehet në mendjen e nevojtarit për ndihmë ekonomike, për një vend pune, për një ndërtim, për një favor të vogël jetëdhënës, si mbreti që mund ta bëjë të mundur këtë. Kjo është vota e kushtëzuar, aspak e lirë, e që në shumicë për një vend pune shofer, sjell pas vetes votën e krejt familjes dhe gjysmës së kushërinjve. Vota nuk mban erë, njësoj si paratë, nuk e dallon kush në është fituar me presion, me ofertë, me manipulim nevojash dhe sistemi për shkak të fuqisë ka më shumë mjete në dispozicion për këto.

    4) Sistemi nuk bie vetë. Nuk ka ndodhur në ndonjë vend tjetër që të ndodhë në vendin tonë që gjithmonë reflekton i fundit. Sistemin duhet ta rrëzojë opozita. Që të ndodhë kjo, pas 12 vitesh pushtet, opozita duhet të vinte e freskët, e ndershme, e bashkuar, me ide të reja, me njerez të rinj. Ndërkohë opozita vjen krejt në të kundërt dhe pikërisht për këtë, fuqia propagandistike e sistemit, arrin ta paraqesë opozitën si “një e keqe tjetër”, madje edhe më të madhe! Njerëzit të lodhur duke shpresuar, nuk rrezikojnë.

    5) Duhet pranuar, me dhimbje, por si e vërtetë: Njerëzit nuk votojnë moralin, por interesin dhe atë që njohin. S’ka pse t’i mbetet qejfi njeriu. Ky është njeriu i ri i demokracisë, të cilin e farkëtuan së bashku. Tani po ja vjel frutet ky sistem. Sepse u jep edhe pensione edhe suplemente dy herë në vit, jep rroga në sistemin publik pa ndonjë punë të lodhshme, bën rrugë-ura-aeroporte ca të vërteta e ca tre D, por që janë të dukshme e me ngjyra, e mbi të gjitha nuk përton përditë të përhapë frikën se “ata të tjerët do jenë shumë keq”. Pra e thjeshtë, vota nuk është për atë-ata që duhet të ishte për një sistem demokratik, por është për atë që u duhet, u duket më pak i rrezikshëm e më shumë i durueshëm.

    Me pak fjalë, po, ka sistem demokratik-por është i kapur. Po, ka votë të lirë-por është e numëruar pa u hedhur në kuti. Po, ka mendim-por është i kanalizuar. Po, njerëzit nuk janë budallenj kur votojnë, kanë interesa.
    Dhe pse të na duket çudi, çudia e firmosur në Kuç ku dhjetëra burra në këmbë këndonin që të kënaqej pashai me gotën e rakisë dhe kafenë para.

  • Partia Socialiste është sistemi i ngriturpër të mos e rrëzuar dot askush

    Nuk ka asnjë çudi në rezultatet e 11 Majit. Ata që mendonin ndryshe, ishin dritëshkurtër. Ata që shpresonin ndryshe, ishin të pashpresë. Ata që dëshironin diçka paksa ndryshe (qeverisje jo absolute) si unë, e ndjenin se ishte utopi. Demokracia pa mekanizma që kontrollojnë dhe frenojnë, madje edhe gjykojnë e ndëshkojnë, është thjesht zbukurim që kushton miliona për kuti e fletë votimi.

    Opozitë më e dobët se pushteti

    Të shkosh përballë “rregjimit” duke u zvarritur prej tetë vitesh, duke lënë copa rrugësh, me të njëjtën fytyrë të lodhur, të drobitur, të pabojë, jo vetëm nuk sjell as frymë e as frymëzim, por përkundrazi, dëshpërim, pasivitet, indiferencë dhe më keq, largim drejt alternativave që japin mundësi. Opozita ishte e përçarë, pa kauzë të qartë, pa vizion bindës. Opozita nuk diti, e as nuk mundi, e ndoshta me këtë ofertë njerëzish nuk do të mundet ende, të sjellë dhe të ngrejë Shpresë. Reagimi dhe revolta, nuk fitojnë të vetme pa një strukturë alternative të qartë, të besueshme dhe bindëse.

    Njerëzit të lodhur duan garanci

    Nuk e duan ndryshimin, thjesht si rotacion. Imagjinoni edhe nja dy fshatra, ku vendimet e qeverisë i preknin direkt dhe ishin prej kohësh në protesta, votuan masivisht PS. Shumica jonë, sidomos ata jashtë Tiranës, madje jashtë vijës së verdhë, nuk votojnë për të ndryshuar, për ide, për demokraci e këto fjalët e mëdha, por që të mos humbasin ndihmën ekonomike, rrogën, vendin e punës, mikun që kanë gjetur e u zgjidh ndonjë punë. Kjo është një pjesë e mirë e popullsisë, e “depolitizuar ideologjikisht dhe intelektualisht”, e cila është preja e atyre që quhen patronazhistë. Pjesa tjetër e madhe e popullsisë, e lodhur dhe pa besim tek askush, u lë fushë të lirë votuesve të komanduar (zgjedhjet nuk fitohen në kuti, por para se të votohet). Dhe çfarë del? Votojnë 40 përqind, nga këta 70 përqind janë votat që i kemi të numëruara përpara ditës së votimit. Pra, edhe mund të mos jetë shumicë, por ama merr shumicën e atyre që votojnë.

    Pushteti i PS është i shkrirë me shtetin

    Sistemi zgjedhor dhe informativ është në kontroll total nga pushteti. Ku me ndihmë edhe të opozitës që për përfitime ditore, harron të ardhmen. PS ecën me laps në dorë, si në Kuç. Kontroll total mbi administratën publike dhe bashkitë, me ndihmën e vendimeve idiote të opozitës atëherë. Kontroll absolut mbi burimet ekonomike, përfshirë financuesit e opozitës. Kontroll i gjithanshëm i policisë, duke i lejuar të “bëjnë punëra edhe me opozitën”. Kontroll mbi komisionet zgjedhore, pse jo edhe mbi anëtarë të opozitës në plot zona jashtë Tiranës. Media dhe zëri publik është diku i frikësuar, diku i kapur, diku i përthyer, diku i kthyer, paksa fare i kundërt, duke sjell një opinion publik të deformuar.
    Pra ajo që rëndom quhet vota e lirë, nuk na del dhe kaq e lirë, por është e lidhur pazgjidhshmërisht me punën, ndihmën, përfitimet, të nesërmen a fundin e muajit. Njerëzit nuk votojnë për bindje, por për mbijetesë.

    Ndëshkimi që mungon e kthen votën në produkt me etiketë “Ky-kjo është i PS”

    Organet e drejtësisë mund të japin “drejtësi”…pas një viti. Kujt i prishet puna! Pushteti le të mos bëhemi hipokritë, blen kohë, blen vota, blen të ardhme, dhe mund të të rregullojë jetesën. Dakort vota e varfër blihet më lehtë, ku me 100 euro, megjithëse ka rënë euro dhe po e bëjmë 200, një vend pune, shlyerje borxhesh, por edhe vende “pëllumbash” që për gjashtë muaj, sidomos ato larg Tiranës ku nuk të kap rrezja e mediave të bezdisura, të bën zengjin, nga një i panjohur. Makineria elektorale e PS me sistemin e patronazhimit në qendër e ka kthyer votën në produkt me etiketë “Ky-kjo është e PS”. Lejohet pothuaj gjithçka, siç edhe e kemi parë ndër vite, sepse mungon ndëshkimi.

    Nuk duhet të fitojnë mbi PS, por të mundin sistemin

    Rezultati i 11 Majit dihej. Me aq sa mundesha, unë e kam paralajmëruar që në 2017 se si do venin zgjedhjet njëra pas tjetrës nëse nuk reformohet PD. Nuk e di çfarë do bëjë opozita, por ata që u kënaqën me humbjen dhe shkatërrimin e Berishës si dhe ata që i qëndruan besnikë, janë po njësoj fajtorë për situatën e demokracisë në Shqipëri. Kanë vetëm dy vjet kohë, ose partitë e vogla duhet të bëhen të mëdha shumë shpejt. Nuk duhet të fitojnë thjesht kundër një partie tjetër, me program, me premtime, me tik-tok e FB.
    Duhet të mundin një sistem.