Edmond Arizaj

Etiketë: perkthime

  • Më shumë protestohet për një qen të vrarë në rrugë se një fëmijë masakruar në Gaza

    Bota ka arritur në këtë pikë. Madje e ka tejkaluar mosndjeshmërinë. Në emër të aleancave, inateve, historisë, mbetjeve kolonialiste e vendimeve të pakorrigjuara mirë prej dhjetëra vitesh, arrogancës e kokëfortësisë së shumë palëve, indiferencës së palëve të tjera, skemave e jointeresit direkt, fëmijë të vrarë, të plagosur, të djegur, gra të shqyera nga bombat e plumbat, shihen live, e maksimumi i reagimit botëror është analiza mediatike me grafikë dhe me numrator. Ndoshta dhe po presin që shifra të barazohet me zero. Por e sigurtë është që një fëmijë ukrainas nuk është i barabartë me një fëmijë të Gazës. Le mos ta imagjinojmë sikur të ishin pesë apo dhjetë fëmijë perëndimorë! 

    Nuk ka asnjë justifikim moral për Gazën! 

    Nuk ka asnjë hakmarrje dhe mbrojtje që 60 përqind të viktimave i ka gra dhe fëmijë! 

    Nuk ka justifikim për këtë ndëshkim kolektiv! 

    Nuk ka asnjë të drejtë ndërkombëtare që justifikon bllokimin vrasës për ndihmë të Gazës! 

    Është budallëk të përpiqesh të gjesh zgjidhje bazuar në histori në këtë rast, qoftë edhe në historinë e tetorit! 

    Bota është bërë kaq e çuditshme, lotë që derdhen rrëke për vrasjen e një qeni dhe asnjë ndjeshmëri pothuaj për një fëmijë në Rafah. E nga ana tjetër, si Izraeli dhe Hamasi po luajnë me jetët si me gogla: Njëra palë duke e çuar në ekstrem hakmarrjen duke pretenduar “fitoren përfundimtare”, që gjithsesi është pothuaj e paarritshme ndaj një populli që nuk dorëzohet, vetëm me shuarje, dhe tjetra duke përdorur fëmijët dhe gratë e gjakut të vete si mish për top, teksa shpreson se një ditë presioni ndërkombëtar do të rritet e do të përkrahë projektin e tyre politik, që gjithsesi mbështetet gjithnjë e më pak edhe nga vendet arabe…Ndërkohë fëmijët vazhdojnë e vriten…

  • Kur dhe si kalbet pushteti?

    E kemi kollaj ta matim kohën që i duhet ujit të mbushur në burimin më të pastër për t’u qelbur; nga 3-7 ditë. Por si të matim kohën e njeriut që “qelbet” në pushtet? Nuk janë më shumë se 3-6 muaj, koha e “qelbjes” në pushtet në një vend me mungesë kontrolli dhe llogaridhënie. Pra brenda 100 ditëve të para dhe maksimumi në 200 ditë pushtet, nisin të ndihen më pak të ndikuar nga mendimi i të tjerëve, mësohen me privilegjet dhe i quajnë të merituara e të padorëzueshme, humbasin empatinë që e tregonin pa hesap më parë. “Paradoksi i pushtetit” i Dacher Keltner, ku njerëzit e mirë që ngjiten, nisin e ndryshojnë, e shpjegon jo keq. Shumë liderë, apo drejtues të lartë institucionesh, vijnë me premtime të mëdha e të bujshme, por brenda pak ditësh, javësh, e ndonjëherë në raste “të mira” muajsh, nisin shenjat e arrogancës, autokracisë, kapjes së institucionit dhe moslëshimit deri në zbythje nga një më lartë. 

    Si të kalb pushteti

    Maksimumi, maksimumi, brenda 6 muajsh, nëse nuk ka kontroll serioz institucional, dhe transparencë, nisin erërat e rënda të nepotizmit, interesave personale, interesave ekonomike, zhvendosjes nga parimet, arriganca dhe mendjemadhësia. Natyrshëm era nuk ndihet shpejt sepse parfumi propagandistik ushqehet po aq fort sa korrupsioni moral e material. Nëse thjesht e mendon, simptomat e kalbëzimit politik janë kaq të dukshme ngado të kthehesh: Vetëmburrja kthehet në sistem shtetëror, kritika përbuzet, institucionet kapen me “të besuar”, fjala publike shumëzohet me 0, promovohet servilizmi dhe çdinjitetëzimi për karierrë. Mos më thoni që nuk keni takuar të paktën një herë në jetën tuaj, një injorant në kultimin e parë të fjalës që pas gjashtë muajsh në pozitë, ju flet juve si zbuluesi i teorisë së relativitetit…të pushtetit. Dhe ju, jeni detyruar ta dëgjoni! Ja kjo është qelbja! 

    Kur qelbet fare? 

    Pra kur dekompozohet, që as e nuhat dot? Kur fillon të besojë se “ai” është shteti, se pa “atë” gjithçka do marrë fund si në kohën e dinosaurëve, se ikja e tij do të jetë njësoj me kataklizëm dhe s’ka Noe ta shpëtojë. Është ajo koha kur pushtetari nuk ka më turp pse nuk i shërben njerëzve, por përkundrazi është i vetkënaqur si sundues, si gjithçkabërës si do vetë pa pyetur njeri, ose thjesht duke iu servilosur “komandantit” sipas rastit. Ky është dekompozimi total që nuk është më i rrezikshëm për ata, por përkundrazi vendin. Ndryshimi i fytyrës nga shërbyes i popullit, në pashanë e popullit, do pak muaj; ndryshimi i pasojave që lënë këta spahinj, kajmekamë e pashallarë. 

    A është populli dashnor i diktaturës?

    Zgjedhjet e fundit, ku fare pak nuk u rreshtuan pas njërit, apo tjetrit “diktator” prej 26 apo 34 vjetësh, nuk tregojnë këtë. Më shumë tregojnë pasiguri, lodhje, e dëshirë për “qetësi”, pavrësisht se ajo është shtypje. Për liri nuk bëhet fjalë, sepse pavarësisht se tingëllon bukur, është e lodhshme, jo duhet të mbash qëndrime, jo parime, jo duhet të flasësh, jo duhet ndonjë sakrificë e vogël, jo përgjegjësi, jo zhgënjime pas zhgënjimesh nga njerëzit e nga pritshmëritë. E lëmë lirinë mënjanë, sepse ne teorikisht nuk e kemi pasur ndonjëherë. 

    Si lidhet “i qelburi” me qytetarin? 

    Krejt thjeshtë, madje krejt lirë. Parimet, idetë, janë hedhur diku në ndonjë kosh, çfarë mbizotëron është: “a fitoj gjë unë, a më jep gjë”. Jo shumë, një vend pune, një leje ndërtimi, një ndihmë ekonomike, një tender, një shuk me euro, një legalizim, një premtim, një projekt…dhe ja ku “i qelburi” i djeshëm edhe në gojën tënde, sot bëhet “burrë i mirë” që të ndihmon. Ky është korrupsioni moral, shumë i frikshëm se ai financiar, sepse ky moleps gjithë popullsinë, jo vetëm pushtetin, dhe pastaj popullsia ndihet në detyrim ndaj pushtetit. 

    Kemi lindur servilë dhe të pazë?!

    Nuk besoj. Nuk besoj se një popull lind i tillë. Por mund të edukohet si i tillë. Breza të tërë që për shekuj janë mësuar ta ngrenë kokën lartë të dëgjojnë se ç’thotë udhëheqësi, dhe ta ndjekin edhe në humnerë, apo të ulin kokën e të skuqin duart nga duartrokitjet kur udhëheqësit u flasin, apo të presin poshtë ballkonit të udhëheqësit mos u hedh një copë ushqim,  nuk e përcjellin perceptimin e lirisë si të drejtë, por si rrezik. Le t’i shtojmë pak kësaj edhe sjelljen “kombëtariste” e rajonale të shpëtimtarit të madh dhe klonëve të tij shpërndarë kudo, që përsërisin deri në mërzi se “ay” është mbrojtësi i kombit, “ay” bëri mrekullira, “ay” vendosi rregull e bëri shtet, e njerëzit të trembur se mos kush e di ndodh ndonjë hata, mblidhen mes tyre duke pëshpëritur “të paktën ka rregull, se mbani mend si ishte dikur”. Ky është dorëzimi i lirisë. Por ashtu siç populli mësohet me diktaturë e diktatorë realë, apo kopje, të vegjël a të mëdhenj, po ashtu mund të mësohet edhe të mos i pranojë më. Duke nisur nga klonët në periferi. Do kohë, do guxim, do vetëdije, do dhe ndonjë vrimë të vogël në murin e frikës, për të hyrë sadopak dritë. 

  • Rregullorja “Macron” për shuplakën në publik

    1. Nëse një burrë ngre dorën ndaj një gruaje, është dhunë e patolerueshme. Nëse një grua ngre dorën ndaj një burri, është një shaka e pafajshme mes çiftit.
    2. Kur një burrë goditet nga një grua, ai duhet të buzëqeshë dhe të pranojë me humor. Çdo gjë është ok.
    3. Nëse një burrë ankohet për një shuplakë, ai është i dobët. Nëse nuk ankohet, ai është i pandjeshëm.
    4. Kur një burrë goditet në publik, është një moment argëtues për të gjithë. Kur një grua goditet në publik, është një krizë kombëtare.
    5. Nëse një burrë refuzon të pranojë një shuplakë si shaka, sidomos duke zbritur nga avioni, ai nuk ka sens humori.
    6. Nëse një burrë goditet nga gruaja e tij, është një shenjë e dashurisë së tyre të thellë. Duhet ta provoni dhe ju.
    7. Nëse një burrë ngre dorën ndaj një gruaje, është një akt i neveritshëm. Nëse një grua ngre dorën ndaj një burri, është një moment i fuqizimit femëror.
    8. Kur një burrë tregon shenja të dhunës, ai është një rrezik për shoqërinë. Kur një grua tregon shenja të dhunës, ajo është e guximshme. Ndonjëherë edhe edukuese.
    9. Nëse një burrë kërkon ndihmë pas një incidenti të tillë, ai duhet të rishikojë burrërinë e tij.
    10. Në çdo rast, burrat duhet të jenë të fortë, të heshtur, të respektojnë moshën dhe të pranojnë gjithçka me dinjitet. Sidomos kur “leksioni” vjen në formën e edukimit mësimor.
  • Duke analizuar Barberon

    A po shkojmë drejt “1914” të shekullit XXI?

    Kur historia flet dhe nuk dëgjohet, do të ulërasë në të njëjtat plagë

    Alessandro Barbero, është një mjeshtër i narrativës historike, jo i zakontë, hulumtues mikroskopik i detajeve, ironik. E ka kthyer rrëfimin e historisë në një art dhe veten në një “pop star”. Por është po aq tragjik, paralajmërues, dhe hidhësisht i vërtetë kur jep të dhënat, ngjashmëritë e frikën mes epokave, duke qenë pothuaj përfaqësuesi i postulatit “historia përsëritet”. Të njëjtën gjë bëri ai rreth dy vjet më parë në një manifestim kundër riarmatimit, kur ngjarjet dhe realitetin e para Luftës se Parë Botërore i krahasoi me ngjarjet dhe realitetin e sotëm. Le ta detyrojmë pak trurin të stërvitet duke mbivendosur këto ngjashmëri të frikshme.

    1. Barbero foli për kohët e gjata të paqes në Europë. Si atëherë para 1914, si sot prej 1945, fuqitë e mëdha prej dekadash nuk luftonin mes tyre. Sigurisht Ballkani bënte përjashtim, sepse ai nuk e njihte paqen. Ndoshta është krijuar iluzioni i sigurisë dhe ideja se shtetet e fuqishme nuk do të përplasen kurrë mes tyre, duke i shkarkuar tensionet diku në Afrikë, por Ukraina, tensionet SHBA-Kinë mbi Taivanin, Deti i Kinës Jugore, e zerojnë iluzionin.
    2. Barbero foli, dhe ai u referohet gjithmonë fakteve, për helmimin e trurit nga diskursi publik dhe letërsia u quajt “letërsia e luftës së ardhshme”. Me dhjetëra e qindra libra: Si do të sulmohet vendi ynë; Si të mbrohemi. Anglia kryesonte renditjen me libra si do të sulmohej Anglia nga Franca, pastaj nga Rusia dhe më së shumti nga Gjermania. Ideja e luftës së pashmangshme tashmë po zë vend fort edhe në këto kohë, kur që prej 2014 media, think-tank-et, analizat gjeopolitike, ekspertët me ekspertizë, apo jo, rrjetet sociale janë të mbushura me narrativa, video, numërim ushtrish, apo përplasje epokale mes demokracisë dhe autokracisë, Perëndimit dhe Lindjes, SHBA dhe Kinës, SHBA dhs Rusisë. Njësoj si dikur që na thotë Barbero, publiku është i intoksikuar me frikë, dhe kërkesë për mbrojtje e siguri.
    3. Barbero foli për frikën e fuqive të mëdha nga fuqia fqinjë. Për Gjermaninë që ndihej e frikësuar nga flota angleze e për Francën e trembur nga këmbësoria gjermane. Vendet dukeshin të dobëta dhe kërkonin aleanca. Të tjerë fuqi këto aleanca i shihnin si rrethime. Ikim nga fotografia bardhë e zi e para 1914 dhe vijmë në fotografinë dixhitale të epokës sonë. A nuk e sheh Rusia aleancën e NATO si rrethim? A nuk pretendon Kina se perëndimi kërkon ta mposhtë? A nuk thërret SHBA se po kërcënohet? Pra “po na rrethojnë” është qëndrimi i çdo fuqie të madhe në botën e sotme dhe secila, ashtu si dikur si na e shpjegon Barbero kërkon mbrojtje, sigurisht mbrojtje dominuese jo thjesht brenda oborrit.
    4. Barbero foli për aleancat që krijojnë efekte të papritura si Rusi-Francë 1894, apo Angli-Francë 1904. Sepse një Gjermani e mbetur jashtë këtyre aleancave pyet veten: Po këta e paskan me mua! Pra aleancat nisen për siguri, dhe ndjellin frikë. Ja ku vijmë në epokën tonë, ku NATO shtyn kufijtë e saj në Lindje, Kina forcon marrëveshjet me Rusinë dhe Iranin, BRICS kërkon një rend alternativ, vendet afrikane duan edhe ato revansh. Rreziku është njësoj si dikur: Një shkëndijë e vogël mund t’i përfshijë zinxhir aleancat në luftë dhe Franc Ferdinandi i dikurshëm të jetë Ukraina, Tajvani, Gaza.
    5. Barbero foli për riamartimin e atëhershëm, shtetet nuk ndaleshin. U arrit deri në 50 përqind e buxhetit të çdo shteti të shkonte për armatim. Cili shtet sot nuk po riarmatoset? Edhe Gjermania, që për 80 vjet ishte në letargji, u zgjua, si ai ariu që nuk dihet ku do sulmojë e çfarë do kafshojë. Po SHBA, Kina, Rusia, Franca, Anglia e të tjerë me rradhë, çfarë po bëjnë? Të gjithë duke shtuar arsenalet ushtarake. Sistemet raketore që instalohen kudo, ushtritë që rriten në numra, mjetet motorike në tokë, det e ajër që prodhohen me shpejtësi, financohen në emër të mbrojtjes nga njëra anë, por perceptohen si kërcënuese nga ana tjetër. Spiralja e paranojës ka kohë që ka filluar.
    6. Barbero foli për militarizimin e kulturës publike. Kur romanet e luftës, u zëvendësuan nga udhëzuesit e luftës, shkruar nga gjeneralë. Si gjenerali gjerman fon Bernardi në 1911 me librin “Gjermania dhe lufta e ardhshme” me kapituj si: E drejta për të bërë luftë, Detyra për të bërë luftën, apo të dominosh botën ose të biesh. Barbero nuk e përmend, por Bernardi ka dhe një kapitull me titullin “Lufta si nevojë biologjike”. Deri sa vihet në deklarata si ajo e komandantit të ushtrisë gjermane fon Moldke që në fillim të 1914 deklaron: Tani jemi gati dhe sa më parë, aq më mirë. E kishte fjalën për nisjen e luftës. E përshpejtojmë kohën nga fillimi i shekullit XX në fillimin e shekullit XXI. Në vend të literaturës civile, mbizotëron strategjia për dominimin ushtarak në yotube, tik-tok, e facebook, podcastet janë të mbushuara me analiza luftërash dhe cili shtet del fitimtar, videolojërat kanë kaluar nga WW2 në luftën SHBA-Kinë, memet bëhen për raketa, ushtarë, tanke e armatime, evokohen trimëritë e ushtarëve në luftërat botërore. Nuk është gjë tjetër kjo e sotmja, veçse përgatitje në mënyrë të zbutur e mentalitetit të njerëzve për luftën. E për ta kompletuar ngjashmërinë e frikshme të kësaj fotoje dixhitale me bardh e ziun e 110 viteve më parë: deklaratat e ushtarakëve më të lartë të fuqive dhe aleancave që nga sekretari i përgjjthshëm i NATO, nuk u lënë gjë mangut atyre të gjeneralëve me fon, apo kolonelëve me sir.
    7. Barbero flet për frikën si motiv për sulm. Gjermania kur e ndjeu se po humbte epërsinë, nisi të konsiderojë luftën si zgjidhje. Brrr, çfarë ngjashmërie me analizat që flasin për një veprim përpara 2027, i njohur si viti i Tajvanit. Por nuk mbetet vetëm këtu, vetëm me shikimin e vëngërt amerikan për ngjitjen e Kinës. Analizat sekrete që si “rastësisht” zbulohen nga mediat për një luftë brenda pesë viteve të ardhshme, deklaratat pastaj hapur nga ish-ushtarakë të lartë, apo të tjerë që mendojnë se jemi shumë pranë saj, e bëjnë gjithë situatën po aq tragjike sa ç’përshkruan Barbero para 1914, e që e dimë tashmë se çfarë solli më pas. Shtoji kësaj armatimet aktuale…E dikush, apo disa do të duan të ruajnë epërsinë, dhe armët janë mjeti i fuqive që shohin se po bien.
    8. Barbero nuk është fatalist, megjithë pesimizmin, që nuk e fsheh dot pas një “poker face”. Ai thotë nuk jemi njësoj si atëherë, ka më shumë institucione, jemi më të kulturuar, ka më shumë ndikim ekonomia dhe lidhjet mes vendeve janë më të ngushta. Vetëm se, politika, ushtria dhe opinioni publik po operon prej kohësh me mentalitetin e para 1914…dhe frika e shpresa mbetet që ne në këtë epokë, siç thotë profesori Barbero, mos t’u ngjajmë shumë atyre të epokës së para 110 viteve, që i parapriu vetvrasjes së Europës në 1914.
      “Lufta” është kthyer në një fjalë ordinere, mund ta thotë kushdo, ta parashikojë kushdo, ta tallë kushdo, e të trembet kushdo. Flitet për mbrojtje atomike, prodhime tankesh, shtim ushtarësh, drone, sisteme antiraketë, sisteme hapsinore, raketa interkontinentale, nëndetëse, aeroplanmbajtëse, bëhen krahasime armatimesh e ushtrish mes shtetesh, simulohen sulme dhe kundërsulme bërthamore…deri tek numërimi i të vrarëve dhe të mbijetuarve. Bota ndoshta nuk është çmendur. Bota ndoshta ndodhet në një epokë që kush e di si do e rrëfejnë ata të tjerët 100, apo 200 vjet më pas…apo 500 vjet më pas.
  • Si e lashë dashnoren më të ndyrë!Miku im! Mos ja bëj qejfin! Lere edhe ti!

    Sot u bënë plot 11 vjet që u ndava prej saj. Nuk ndeza qiri për ta kujtuar. Nuk u ula askund për tu zhytur në nostalgji. Lot, as që bëhej fjalë. Madje, tani që e mendoj, as e kisha hiç në mendje, as e ndjeja në gjoks mallin, e as dikund tjetër. Por sytë më tradhëtuan.

    Teksa panë një palë buzë që e puthnin, thithnin, ndjenin, kënaqeshin njësoj si unë dikur. Teksa shihja qepallat gjysëmmbyllur nga kënaqësia, mendova trishtueshëm: Paska rënë edhe ky në dashuri me shtrigën! Nuk e përçmova! E di, e di mirë, ajo dashuri është e verbër. Sytë të hapen vetëm pasi ndahesh. Por kjo është kaq e vështirë! E di dhe këtë! Sidomos me një dashnore që e gjen kudo, kurdo, ngado, në mëngjes, në drekë e në darkë, në divan, në tavolinë, në karrige e në krevat, në xhep, në çantë, në dasëm, në varreza, në kafe e në raki.

    Cigarja! Kështu quhet! Dhe unë kam qenë “legjendë”, me katër paketa në ditë, ndonjëherë edhe më shumë. E lija çdo natë, kur mushkëritë më përvëlonin, koka më plaste, goja erëmbante më keq se qenefi, rrobat shpërndanin aromë a thua i kishin mbajtur derrat në një ballo mbi plehra…dhe e nisja sërish në mëngjes, duke e shtyrë lënien për darkën e rradhës…

    Unë nuk isha ndarë kurrë prej saj, që në adoleshencë, kur volla për herë të parë pasi e provova. Më duhej një shoqe meditimi, ajo aty, më duhej të mbysja një ndjenjë, ajo e gatshme, më duhej frymëzim, ajo thoshte “po” e para…Ishte dashuri e fortë, sidomos kur zgjaste ndonjëherë nga mëngjesi në mëngjes. Ishte dashuri pa kushte.

    Ajo nuk më detyronte. Ajo nuk fyhej kurrë; as kur e shaja bashkë me shokë të tjerë duke e sjellë nëpër duar, as kur e hidhja në ndonjë rrjedhë uji, as kur e shkelja me këmbë, madje as kur e shpërdoroja duke e përdorur. Si duket ajo qeshte dhe tundte kokën verdhacuke (apo bardhoshe sipas rastit) sikur të thoshte: Do ta shohim!

    Dhe e pamë! Unë e pashë! Mushkëria ime e pa! Koka ime! Zemra ime e pa më mirë! Dhe 11 vjet më parë më dhanë ultimatumin e fundit: O me ne, o me dashnoren tënde të ndyrë! Vendos! Një ultimatum që erdhi me mjekë, me ambulanca, me frikë…Dhe unë vendosa të iki, jo nga jeta, nga dashnorja.

    Nuk e ndeza më kurrë cigaren. Zemra ime vetëm më falënderon. Nuk e thitha më kurrë tymin duke i çuar të fala mushkërive dhe dhimbjes së kokës. Po, edhe me shokët e miqtë, u bëra ndonjëherë grindavec, për cigaret dhe tymin…unë që grindesha pse kishte tym duhani hahahahha, dukej si shenjë apokalipsi. Por ishte bukur. Është bukur.

    Ndaj miku im, kushdo qofsh, mos mendo se “gjyshi im vajti 90 vjeç duke pirë cigare”, apo “unë pi vetëm të zgjedhura”, apo “kush e di ça problemesh kishte ky, unë kam zemër çeliku dhe mushkëritë më dolën të bardha”…ashtu mendoja dhe unë, madje dhe ca më shumë.

    Është dashnorja më e keqe, lere! Vetëm të rrjep dhe s’të jep asgjë, lere! Të puth, për të të vrarë, lere! Lere miku im, lere ti i pari, sepse po të la ajo…mund të jetë vonë! Mos dëgjo askënd që të thotë “nuk ia del dot”. Unë kam qenë plotësisht i varur prej saj, dhe jam sot i lirë!

    Sado më fton, më josh e më lutet në atë mëngjesin me kafe, në atë pasdrekën e shijshme, në mbrëmjet kadife, në atë tryezën me bisedë të këndshme, në atë tavolinën e lojës, në mendimet e mia më të thella dhe haluçinante, në mërzitjet më të mëdha, a gëzimet më të papërmbajtura…veç e tall, dhe e përbuz. Nuk ndjehem më i gjallë, duke u vetshkatërruar pa e ditur.

    E kujtoj në fakt, njëherë në javë, apo dy javë me ndonjë puro, të cilën e shijoj si një simbol të një jete të dytë të dhuruar e që unë e kontrolloj për të mos e hedhur më poshtë të paktën për një dashnore të ndyrë, erëqelbur, tinzare e të pabesë. Miku im i panjohur! Merre jetën në dorën tënde! Mund të mendosh edhe pa cigare, mund të krijosh pa cigare, mund të jesh burrë pa cigare, mund të shesësh pordhë pa cigare!
    Lere!

  • Si duhet ta nisë opozita?

    1. PD, por sidomos partitë e reja (nuk janë të vogla), betejën e tyre në Parlamentin e ardhshëm duhet ta fillojnë me ndryshimin e kodit zgjedhor. Votat e marra në gjithë Shqipërinë psh nga Adriatik Lapaj, dhe të papërfaqësuara për shkak të kodit elektoral, janë pak të thuash e turpshme për politikën shqiptare. Asgjë tjetër nuk është më e rëndësishme se kjo.
      Ata duhet ta detyrojnë PS, të gjejnë mënyrat, pavarësisht peshës së saj shtypëse në sallë, që të hyjë në diskutime serioze për një kod serioz, pa përjashtuar askënd nga diskutimi, madje as shoqërinë civile e mediat.
    2. Partitë e reja, do ishte mirë të gjenin mënyrën e krijimit të një grupi parlamentar, jo thjesht për përfitimet e zakonshme, por sepse ata kanë një seri propozimesh ligjore për të bërë, dhe të vetëm nuk do të kenë pothuajse fare fuqi. Kombinuar kjo dhe me karizmën tashmë mediatike, zëri i tyre mund të shumëfishohej.
    3. Pavarësisht premtimeve të Adriatik Lapaj se do të tërhiqet nëse marrin më pak se dy deputetë dhe vendosmërisë së Arlind Qorrit për të mos hyrë në Parlament si numri një në listë, partitë e tyre dhe këta vetë duhet ta thyejnë këtë premtim. Do të duhet shumë kohë që të tjerët pas tyre të krijojnë respekt brenda parlamentit. Pavarësisht gjithçkaje mendoj se Lapaj dhe Qorri i duhen foltores.
    4. Është e vështirë, por Partia Demokratike, që ka nevojë urgjente për riformatim, deri në rithemelim, (që nuk duket se do të ndodhë pa u thërritur Berisha nga i Madhërishmi), duhet të bjerë dakort që në foltore të paraqitet me fytyrat e saj më të reja, me tonalitete të ndryshme, me fjalime me ku të dallohet ligjërimi publik, aftësia intelektuale, largësia nga rruga.
    5. Sigurisht duhet të përgatiten për një periudhë të vështirë, arrogance, shtypjeje, mospërgjigjesh, indiference dhe intimidimi. Partitë e reja, pavarësisht pretendimeve, referuar kushteve dhe vendit, kanë marrë një rezultat të mirë.
  • Rrënimi, dorëzimi, SHPRESA

    Në 34 vjet kemi ndërtuar një shtet që:
    NUK të edukon-arsimon, NUK të mbron, NUK të shëron, VETËM të gjobit.

    Në 34 vjet qytetarëve u është thënë: Prisni pak se po ndërtojmë shtetin…çka u ndërtua ishin vetëm vilat, resortet dhe pasuritë e politikanëve, qytetarët u plakën duke pritur shtetin.

    Paradokse 1:

    Studentët marrin diplomë që u shërben për emigrim.
    Avokatët më shumë lobojnë se sa të mbrojnë.
    Partitë janë kthyer në grupe interesi me logo.
    Qendrat shëndetësore inagurohen në fshatra ku s’ka më njerëz.
    Të ndershmit jetojnë më keq, të diturit vlerësohen më pak, të nderuarit tallen më shumë.
    E mira konceptohet si naivitet, e keqja si zgjuarsi.
    Vota në shumicë, më shumë jepet për interes të xhajës në punë të mirë, a shpresës se daja do marrë një post të lartë.
    Vendi nuk shihet më si shtëpi, por si stacion tranziti.
    Nëse pyet çdo të ri çfarë zgjedh mes pasaportës gjermane a britanike dhe reformës së suksesshme në drejtësi, vështirë se shumica kanë ëndërr këtë të dytën.
    Emigrimi ka arritur kulmin e shkaqeve: njerëzit nuk ikin nga varfëria fizike, por nga neveria morale.
    Ikin sepse Shqipëria nuk është më vend ku ëndërron, por ku vetëm duron dhe ikja është revolta e pakthyer në protestë.
    Nëse kujton: Ku është mjeku më i mirë i lagjes? Gjermani. Ku është infermieria që të vinte edhe në tre të natës për djalin? Itali. Ku është Besi që të rregullonte telefonin, televizorin, radion, kompiuterin? Në USA.
    Edhe ata që kanë mbetur këtu, janë vetëm fizikisht sepse jetojnë në Tik-Tok të Italisë-Anglisë e Amerikës, në Youtube të Zvicrës e Austrisë e në ëndërrat gjermane e holandeze.
    Emigrimi nuk është thjesht para e ardhur mbrapsht, është plagë që kullon kur nënat qajnë çdo mbrëmje në heshtje pse fëmijët s’kanë marrë dot leje, kur fëmijët rriten me zërin dhe fytyrën e Watsapit, kur gjyshërit vdesin vetëm sepse të gjithë janë jashtë duke punuar.
    Vendi është i bekuar, e thonë të gjithë, vetëm Zoti nuk ka bërë ende një status në FB e tij që nga 1990.
    Heshtja është mënyrë jetese, “Ç’të duhet, ç’fiton, mos u përziej nuk ndryshon gjë”, vargjet e nënshtrimit.
    Mund të shohësh padrejtësi përditë, por shkon tutje me një “ç’të bëjmë vlla”.
    Feja, familja, shoqëria janë pjesë e së njëjtës simfoni heshtjeje.
    Të gjithë rrinë në rradhë duke thërritur “Drejtësi”, e kur u vjen rradha…”anonim të lutem”.
    Dhe ja ku e kemi njeriun e ri shqiptar, i butë nga jashtë, i thyer nga brenda.
    Për 34 vjet e keqja ka fituar status, nuk duket më e keqe kur i korruptuari përherë ngjitet në karrierë, hajduti gjithmonë shpallet vizionar, mashtruesit shpeshherë bëhen drejtuesa, servilët janë absolutisht “çunat e mirë”.

    Paradokse 2:

    Jemi mësuar të durojmë, jo të ndryshojmë.
    Ndryshimi na duket tashmë rrezik, të mësuar me të keqen që tashmë e njohim, megjithëse është e keqe.
    Nuk duam të ndryshojmë, sepse ka përgjegjësi, ndërsa siç jemi mjafton vetëm të ankohemi, të akuzojmë dhe t’i hedhim fajin tjetrit.
    Të duash ndryshimin do të duhet të flasësh, të rrezikosh, të shfaqesh, të ballafaqohesh, të dështosh, të sulmohesh…është më lehtë të thuash “s’kemi ç’bëjmë”, se sa “mjaft më”.
    Jemi filozofë të “më keq s’ka ku shkon”, dhe jo “duhet bërë shumë më mirë”, prandaj këshillojmë “mos u përziej”, “mos u ndje”, “ky qe fati”…kolektivizim i mesatares së mesme në të ulët.
    Ende nuk e kemi kulturën e guximit: Nuk mendojmë a është e drejtë, por a do fitoj gjë, apo a më dëmton mua.
    “Ai s’flet, por mua ç’më duhet”, kurajoja e zëvendësuar me llogari, ama nëse dëmtohesh personalisht revoltohesh sa e marrin vesh edhe eskimezët.
    E keqja është bërë pjesë e jona, nuk na trondit më, nuk na skandalizon, nuk na bën të reagojmë, nuk na nxjerr nga topitja…thjesht rrudhim buzët, hajt se tre ditë zgjat, rrufisim kafenë-ndezim cigaren. Ec!
    E quajmë normale që djali i ministrit ka kompani ndërtimi, që vajza e deputetit fiton tendera, që dhëndëri i drejtoreshës merr konçension, që nipi i filanit hap tre biznese pa ditur sa bëjnë 4X7…na ka hyrë në gjak sistemi familjar dhe nuk e kërkojmë sistemin institucional. Të rinj, mos u mërzisni, nuk jeni të paaftë, por tek ne suksesi nuk është meritë, është trashëgimi.
    Nuk ka vetëm trashëgim pasurie, por edhe fijet dhe rrjetat e miqësive dhe pazareve; nuk ke nevojë për diplomë Oksordi, por për dajon në Bashki, s’të duhet përvojë, por krushka tek prokurimet, mos u lodh për ide, tako hallën në katin e tretë të ministrisë.

    Korrupsioni është gjenealogjik.
    Kush ka qenë “i madh” në komunizëm është sërish, apo janë trashëgimtarët dhe degët e tyre. Janë po ata, veçse me logo të ndryshme, veshje të shtrenjta, fjalor të lëmuar demokratik.
    Në Shqipëri trashëgohet aksesi tek e keqja, ndërsa pasuria është forma e vetme e “dashurisë prindërore”.
    Të suksesshmit janë ata që ulin kokën, jo që ngrenë zërin, sistemi ka fuqinë të të vejë kundër vetes duke të bindur se je ti fajtori.
    Shqipëria është mbushur me të dorëzuar: Me gotën para dhe cigaren që nuk e fikin, me buzëqeshje cinike, me humor e revoltë…në rrjete sociale, me shprehjen masakruese “nuk ia vlen, nuk bëhet ky vend”, nuk flet më, nuk proteston më, nuk padit më, nuk kërkon të drejta, thjesht pranon të keqen si të pashmangshme.
    Ata trashëgojnë fijet dhe pasuritë, të tjerët trashëgojnë tek fëmijët largimin; kur u thonë “mos fol ç’të duhet”, “mos kundërshto”, “mos pyet”, “mos ëndërro Shqipëri tjetër”, “mëso shumë, të ikësh në Gjermani”.
    Ata i pregatisin fëmijët të marrin pasuritë, shumica i përgatit të ikin nga vendi, të mos përballen.
    Ata i përgatisin fëmijët të marrin çdo gjë në dorë, shumica i përgatit të heqin dorë.
    Të rritesh me dinjitet, të punosh me përkushtim, të flasësh me kurajo, është vetshkatërrim i ngadalshëm, jo pse je i rrethuar me armiq, por sepse ke ngado të dorëzuar. E kur të dorëzuarit bëhen shumicë, e keqja ecën dhe jeton mes nesh si normale.

    Shpresa

    Një brez i ri, ndoshta i rritur larg Shqipërisë, por me dashurinë e pashuar për vendin mbajtur gjallë nga prindërit, që nuk ulet në zyra duke pritur rradhën për ndonjë miqësi, që shkon në konkursin, apo intervistën e punës pa telefonatën e mikut, që nuk bën selfie me pushtetin edhe pse i ka mundësitë, që nuk reciton e këndon bashkë me të keqen duke e trajtuar si të mirë.
    Ai brez që të keqen nuk e sheh si urë për të përfituar vetë me familjen, por si mur që duhet rrëzuar e thyer bashkë me moshatarët e vet.
    Ai brez që nuk e kërkon pushtetin të nesërmen, por me kohë, sepse e di që e keqja ka rrënjë të thella, por nuk lodhet, nuk dorëzohet, nuk hesht. Ai brez mëson, studion ligjet, njeh sistemin, kupton njerëzit, nuk zhgënjehet menjëherë, e njeh përbindëshin që duhet të mundë dhe nuk kapitullon.
    Ai brez i rritur pastër, edukuar mirë e shkolluar bindshëm, që flet kur sheh padrejtësi, që nuk e injoron, apo përqafon korrupsionin, që kur sheh zullumqarë e injorantë të ngritur nuk i duartroket, por u ulëret, që nuk bën teatër me veten si paraardhësit, që nuk lejon të shitet e gjitha e ai të përfitojë për vete një majë gjilpëre, që nuk e sheh ndershmërinë si barrë e budallallëk, e as fjalën si luks.
    Ai brez do mësojë fëmijët të qëndrojnë, jo të ikin, të kërkojnë drejtësinë edhe për të panjohurin më shumë se pak përfitim për vete, të mos i ngjitet pushtetit si miza mjaltit.
    Ai brez do t’i kalojë e tejkalojë të gjithë brezat e mëparshëm, sepse do të tejkalojë mendësinë e kokës ulur, heshtjes dhe shpresës duke mbajtur rradhën.
    Ai brez i bekuar do e shohë Shqipërinë si projekt, e jo si trashëgimi, e atë projekt do e bëjnë të dashur e të banueshëm, jo aq fizikisht, por shumë më tepër moralisht.
    Është ai brez që do e shohë veten si qytetar e jo si “shef pushtetar”, që nuk do të krenohet me pasuritë e vëna nga karrigia që i dha populli, ai brez do të kuptojë se vendi nuk ka nevojë për shumë liderë, por për më pak mashtrues. Ai brez nuk do e shohë votën si biletë llotarie për hallin e vet personal, por si pasqyrë të ndërgjegjes, si përfaqësim vlerash.
    Sigurisht që do i tallin, do i përqeshin, do i nënvleftësojnë, do u thonë “fëmijë idealistë e utopistë, që nuk kuptojnë nga jeta”, por pastaj do i kenë frikë, sepse ai brez nuk fshihet, nuk blihet, nuk mbledh supet e rrudh buzët, nuk reciton nën buzëqeshjen e udhëheqësit.
    E ndoshta atëherë, edhe mijëra të rinj të aftë, por pa miq, mijëra të tjerë të kërrusur që herët me idetë e pasurimit, grabitjes e karrierrizmit pa meritë, do të mblidhen me njëri tjetrin e do të vendosin: Ky vend nuk është për të ikur, është për t’u bërë. Hajde ta pastrojmë dhe ta bëjmë. Ka ndodhur në vende të tjera, patjetër do të ndodhë edhe në Shqipëri.

  • Sikur të ishin personazhe kartonash…

    Edi Rama- Frolo (Kurrizo i Notredamit)

    Fuqi absolute, kontroll mbi të gjithë, kërkon të kontrollojë edhe ndenjat, mendon se është i përzgjedhur dhe në anën e duhur të historisë, çdo veprim i tij është për një qëllim madhor, çdo gjë ka lidhje me të-të gjitha rrugët të çojnë tek ai, mendon se katedralja nuk i është dhënë përkohësisht për ta mirëmbajtur, por se i takon me të drejtë dhe mund të bëjë çtë dojë edhe ta djegë, predikon moral teksa ndizet flakë nga pasioni për kontroll mbi çdo gjallesë, nuk duron kundërshtinë, idhnak deri në çmenduri me atë që jeton jetën e tij pa e lajmëruar, aleanca vetëm me të fortët, shpresa për të dobëtin, nuk i pëlqen dashuria, por nënshtrimi, flet për drejtësi dhe përdor çdo mjet jo të drejtë për pushtetin, i gjatë por i pëlqen hija që bën, ka një vetëdije se është më i zgjuari, më dinaku, më i stërholluari, më i lexuari, më i dituri, më modernisti, më sexi, më i pazavendësueshmi, më i madhi se mbi të gjithë të gjallët dhe të vdekurit, duartrokitet e brohoritet sepse është mjeshtër në shpërndarjen e lëmoshës dhe ndihmës së dhënë nga bujarët, sikur e nxjerr nga xhepi i tij.

    Erion Veliaj- Skar (Mbreti Luan)

    Intrigant, kërkon pushtet me çdo kusht, armiqtë i bën miq e miqtë armiq, askush nuk e kupton sa vuan nën liderin, teatral, mjeshtër i monologut, artist i planifikimit strategjik, premton ç’ka s’është e tij, ka një tufë që e ndjek pa pyetje sa kohë ka pushtet, hyn në aleanca të rrezikshme, rrëzohet nga të tijtë, braktiset, harrohet.

    Sali Berisha- Hadi (Herkuli)

    I vrullshëm, kalkulues, gojëtar, cinik, herë-herë komik, me hijen e vdekjes gjithmonë në fytyrë, i bindur se i janë bërë padrejtësi dhe rikthehet për “nder politik”, karizmatik dhe duket sikur ka një jetë që do të rrëzojë Zeusin nga pushteti duke thirrur në ndihmë edhe të burgosurit.

    Lulzim Basha- Pinoku (Pinoku)

    Një kukull që gjithmonë e lëviz dikush tjetër. Dëshiron të bëhet djalë prej vërteti (lider) por është shumë naiv, dhe gënjeshtar. Bie gjithmonë në grackën e dikujt, bën gjithmonë budallëqe, bën si i zgjuar dhe inteligjent, kërkon përherë një mbështetje edhe pse janë të rrezikshme, flet me fjalë të mëdha duke mbetur i vogël, jep premtime që s’i mban.

    Belinda Balluku- Ursula (Sirena e Vogël)+Maleficent (Bukuroshja e fjetur)

    (Dy në një). Kontroll absolut, triumf mbi çdo kundërshtar pavarësisht sa kohë duhet, mister, ligësi me ëmbëlsi, fuqi, pushtet, tentakula mbi çdo gjë-ujë-ajër-tokë, e frikshme kur zemërohet, e trembur vetëm nga Tritoni-ëndërra e vetme në sirtar tridhëmbëshi i Tritonit, armike e çdo gjallese tjetër, nëse nuk i shërben të transformon, shndërrohet në këngëtare dhe kërcimtare nëse ka interes.

    Monika Kryemadhi-Cruella de Vil (101 dalmatët)

    Stil i pazakontë, e zhurmshme, e rrëmujshme, dramatiko-melankolike, e dëshiruar për të lënë gjurmë, harron mondanitetin kur flet ashpër, nuk dorëzohet kurrë pa lënë shenjë, vaniteti i kthehet në makth dhe ankth.

    Arlind Qorri- Kuasimodo (Kurrizoja i Notre Dam)

    Idealist pothuaj i vetmuar, i sinqertë, jeton brenda kambanës së tij ideologjike, larg luksit, bindjet e tij duken të vjetëruara-ai beson në zemrat e pastra kur gjithçka rrotull vjen era pleh, ëndërrimtar utopist, dëshiron shumë të ndihmojë të varfërit dhe planifikon të bëjë Robin Hudin e ligjshëm-ua merr të pasurve dhe t’ua japë të varfërve, i pëlqen të duket altruist.

    Ilir Meta- Jafar (Aladini)

    Përherë i pakënaqur, fuqi-pushtet-mundësi, sërish i pakënaqur, kërkon gjithmonë më shumë, kërkon gjithmonë fronin-nëse s’e merr do ta kontrollojë, planet më të mëdha ua beson njerëzve më të paduhur që e tradhëtojnë përherë në fund, me vetbesim të verbër pa menduar aleancat e kundërshtarëve, për një kohë magjistar për pushtetin, fuqi e madhe në një hapësirë të vogël.

    Agron Shehaj- Simba (Mbreti Luan)

    Prejardhje fisnike, mjaullima i duket si hungërimë, ndonjëherë futet në telashe nga naiviteti dhe dëshira për t’u dukur, ende nuk e di a është gati për fronin, apo duhet të prese ende, fantazmat e të shkuarës e torturojnë megjjthëse këndon, është rritur larg realitetit por “hakuna-matata” nuk pi ujë-i duhet përballje, i zgjedh miqtë jashtë rrethit ku u rrit, ikën nga të tijtë-krijon habitat të ri-ëndërron rikthimin.

    Adriatik Lapaj-Herkuli (Herkuli)

    Në kërkim të vendit të vet mes njerëzve, beson se mund të ndryshojë botën, tregon muskujt sa herë ka spektatorë, shumë zhurmë, shumë fjalë, ka fuqi që nuk i menaxhon dot, qëllime të mira, por i ngatërron me vetglorifikimin, dëshiron dhe ëndërron të jetë hero, gjithmonë i duhet pak ndihmë për betejat e tij, kërkon gjithmonë të matet me më të fuqishmit, i pëlqen lëvdatat.

    Belind Këlliçi-Piter Pan (Piter Pan)

    A do të rritet ndonjëherë? Duket sikur jeton në ëndërr ku betejat e tij janë përherë të drejta, por ai vetë gjithmonë viktimë.

    Erion Braçe- Zazu (Mbreti Luan)

    Flet, flet, flet, flet, …let, …et, …t. Shërben si këshilltar i mbretit edhe kur nuk i kërkohet, gjithmonë me një ndjesi paniku dhe kritike për diçka që kush e di ku ka ndodhur, moralist, i përkushtuar, irritues, i lodhshëm edhe pse ka të drejtë, e merr çdo rol më seriozisht se ç’duhet edhe kur askush tjetër nuk e merr seriozisht, nuk bën fjalë kur mbreti e kthen në trajnim gjahu për të pëlqyerin e tij, besnik deri në kafazin e fundit.

    La Civita- Tomi (Tom&Jerry)

    Prolog me muzikë, fjalë, zhurmë, gjëmime, kërcënime, frikë-epilog me mjaullima, bën plane që gjithmonë i kthehen kundër, asnjë fitore deri tani përballë miut që do e hante bufi e jo më shqiponja, ka problem me përshtatjen-mendon se është në realitet kur është në një film që ndërron veç skenat dhe rregjizorin e ka kundër.

    Niko Peleshi- Lefou (E bukura dhe bisha)

    Shërbyes i bindur pa individualitet, gjithmonë pas Gastonit që fryhet duke qeshur me batutat e tij, duke e brohoritur për çdo ide shefin, i butë, i lëpirë, i pathyeshëm për të mbijetuar, nuk bën gjë vetë por ama në çdo tryezë është i pranishëm, shtiret si i padëmshëm, është gjithmonë pranë pushtetit, mediokër, të gjithë nuk e llogarisin-ai bën veç llogaritë e tij, nuk kërcënon kurrë, nuk inatoset, nuk ka stil, nuk bën art-megjithatë udhëheqësi i fshatit e pëlqen.

    Pandeli Majko-Sinbad Detari (1001 net)

    I plakur, i zbardhur, tregon histori të shkuara duke shtuar çdo herë nga një element magjik, i butë, jashtë kohës, njerëzit duan ta dëgjojnë sa t’u shkojë ora për drekë, flet vetë, qesh vetë, nuk i prish punë njeriu, kujton beteja të të tjerëve si të tijat, fjalëve të zakonshme e ndonjëherë pa lidhje u jep peshë postulatesh, i padëmshëm, arritja më e madhe në jetë-kur e morën si marinar dhe u bë kapiten sepse dy grupet kundërshtare në anije nuk pranonin asnjë tjetër, edhe sikur mos të jetë me tregimet e tij, “1001 netët e Sheherazedes” është gjithsesi i bukur.

  • Fushata vazhdon, njerëzit vriten

    Dy plumba në kokë, dy në trup. Në derën e shtëpisë. Tipik ekzekutim profesionist. Tipike vrasje me pagesë. Tipike mafioze. Renato Hoxhaj, 58 vjeç, roje, i mori me vete në Babicë (varrezat e Vlorës) sekretet e vrasjes së tij.

    Kush e kërcënoi? Pse? Çfarë i kërkuan? Çfarë nuk u dha? A ka denoncuar diku? A u “ngatërruan” vrasësit si para pak ditësh në Tiranë? A vërtetë bëhet fjalë për pronën e tij siç u aludua? Kush i di gjithë këto?! (Nuk kanë bërë asnjë përpjekje të paktën të dukej si sherr familjar, a si zënkë të dehurish…)

    Policia s’ka kohë për këto e as të parandalojë gjë, është fushatë. Njerëzit s’kanë kohë, duhet të gjejnë lidhjet e duhura për pas 11 Majit. Strukturat s’kanë kohë. Askush nuk ka kohë.

    Të vetmit që lotuan e u interesuan për Renaton ishin bashkëjetuesja që askush nuk ia zgjati një dorë ngushëllimi (video e parë) dhe qeni i tij. Askush nuk mund të ndalojë dhe të meditojë për jetën që ikën kaq për dhjamë qeni, pa pasur asnjë borxh diku, si ky roje 58 vjeç që e qajnë vetëm një pastruese e bashkisë dhe kafsha e tij besnike.

    Nuk ndalojnë një minutë, qoftë edhe pak sekonda sa për kujtesë, edhe ata që hipokrizinë e përsheshin duke heshtur teksa mbahet namazi, a vdes Papa Françesku, por jo kur ua vrasin shtetarët e tyre në prag të shtëpisë.

    Fushata vazhdon…

  • Fushatë vetëm për pensione!Po për marrëdhëniet me Kosovën pshçfarë qëndrimi kanë partitë?

    Çudi e madhe: Asnjë parti, e vjetër, apo e re, në pushtet, në opozitë, në parlament, apo në tentativë, nuk thotë gjysëm fjalie për politikën e jashtme. Si do jenë marrëdhëniet me Kosovën, çfarë qëndrimi do ketë për Çamërinë dhe pronat, për detin, për lidhjet me Turqinë dhe Greqinë, do jenë më pranë USA, apo BE? Si kanë planifikuar të veprojnë nëse aleanca e vjetër e Perëndimit çahet dhe Shqipëria do duhet të zgjedhë? Partitë që ëndërrojnë të bëhen “kingmaker” a do kenë ndonjë vijë të kuqe për këto çështje, apo ndonjë tjetër?
    Se duket sikur fushata po bëhet vetëm për pensionistët, e sikur Shqipëria ndodhet diku mes Oqeanit Atlantik!