Edmond Arizaj

Etiketë: psikologji

  • Shtet rrumpallë, qytetarë katrahurë

    Shqipëria është kthyer në një mish-mash ligjesh, dokesh, zakonesh, politikë, ku shteti nuk është shtet, e qytetari nuk është qytetar, e ligjet janë thjesht gërma mbi letra.

    Shteti si balonë tabake

    Me zë dhe figurë kryeministri Edi Rama bën thirrje për investime në Theth…por nuk legalizon tokën.
    Bëhet fjalë për një nga zonat më të bukura, më të mbrojtura, etj fjalë të mëdha për turizmin dhe zhvillimin, por nuk ka patrullim, nuk ka kontroll, pushteti lokal është inegzistent, për të mos thënë i korruptuar thellësisht, siç edhe akuzuan banorët publikisht (ndonjë hetim?!).
    Dhe për ta mbyllur qerthullin e balonës tabake, asnjë lloj komunikimi me banorët, thjesht urdhëra dhe ekzekutim.

    Qytetari emancipim në tentativë

    Nuk është më një “fshatar i thjeshtë”, por s’mund të thuash as se është qytetar i përgjegjshëm që zbaton ligjet edhe kur shteti s’e ka mendjen, apo i ka ikur mendja, që paguan taksat edhe kur ka mundësi t’u shmanget me ndonjë bakshish nën dorë, apo me plan biznesi.
    Jetesa, vetëm 5 vite nga 2030 kur “do bëhemi pjesë e BE”, është në realitetin “kjo ku ndertojmë është toka jonë” dhe kjo duhet të prevalojë mbi çdo ligj.
    Dhe qershia mbi tortë: Besojnë fjalën e një politikani, kryeministrit, më shumë se ligji. Gabimi fatal i një shoqërie mësuar pa institucione të besueshme, e aq më keq, mësuar me zakonin e vjetër se udhëheqësi ua zgjidh të gjitha.

    Shteti dhe qytetarët secili n’hesap të vet

    Shteti nuk ka një rregjim ligjor njësoj për të gjithë nga jugu në veri. Prej 12 vitesh nuk ka arritur të legalizojë dhe zgjidhë çështjen e pronave sidomos në zonat me përparësi (apo ndoshta është formulë?!). Dhe pastaj vepron me impulse, aq më keq me impulset e një njeriu të vetëm që shndërrohen në aksione alla “blickrieg”.
    Shteti, kryeministri vetë, sokëllin, rrëzon, akuzon, kërcënon për ndërtime brenda një fshati të vogël qoftë edhe “kartolinë”, por një gjysëm fjale për ato “pikat e voçkla” që po t’u afrohesh janë shndërruar në fjetore gjigande duke traumatizuar natyrën.
    Nga ana tjetër qytetarët tregojnë haptas fare se as kanë besim e as e njohin gjykatën, shtetin e së drejtës, por më shumë i referohen “kanusë”; ndërtoj se është toka ime, këtu kam eshtrat e të parëve, më njeh fshati, do marr gjak e hak. Hëm, ndoshta harrojnë se sistemi funksionon me ligje, as me besë e as me llafe burrash, qofshin këta kryeministra, apo me dy pëllëmbë mustaqe. Për të ndërtuar duhet leje, jo miratim moral e para nën dorë.
    E për ta banalizuar fare gjithë situatën, hallit të madh të banorëve, duan t’i shkëpusin ndonjë copë vëmendje përfaqësues të forcës politike më rrumpallhane në vend, e plot figura të tjera ku serioze e ku qesharake.

    Si duhet të funksionojë?

    Shteti, pushteti lokal tregon publikisht zonat e lejuara për zhvillim. Qytetari nuk ndërton pa marrë leje.
    Shteti ofron legalizim, dhe pajisje me letra të drejtë dhe jo selektiv. Qytetari nuk gjen miq e zarfa nën dorë duke përfituar padrejtësisht.
    Shteti ndihmon me kreditim për turizëm lokal të ligjshëm. Qytetari formalizon aktivitetin, paguan taksa, rregjistrohet.
    Shteti krijon plane afatgjata, jo vendime ditore e javore. Qytetari bashkëpunon me pushtetin vendor me ide, propozime.

    Në vend të kësaj, çfarë kemi: Pushtet vendor të korruptuar dhe shtet abuziv me forcën, qytetarë të pandërgjegjshëm dhe kundërshtarë të ligjeve, kërcënime dhe sjellje si në tre-katër shekuj më parë, përmendje gjaku e fyerje nga të gjithë krahët, turistë që zgurdullojë sytë. Pothuaj asnjë segment që funksionon normalisht. E mbi çdo gjë, shkëlqen sjellja e kryeministrit që duket se ka ardhur para një muaji në pushtet për herë të parë.

  • Mungesat sistemike,vdekja ulëritëse e kapitenit në Shkodër

    Kujt i hynë në punë qaravitjet mediatike e shtetërore për “kapitenin hero” Arben Anamali? Humbi jetën, la jetimë dy fëmijë, la gruan të ve. Përse?! Për asgjë që i takonte. Për mangësitë e thella sistemike të turizmit të brendshëm shqiptar. Ka ndonjë hetim për çfarë ndodhi, apo fjalët “prekëse” të kryetarit të bashkisë i vunë kapakun ngjarjes? Le të mos “vëmë vulën”, por thjesht pyetje nga ai pak informacion që ka dalë:

    -A ishte e pajisur anija me protokoll sigurie ku turistët nuk lejohen për shembull të hidhen dhe të lahen pa mjete sigurie dhe pa leje?
    -Meqë po udhëtohej në ujëra të thella, me shumë rryma, me pjesë të ftohta, a kishte jelekë shpëtimi për të gjithë pasagjerët, dhe a ishin instruktuar se duhet t’i mbanin përsa kohë ishin në bord?
    -Nëse udhëtimi, xhiro turistike, parashikon, apo paramendon kontakt me ujin nga turistët, a kishte në bord minimumi një person të trajnuar si roje ujore, apo çertifikuar për ndihmën e parë?
    -A ka ndonjë hartë me zonat e rrezikshme, me shumë rryma, me ujë të ftohtë, me gropa nënujore dhe të mos lihet gjithçka në dijetë, apo aftësitë e një njeriu, kapitenit në këtë rast?
    -A kishte në bord, apo në breg, një skuadër ndihme, pse duhej kapiteni të kryente një akt vetësakrifikues për të shpëtuar jetën e pasagjerëve? Kjo nuk ishte detyra e tij.

    Pas kësaj ngjarjeje tragjike, me pasojë të rëndë humbjen e një jete, të kapitenit që mori gjithçka mbi vete, madje edhe barrën e përgjegjësisë për të mos lënë shtetin të dilte si çyryk organizativ, kur mburret gjithë ditën për turistët, çfarë masash u morën?!
    A u ndaluan hedhjet pa leje nga barkat turistike pa lejen e kapitenit?
    A u vendosën harta ku mund të ndalojnë anijet që turistët të lahen?
    A u vendosën jelekë për çdo pasagjer?
    A u vendos staf i trajnuar brenda anijeve? Etj.

    Dhe nëse me pak fjali do e zgjerojmë fushëpamjen, nuk duhet të jenë njerëzit heronj që shpëtojnë turistët, apo pushuesit në bregdetet tona. Është budallëk të duartrokasim për heronj të tillë, kur duhet të ulërasim për mungesën e paralajmërimeve, e rojeve bregdetare, e rregullave të rrepta, e ndihmës emergjente të stacionuar në plazhet me përqendrim të madh. Është budallëk të akuzosh ambulancat për ardhje me vonesë, kur ato nuk janë me krahë e kush e di nga nisen. Ata që kërkojnë miliona turistë, ata që japin lejet, ata që ndërtojnë infrastrukturat, duhet të kujdesen edhe për jetët e turistëve, pushuesve dhe notarëve, jo gjithmonë të përgjegjshëm apo në dijeni të hileve të detit dhe liqenit.
    Nuk është koha për heronj e për të vdekur, është koha për rregull, sistem dhe protokolle. Shteti nuk funksionon me “Zoti të ruajtë”!

  • Rama si kopje më e sofistikuar e Berishës

    Niçe ka një shprehje: Kush lufton gjatë me përbindësha, duhet të ketë kujdes që të mos bëhet vetë përbindësh. Dhe nëse shikon gjatë në një humnerë, edhe humnera fillon të shikojë brenda teje.

    Berisha si përbindësh politik

    Edi Rama është në luftë me Sali Berishën prej 1991.
    Sali Berisha u perceptua si përbindësh politik shumë herët, pothuaj që në 1993, e me kohën dhe vitet e përforcoi nofkën e përbindëshit duke eliminuar edhe dhunshëm zërat kundër në parti, duke marrë kontroll të plotë mbi qeverinë, duke ushtruar kontroll direkt mbi pushtetin vendor, duke përdorur stil autoritar, duke kontrolluar drejtësinë, duke u përpjekur të kontrollojë median.
    Rama u ngrit si kundërshtar i tij. Ishte alternativa kundër këtij modeli shkatërrues. Ishte shpresa për ndryshim për shumë vetë.

    Kujdes se bëhesh vetë përbindësh!

    Me kalimin e kohës, Rama tregoi për sytë dhe mendjen e atyre që i kanë, se është aktori më i mirë për të luajtur të keqen. Një përbindësh i sofistikuar. Teksa luftonte për ta rrëzuar e më pas për ta zhbërë Berishën, Rama përthithi, apo më saktë perfeksionoi, shumë nga metodat e përdorura nga Berisha që dikur i kritikonte:

    -Kapja e institucioneve (deri tek drejtorët e gjelbërimit ndërhyn publikisht tashmë);
    -Centralizim ekstrem i pushtetit (kush mund të thotë sot se që nga karrigia e Presidentit, deri tek përgjegjësat e vatrave të kulturës në fshatra, nuk diktohen nga Rama);
    -Përdorimi i gjuhës përçmuese ndaj kundërshtarëve (jo më familje si Berisha, por prandaj është më i sofistikuar);
    -Eliminimi i zërave kritikë brenda partisë (e çuditshme çfarë ngjashmërie me Berishën!);
    Përdorimi i drejtësisë në mënyrë selektive (kjo tashmë është evidente dhe nuk po përpiqet më të fshihet).

    Vetëm disa po përmend, sa për ta vërtetuar Niçen katërcipërisht:
    Rama nuk është thjesht kundërshtar i Berishës, pavarësisht deklarimeve, ai u përthith nga kjo energji dhe u shndërrua, apo ajo që unë kam parë prej kohësh: kjo energji thjesht zmadhoi të dhënat që ai tashmë i kishte.

    Rama duket si admirues i Berishës

    “Nëse sheh gjatë në një humnerë, edhe ajo sheh brenda teje”, tha Niçja.
    Rama ka mbi 34 vjet që sheh Berishën, edhe kur nuk ia përmend emrin, edhe kur bën sikur nuk ekziston, ai është marrë gjithë kohës me të, publikisht, apo në prapaskenë, ka reaguar përgerë ndaj tij.
    Ndoshta, ndoshta edhe e ka admiruar fshehurazi për pushtetin absolut që kishte mbi shtetin dhe ka mbi partinë.
    Ky vëzhgim i gjatë i Ramës në këtë humnerë të quajtur Berishë, e ka deformuar atë, apo i ka nxjerrë në pah tiparet e errëta të fshehura me kujdes pas fjalëve të bukura, sjelljeve atipike dhe përgjërimeve për demokracinë.

    Humnera që sheh brenda Ramës

    Shumë e shumë njerëz që shpresuan se Rama do të ishte kundërpesha ndaj Berishës dhe sjelljes e trashëgimisë së tij politike si përbindësh, ndihen të tradhtuar.
    Rama, në vend që ta transformonte politikën, në vend që ta zhbënte Berishën, jo si njeri, por si fenomen politik, u transformua vetë.
    Ai është i përthithur nga humnera dhe ka marrë tashmë me vete gjithë PS-në.
    Është kaq trishtuese që me mijëra të rinj, me qindra prurje të reja drejtuese, me dhjetëra deputetë të rinj në Partinë Socialiste, askush nuk ka një kritikë për kryetarin dhe kryeministrin.
    Qoftë edhe me të qeshur.
    Qoftë edhe për gjatësinë e mjekrës.

  • Jo zaptim tokash publike… pa leje nga qeveria

    Shqiptarët duhet të mësohen me realitetin e ri. Nëse nuk je “investitor strategjik”, “mik strategjik”, “shërbyes strategjik”, nuk mund të marrësh leje qeverie për zaptim prone publike. Ngulja e hunjve, vënia e gardheve, hedhja natën e themeleve, ndërtimi në shkurt e legalizimi në mars, nuk janë më të modës. Janë “investime” pa të ardhme, për “një copë bukë”. Duhen fshatra turistikë, hotele, resorte… në këto investime “që ja vlen”, po, pasi të kalojnë edhe pengesat e “mikut”, “shërbyesit” dhe “zarfit”, mund t’i vënë syrin kujtdo “pike të voçkël”, siç thoshte dikur ministrja e përjetshme Mirela Kumbaro, dhe atëherë si me magji toka publike kthehet në “tokë të zënë”, por me bekimin e qeverisë.

    Dikur ishin njerëzit që u lëshuan mbi pronën e përbashkët si lukuni ujqish dhe sot Shqipëria, vendet e saj më të bukura janë bërë si telajo e Jackson Pollock, diku-diku edhe si shgarravinat e vetë Ramës. Sot është shteti vetë që gjithçka publike nuk ia kthen qytetarëve të përshtatshme për shfrytëzim publik, qoftë edhe kundrejt pagesave simbolike, por ua jep si pronë “strategëve” dhe qytetarëve u mbetet thjesht kujtimi.

    PS: Kjo furtuna e drejtorëve nëpër bashki është kaq patetike, sa më shumë se neveri, shkakton keqardhje.

  • Përfundime të thjeshta nga shkarkim-dorëheqjet e Vlorës

    Njerëzia kënaqen më së shumti me diktaturën, dhunën, raprezaljet. Rama ua plotëson qejfin me gjithë qejf. Sulltan, mbret, kalif, nuk ka nevojë për ndryshim kushtetute thjesht për të bërë formale diçka që e ka tashmë.

    Drejtësia fillon nga partia. Ramës nuk i pëlqen të bëjë ndryshe nga paraardhësit që nga 1448.

    Pavarësia e të zgjedhurve nga populli është iluzion. Rama është “pronari” i çdo bashkie dhe institucioni tjetër në vend.

    Sipas metodës së komandantit të madh, shokut E.H, uji vjen i pastër nga lart, por e turbullojnë ata të vegjlit që bëjnë pisllëqe plot më poshtë. Rama e interpreton në mënyrë brilante këtë rol.

    Nuk ka peshk që qelbet nga bishti. Rama nuk mund të ndryshojë edhe natyrën. Nëse nuk lejon konkurrencën, meritokracinë, dinjitetin, inteligjencën, aftësinë, të ecin duke gjetur rrugën e tyre, pasojat do vijojnë të jenë të rënda në gjithë vendin, sepse uji (shembulli) vjen i qelbur nga lart. Nëse do ishte i kthjellët, askush më poshtë nuk do guxonte të bënte Zotin në mallin publik.

    Gjendet dikush të cilit i hidhet në kurriz gjithë “e pëgëra” e bërë ndër vite nga pushtetet edhe ai qëndror (psh me idetë e Ramës si projektues e arkitekt) dhe bëhet “shembull”. Rama ia ngarkoi këtë barrë Ermal Dredhës, a thua ky ishte Herkuli të devijonte lumenjtë e të lante ndyrësitë e Vlorës e abuzimet bërë ndër vite brenda natës. Ermalit nuk i duhej asnjë justifikim, përveç t’i thoshte në sy zotit kryeministër atë që ai u tha shqiptarëve pas 8 vitesh në pushtet kur nuk bëri asgjë nga ato që premtoi: Unë nuk jam magjistar.

    Drejtorët e Vlorës nuk kanë pse ndihen fajtorë për asgjë, përveçse për heshtjen për punën e tyre. Nëse drejtësia s’ka punë me ta, thjesht janë figurantët e radhës për aktorin e madh që të luajë babën e kombit që po i plas shpirti e po bëhet copa për të bërë Shqipërinë. Ai bën personalisht politikën e jashtme, të brendshme, mbajtjen e rendit, reformën në ushtri, lirimin e hapësirave nga trarët, format e kullave, studimin ku do ndërtohen aeroportet dhe portet, përzgjedh helmin për vrasjen e mushkonjave, gjykon mbylljen e AKU, jep ide për sjelljen e drejtësisë, zgjedh nga turma deputetët pastaj i fut në shkolla për të mësuar (në botë është e kundërta), ai di nga inxhinieria, mjekësia, filozofia, karateja, shahu, futbolli, matematika, feja, i vetmi që ka 10 stërgjyshe…pra edhe drejtorët e dorëhequr me shkarkim duhet të ndihen jo të mërzitur por krenarë që Shqipërisë i ka rënë fati të drejtohet nga një i mbinatyrshëm.

  • Sa budallenj grekët! Sa të aftë shqiptarët!

    Possidi Cape, është një “gadishull” i vogël, i aksesueshëm kollaj, me pamje të mahnitshme dhe lojëra dallgësh përgjatë 20 e ca minutave ecje, derisa mbërrin në majë, ku mahnitja kthehet në mrekulli që mbledh me qindra e mijëra njerëz. Nuk ka bare, nuk ka restorante, nuk ka gardhe, nuk ka mure, nuk ka parkingje me para, nuk ka kokëqoshe që vijnë të kërkojnë taksë Dielli, rëre e deti, nuk ka pronar që të vë drunë se shkele në plazhin që ia ka lënë pronë gjyshi-bari nga malet…Kur e sheh dhe e risheh, Possidi Cape, ashtu lisho, si femër lakuriq që përkëdhelet e mbështillet me valë deti, më mizërojnë në kokë ca epitete përbuzëse për këta grekët pa mend e më ndizet krenaria për zotësinë e gjakut tim: 

    1. Grekët qenkan kaq budallenj sa i lënë plazhet më të bukura pa rrethime me tela, pa beton dhe pa shezlongë 50 euro! 

    2. Në Greqi janë kaq të paaftë sa nuk ka ndonjë oligark të zbulojë se “rëra është aset strategjik”! 

    3. Grekët janë arkaikë, ende si në kohën e Spartës, atëherë po, ishte normale të ecje 20 minuta buzë detit pa dëgjuar “më jep çik lekët e çadrës”! 

    4. Grekë qesharakë, ku janë pallatet turistike të “shokëve ndërtues” ngjitur me rërën me leje të përkohshme deri në 2090? 

    5. Grekët janë komunistë, lejojnë që rërën dhe ujin e detit ta prekun të gjithë njësoj, edhe pensionisti, edhe i varfri, edhe turisti, edhe influencerja, edhe fëmijët pa karrocë Bently! Çudi! 

    6. Shteti grek është tamam i paaftë, nuk shpall çdo pëllëmbë bregdeti “zonë zhvillimi”! Le kjo, po nuk jep për qamet një ishull për interesa strategjike, dhe ka me mijëra të tillë. 

    7. Imagjino, janë aq të mjerë intelektualisht grekët sa nuk u shkon mendja të bëjnë ndonjë projekt 3D për plazhet ku çdo gur të ketë çmim, e çdo hije edhe bythë pishave, të ketë tarifë, e paratë t’i mbledhin qehajallarët e detit. 

    8. Grekët në fakt na janë dukur të zgjuar, por janë shumë naivë, mendojnë se natyra është për t’u shijuar e jo për t’u privatizuar me VKM, apo dhënë me qera me “pika të voçkla” sa herë i ngrihet njërit e tjetrës. 

    9. Sa qesharakë janë grekët! Në mijëra plazhe s’ka fare shërbim rojesh që të ndalojë njerëzit të hyjnë falas, të parkojnë falas, a të ngulin çadrën për qef të tyre. Normalisht kush e di sa miliona euro shkojnë dëm se nuk mblidhen në pak duar. 

    10. Vetë grekët si qytetarë janë shumë injorantë; ata nuk e kuptojnë që plazhet publikë, siç këmbëngulin e shpesh protestojnë t’i kenë, i heqin shtetit mundësinë për tendera, konçensione, afrim investitorësh strategjikë të brendshëm e të jashtëm.

    11. Po ta mendosh thellë, janë pak eksiq nga trutë grekët që ende nuk e kuptojnë se është më mirë një resort i mbyllur për VIP-a, me shërbime luksi, se sa 5 mijë njerëz që plazhiten secili për hesap të vetë. Rregulli mbi të gjitha. Po ku kuptojnë grekët e trashë! 

    12. Madje janë kaq të trashë sa vazhdojnë ta lënë tokën publike…publike. 

    13. Nuk e di si vallë e marrin grekët informacionin, kur ende nuk kanë dëgjuar shprehjen madhështore të fqinjit të tyre dikur varfanjak: Gjithçka për turizmin elitar. 

    14. Nuk thonë kot disa heronj tanët të rrjeteve sociale, grekët janë ende në majë të pemëve nga evoluimi, ata ende janë në stadin ku njeriu vlen më shumë se fitimi! 

    1. Sa mend kanë grekët duket nga kryeministri i tyre; në vend të publikojë përditë foto me çadrat hapur në plazhe të ndryshme të vendit, si i ka hije kryemenaxherit të resortit, vete publikon trapllëqe si tre superprojekte investimi, financim nga BE për programe sociale, etj budallëqe të tilla që s’i hyjnë kujt në xhep. 

    Eh të marrsha të keqen e shqiptarëve, që greku mutit s’na vjen as tek gishti këmbës për atdhedashuri! Jemi pellazgë të vërtetë!  

  • Plazhet-Publiku: Kur Greqia të imponon respekt

    Me ritmin aktual, dhe nxitimin që po vërehet në vendime shtetërore për çdo cep të bregdetit shqiptar, me siguri në 2030 kur të hyjmë në BE, nuk do kemi më asnjë pëllëmbë plazh publik. Kemi një shembull, që sado keq të na vijë, duhet të ulim hundën e të hapim sytë e mendjen sa më shpejt, Greqinë, e cila ka një vijë të kuqe: rëra është publike. Grekët, ata të poshtrit, e të liqtë që duan të na marrin origjinën tonë pellazge, kanë vendosur ligje për çdo çadër, metër rërë, pengesë ndaj publikut, teksa ne vazhdojmë ethshëm të bëjmë pazare pas pazaresh me bregdetin. Kjo miq, nuk ka të bëjë me ligje, thjesht me ligje, ka të bëjë me kulturë. E ne, shqiptarët, fatkeqësisht jemi në anën e gabuar të kësaj kulture. Nuk ka asgjë ideale Greqia, ama kur vjen puna tek respekti për qytetarin ajo të tregon qartësisht, vit pas viti, se plazhi nuk është luks sezonal, por e drejta e një populli. Shqipëria nga ana tjetër mezi pret këtë sezon, të të shesë edhe rërën, më vonë edhe ujin e detit. 

    Është e dhimbshme në fakt ta mendosh se në vendin tonë një shezllon ka më shumë të drejta se një qytetar. E ndërsa në Greqi nuk falesh kollaj, ligji vepron, ndëshkimi egziston, respekti funksionon, për dreq në verë Shqipëria i harron këto. E ja ku vijmë, në muajt e vështirë, kur e drejta për të parë detin, kthehet në privilegj. Le të bëjmë pak krahasime mbi fakte që gjenden kollaj në dokumenta zyrtarë. 

    1.     Kushtetuta e Greqisë, në artikullin 24, shkruhet: Vija bregdetare dhe bregdeti janë pronë publike. Aksesi i lirë i qytetarëve në to është i garantuar dhe nuk mund të pengohet. Kushtetuta e Shqipërisë nuk e përmend vijën bregdetare si të mbrojtur. 

    2.    Ligji grek “Beach Bill” kufizon fort përdorimin privat dhe garanton hapësira publike të detyrueshme. Ligji shqiptar për turizmin dhe VKM-të për plazhet lejojnë dhenien e lejeve për bizneseve, por pa garantuar me forcë hapësirën publike. 

    3.    Në Greqi, përqindja e bregdetit e përdorur nga privatët, maksimumi i mundshëm 50% i çdo plazhi, 30% në zonat e mbrojtura. Shqipëria nuk ka përqindje të përcaktuar me ligj. 

    4.    Shumica dërrmuese e privatëve respektojnë kufijtë e caktuar për shkak të kontrolleve shtëtërore dhe presionit publik e mediatik. Në Shqipëri, në zona si Velipoja, Dhërmiu, Jala etj, pronarët zënë 100% të rërës duke bllokuar totalisht qasjen pa pagesë. 

    5.    Greqia ka të detyrueshme 6 metra korridor publik mes zonave private. Shqipëria nuk ka korridore të detyrueshme. 

    6.    Greqia e ka të detyrueshme që 4 metra larg nga bregu i detit nuk lejohen shezlonë. Shqipëria i lejon shezlonët edhe mbi valë. 

    7.    Greqia e ka me detyrim aksesin për personat me aftësi të kufizuar, ruajtjen e jetës, apo larjen e publikut, duke përfshirë rampa, dushe tabela, roje bregdetare, vendosje kufiri për notim. Në Shqipëri në shumicën e zonave këto shërbime mungojnë totalisht. 

    8.    Greqia zbaton ligjet me rigorozitet duke përdorur dronë, satelitë, aplikacionin “my coast”, raportime nga qytetarët. Shqipëria, ushtron kontrolle krejt sporadike nga pushteti vendor në pak zona, apo inspektoriatet. 

    9.    Greqia në vitin 2024 u vendosën rreth 1 milionë e 150 mijë euro gjoba, si dhe u përjashtuan konçensione të kapura me shkelje. Në Shqipëri rrallë aplikohen gjobat, abuzimet kalojnë pa pasoja. Pavarësisht presionit mediatik, pak herë mund të ketë ndonjë mbyllje të përhershme konçensioni. 

    10.                  Greqi, bashkitë sigurojnë dhe bëjnë të mundur parkime falas pranë të gjitha plazheve publikë. Në Shqipëri, nuk ka të dhëna për parkingje publike pranë plazheve, ka vetëm private, madje me pagesë edhe kur shkon në atë plazh që ka dhe parkingun. 

    11.                  Greqia ka reagime të fuqishme qytetare, protesta, fushata si “Savemybeach”. Shqipëria ka reagime të fuqishme në rrjete sociale, rrallëherë shkrime të fuqishme mediatike, pothuaj fare protesta qytetare. 

    12.                  Në Greqi, transparenca është maksimale, aplikacioni “MyCoast” publikon çdo konçension, sipërfaqe dhe vendosje çadrash në hartë, të çdo plazhi. Shqipëria nuk ka një platformë zyrtare transparente për shfrytëzimin e plazheve. 

    Ja pra ku jemi në këtë krahasim, jo pa dhimbje. Në një krah një shtet që e konsideron vijën bregdetare pasuri të përbashkët, duke ua lehtësuar qytetarëve të vet qasjen, pushimin dhe shplodhjen dhe në anën tjetër, një shtet që në emër të “turizmit dhe miliona turistëve” po shitet publikja ditë pas dite. Në fakt kjo nuk është thjesht padrejtësi, është fyerje ndaj qytetarëve dhe konceptit të shtetit. 

    Përqindja e plazheve publikë dhe privatë në disa shtete të Evropës

    Spanja-Bregu 100 përqind pronë publike, nuk lejohet privatizim. 

    Francë-Shumica e plazheve publikë. Konçensione sezonale, më pak se 30% të bregdetit. 

    Italia-Rreth 50% është private, në zona si Liguria arrin deri në 70-90% privatja, ndërsa në Napoli vetëm 5 % është plotësisht e lirë. 

    Turqia-Ligjërisht plazhet janë publikë, por realisht në 40-60% janë zënë nga hotelet dhe klubet private që kufizojnë qasjen. 

    Suedia-Norvegjia-Finlanda-Akses falas për këdo në plazhe, pyje, lumenj, zona bregdetare, me kusht të mbrohet mjedisi. 

    Irlandë&Mbretëria e Bashkuar-Plazhet janë publike, por në pronat private vendosen tabela kufizimi. 

    Danimarka-Akses i lirë, por në pronat private vendosen tabela kufizimi. 

  • Silikon, tund-shkund, po pastaj? 

    Sa vjen e bëhet më keq. Shembujt, moskokëçarja shoqërore, keqkuptimi i lirisë, mënyrat e lehta të fitimit, fryrja e buzëve, zmadhimi i gjoksit e fabrikimi i të pasmeve, i servirin  vajzat e gratë e reja shqiptare si produkte prodhimi në seri, por jo si individë me identitet. 

    Është utopike tashmë të pretendosh se shumë vajza e gra të rej do e masin veten me libra, përvojë, karakter, kur ato rivalitetin e shprehin me numër ndjekësish, numrin e gjoksit e volumin e buzëve, dhuratë nga doktori plastik e jo nëna natyrë. Është trendi, është e kohës, sjell përfitime, ok në rregull, le të tunden e shkunden, por deri kur? Po më pas? 

    Skadenca

    Po u japim një tolerim deri 29 vjeçe, në rastin më të mirë, me doktor shumë të mirë, me shpenzime shumë të mira, deri në 35 vjeçe mund të përballojnë konkurrencën e rinisë, ca filtra më shumë, një fryrje më e freskët dhe metodë e re, një resort më të bukur ku bëhet “story”, pastaj? 

    Ja ku del nga deti, 19 vjeçarja me trupin e lagur, shumë më e paturpshme se ty që të kishte shembull, me trupin ende pa nevojë për shumë rregullime, dhe me mendjen e stërvitur vetëm për të goditur algoritmin. Çdo të bësh me jetën kur vendin në rrjet, në event, në klikime, në Dubai, ta zë dikush më e freskët, më “e re”, më e fryrë, më lozonjare? 

    Ekspozimi i femrës është fenomen global, por Shqipëria e ktheu në sport kombëtar

    Në Perëndim, edhe kur një grua ekspozohet, zakonisht është dikush. Shakira, JLo, Beyoncé, Dua Lipa, tunden, por edhe këndojnë, performojnë, krijojnë. Kanë përmbajtje, mbështjellë dhe ofruar me ekspozim tërheqës. Tani krahasojini me shumicën e performancave të “këngëtareve” shqiptare. 

    Në Shqipëri, ekspozimi është bërë qëllim në vetvete, jo mjet për të shprehur veten. Dhe më keq akoma: është kthyer në kriter vlere, dikushi je nëse ke 100 mijë folloëers dhe ke bërë foto me shampanjë nga ndonjë hotel i shtrenjtë në Dubai. 

    Tik-Toku shqiptar si shesh beteje

    Jo vetëm që vajzat nuk i mbron askush, por shumica e meshkujve, shpesh të shkallës më të ulët të edukimit dhe mendimit, i poshtërojnë publikisht me fjalor rruge, dhe çuditërisht… marrin pëlqime për këtë.

    Po vajzat vetë? Shpesh kthejnë përgjigje me më shumë vulgaritet, si pjesë e “show-it”.

    Pra jemi në një reality show kolektiv ku zhvlerësimi i vetes është bërë profesion, dhe rruga drejt famës kalon nga trupi, jo nga përmbajtja.

    Pse Shqipëria duket më e zhveshur se Perëndimi?

    Edhe në Perëndim egziston “ekspozimi” por jo gjithmonë degradimi. Sigurisht që ka influencere që shfaqin trupin, provokuese, ekstremisht seksuale, por janë të pakta, kanë kontroll të imazhit, lidhje me industrinë e modës, muzikës, pornografisë, apo aktivizimit feminist. Ekspozimi i trupit në këtë mënyrë, nuk është automatikisht vulgaritet, aq më pak “ofertë”. Madje në shumicën e rasteve, në perëndim, shoqërohet me personalitet, ide, markë personale. Krejt e kundërta në Shqipëri; trupi ekspozohet thjesht për të ndjellë. 

    Vulgariteti si normë

    Gjuha dhe vulgariteti në Shqipëri është në nivele toksike. Jo pse meshkujt në Perëndim nuk flasin keq, por algoritmet, shoqëria civile, edukimi, por edhe ligji herë pas here, ndalojnë përhapjen masive të komenteve që ofendojnë brutalisht gratë, sidomos publikisht. Në Shqipëri, rrjetet sociale janë burim i gjuhës më të ndyrë të rrugës dhe rrugicave, pa asnjë filtër. Femrat që ekspozohen nuk mbrohen nga askush, por ç’është më e keqja, as ato vetë nuk reagojnë me dinjitet, duke kthyer përgjigje me po të njëjtin fjalor, si pjesë e shoë. Për krahasim, në SHBA, Britani, Gjermani, etj Perëndim, një grua influencere me fëmijë, që sillet e flet në mënyrë vulgare, nuk e ka shumë të lehtë të mbijetojë në rrjet në mënyrë pozitive, sepse shoqëria reagon, ndjekësit nuk shtohen, por largohen, ka kritika të forta publike, madje nëse ka edhe humbje kontratash. 

    Kultura dhe media off

    Dhe këtu hyjmë në një portë që na çon në ambientin më të errët shqiptar, mungesën e edukimit mediatik dhe kulturor. Në Perëndim ka programe edukimi, mediat bëjnë analiza të mirëfillta të sjelljes në rrjetet sociale, dokumentarë dhe programe të ashpër mbi dëmin që sjell kultura e ekspozimit ekstremPo tek ne: Pothuaj asnjë mjet, as shkolla, nuk ndihmon të rinjtë të kuptojnë diferencën mes famës (jo përherë e arritshme) dhe vlerës. Gratë dhe vajzat që ekspozohen skajshëm merren si shembull suksesi, madje edhe figura qendrore në talk-shoë. Fenomeni i “vajzës garipe dhe rrugaçe” në Tik-Tok është kthyer në formë identiteti kolektiv, sidomos për vajzat e reja, pretendentet e ardhshme për influencere veç me ekspozim të trupit. 

    Pse duket kaq e shfaqur Shqipëria? Edhe Perëndimi ka plot vajza ekspozuese seksualisht. Vetëm se në vendin tonë s’ka fare balancë. Për çdo vajzë në Perëndim që ekspozohet, gjen dhjetëra CEO, shkrimtare, lektore, me humor inteligjent, artiste, mbrojtëse të flakta dhe reale kauzash…dhe këto kanë po aq ndjekës e diskutantë, në rrjetet e tyre, lidhur me aftësitë e tyre. Në Shqipëri çka shfaqet më shumë është vajza që ekspozohet, flet keq, sfidon me arrogancë dhe gjuhë vulgare, me rëndimin e gjuhës teksa pretendon se është influencere, por pa influencuar dikënd për ndonjë gjë, përveçse bisturisë tek mjeku. 

    Gratë e shkëlqyera të papromovuara

    Kultura vetëm e pamjes dhe boshësisë është trend në botë, vetëm se në Shqipëri është në versionin më vulgar, më të zbrazët, më të trashë e më ordiner. Jo pse nuk kemi vajza e gra të shkëlqyera, por sepse ato nuk promovohen kurrë, ndoshta pak evidentim, por në vend të saj përçohet vulgu, qoftë edhe me rroba firmato. Rrjetet sociale na kanë bërë të harrojmë se gruaja nuk është vlerë për atë që tregon, por për atë që mbart. 

    Shkolla, mungesa e madhe

    Sepse asnjë shkollë s’u thotë vajzave që ka rrugë të tjera për të qenë të dukshmë, asnjë prind nuk sheh më përtej numrit të ndjekësve e të jenë aksesorë çdo javë në BB, asnjë media nuk promovon vajzat që mendojnë, punojnë, krijojnë, luftojnë për veten, për dijen, për vullnetin, asnjë pjestar i shoqërisë civile nuk bën një hap për të çliruar të paktën një vajzë nga fejesat e detyruara, a nga jeta si skllave. Tundje-shkundje, silikonë dhe fjalë që askush nuk donia thoshte vajzës së tij, ama në rrjetet sociale ia thua dikujt që qshtë vajza e një tjetri. 

    Ato nuk zënë vetëm ekrane e rrjete, 

    zënë edhe stadiumet tashmë

    Shikoni se çfarë ndodh në ndeshjet e rëndësishme të kombëtares. Vendet përballë kamerave, i zënë të njëjtat vajza influencere, apo të ngjashme, të fiksuara pas selfies, ndjekësve, stukimit të fytyrës, grimit, buzëve të fryra, gjoksit të rritur, prapanicës së dukshme, e sigurisht statusit “VIP”. Mbështillen me flamurin kuq e zi, bëjnë foto, bëjnë pak përdredhje e nxitojnë pastaj nëpër emisione. Shikoni ç’ndodhi e sa u viralizuan në ndeshjen Shqipëri-Kosovë. Edhe serbët me ato vajzat e gratë e tyre mbi 1.80, i bënë lajme, paksa tallëse gjithsesi. 

    Turpi, influenceret duke bërë selfie n’stadium, ultrasit në sheshe 

    Po tifozët Kuq e Zi? Ata që e kanë ndekur ekipin në shi e në borë, në Elbasan e Tiranë, në Kazakistan e Islandë, që ndezin zjarr ekipin dhe tifozët në mbarë botën e jo vetëm kaq? Ata i nxorrën jashtë kangjellave. E sa pak u indinjuan! Imagjino të lënë jashtë ata të Curva Sud në Itali, nuk ndodh. As në Gjermani, as në Angli. As në Greqi. Vetëm në Shqipëri ndodh që përfaqësimi kalon nga tribuna në Instagram e Tik-Tok. Sigurisht që në ndeshjen me Lituaninë në Shqipëri do ketë bileta për Kuq e Zi sepse nuk ka interes për instagram dhe ata duhen. 

    Rama: Në 2030 në BE

    Vërtetë? Po si? Me kë? Se mirë u hapën kapitujt, po vajzat e gratë duhet t’i kemi gati për tavolina e profesione, jo thjesht për story e klikime. Evropa s’të pyet sa folloëers ke, por çfarë përfaqëson kur hap gojën, kur flet në emër të vendit tënd, kur nënshkruan. Por nëse produkti ynë kryesor eksportues janë vajzat me filtra, që bëjnë rillsa se si gënjejnë veten për jetën luksoze, i bie që të hyjmë (nëse) në BE vetëm me të pasme. 

    Ku qëndron rreziku që sot nuk dallohet? 

    Jo se vajzat ekspozohen. Le të ekspozohen! 

    Problemi është se shumë prej tyre nuk kanë një plan B. As profesion, as ndonjë talent, as identitet përveç trupit. Ç’do të ndodhë kur rrjetet të lodhen me to sepse dalin të tjerat, algoritmet të mos ua varin më dhe doktorët plastikë të tundin kokën “eh forca e gravitetit”? Çdo të bëjnë mijëra vajza e gra të reja që janë mësuar të jetojnë si në ekran dhe jo si njerëz?

    Nuk është më çështje morali, por mbijetese kombëtare

    Kur këto vajza e gra të mos jenë më trendi i ditës, kur ndjekësit të largohen prej tyre e të hedhin gifte në femra të tjera më të lëmuara e me gojë më të lëshuar, do të jenë njerëz me njëfarë peshe, a thjesht kujtesë për pozat e dikurshme në resorte? 

    Nuk jep askush llogari sigurisht, e as njeri i detyrohet dikujt shpjegime për jetën e tij, e si do jetë pjesa më e madhe e saj kur të piqen, por një shoqëri që nuk ofron modele, shembuj të tjerë femrash përveç atyre që tunden e shkunden për ndjekës, që tërheqin vëmendje veç kur shahen vulgarisht si meshkuj burgjesh, është shoqëri që i rrit vajzat jo për jetën dhe për të ardhmen, por për video 15 sekondëshe që harrohet pas pak e që kërkon një video tjetër më të fortë e më seksy se e para që të mbash “famën”. 

    A nuk vepron dhe droga njësoj? E le të mos harrojmë, se ato do të jenë nëna dikur, disa edhe janë sot. Dhe vijmë në thelbin e thelbit: Nuk bëhet fjalë për moralin, por për mbijetesë kombëtare. 

  • Pa dinjitet, s’ka demokraci

    A jam vallë vetëm unë që më duket i pabesueshëm emërimi i ish-Sekretarit të Përgjithshëm të LSI, si nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës? A nuk i bën më askujt përshtypje rrëshqitja e çdo vlere njerëzore në llumin e hipokrizisë dhe interesit? Endriti është thjesht një nga të shumtët. Një simptomë e radhës e kancerit që po e ha vendin tonë nga brenda – dhe që nuk ka të bëjë aspak me ngjyra partish.

    Kemi përballë një mekanizëm ku ka rënë çdo ideal, ku karakteri përthyhet pa reflektim, dhe kushdo që di të bëjë kërcimin akrobatik nga një sofër në tjetrën, shpërblehet. Edhe nëse më parë ka pështyrë mbi të. A nuk ju vjen dhe juve turp psh kur shihni videon e Frrok Çupit që fillimisht e quan Ramën injorant të pashkollë (kur ky ishte opozitë) dhe pastaj talent e me origjinë fisnike (kur ishte në pushtet)? Po a nuk ndiheni vetë në siklet kur shihni ish-personazhe të opozitës, që papritmas shfaqen si zv/ministra të pushtetit? Nuk keni vallë asnjë reagim për dhjetëra emra e fytyra që i shihni në ekranet tuaja prej vitesh e vitesh të lodhshme, teksa i ndërrojnë dyert nga java në javë pa asnjë problem. 

    Ja si funskionon: hyjnë nga një derë, gjuajnë me baltë derën përballë, e sapo përzihen nga e para, trokasin në të dytën. Ose ofertohen, kjo është më normalja me ç’duket. Aty i pret jo ndëshkimi, por fshirja e baltës dhe një vend bosh në cep të tavolinës. Dhe pastaj? I shihni përditë në televizione, në media, në podkaste. Të njëjtët njerëz që s’kanë as turp, as ngjyrë në faqe, as fije ndërgjegjeje për fjalët që kanë thënë dikur, qëndrimet që kanë mbajtur. Videot dhe memet që i nxjerrin zbuluar nuk u bëjnë përshtypje, sepse nuk kanë më as fytyrë për t’u skuqur. Për çfarë vlerash thirren përnatë përpara njerëzve?! (Më duket se moderatorët e shumtë televizivë, podkaste, portale etj, luajnë rolin e drejtuesve të cirqeve në Missisipin e largët, kur në lojëra poshtërimi publik, merrnin skllevërit me ngjyrë, ua nxirrnin kokën në një beze të bardhë dhe publiku paguante për të kënaqur urrejtjen e tyre, duke u hedhur pisllëqe e ushqime në formë argëtimi. Sot moderatorët i ftojnë e publikojnë këta tipa si ofertë që publiku të nxjerrë mllefin jo me domate e me vezë, por me sharje, e mallkime, që gjithsesi përkthehen në pagesë në formën e klikimeve). 

    Por në një vend normal, njerëz të tillë nuk do të pranoheshin në asnjë formë përfaqësimi publik për dy-tri breza. Sepse mungesa e dinjitetit është kërcënim për vetë demokracinë. Dhe problemi nuk është një emër. Nuk është Endriti. Është sistemi që funksionon me pazare, me heshtje të planifikuar, dhe me shpërblim për “guximin” për t’u shitur.

    Këta janë “modelet” që na serviren prej kaq kohësh e që “tifozët” e partive i pranojnë thjesht me një koment të tillë: Shyqyr që e kuptove dhe bëre kthesë! Po çfarë mund t’i thuash një të riu me diplomë, por pa të njohur, e jo i gatshwm për t’u shitur? Apo një gruaje që punon ditë-natë për të rritur fëmijët me ndershmëri? Të jesh i ndershëm në një realitet të tillë të pistë është çmenduri. Pyetja që rëndon është: Më mirë i çmendur me ndërgjegje të pastër, apo “i arsyeshëm” brenda sistemit të kalbur?

  • “Sindromi Leart Vasili” dhe shoqëria shqiptare

    Të gjithë në ndjekje të dramës dhe klikimeve

    Leart Vasili është thjesht përfaqësuesi më i arrirë i një shoqërie që tashmë vuan për dramë, elektrizohet për flamur, dhe paketon shprehje traumatike për klikime. Learti është prej vitesh në kërkim të zhurmës, skenës, lotëve, spektaklit për turmat e ndjekësve të çdo debati pa thellësi, pa mendim, pa analizë, thjesht tërheqës për shkak të zërit të ngritur, roleve agresive, nacionalizmit bosh, e atdhetarizmit pa bërë asgjë serioze për atdheun.

    Shoqëria përmes Laertit? 

    A mund të analizojmë Leartin, për të kuptuar shoqërinë? Ndoshta po, ndoshta jo. Por një pjesë të shoqërisë mundet ta kuptojmë nëpërmjet tij. Është ajo pjesë që vuan për vëmendje. Që hulumtojnë se çfarë pëlqen publiku i gjerë, masa e madhe dhe amorfe, dhe si mund t’u qasesh atyre, duke i bërë për vete, për qëllime të ndryshme, kush për të fituar, kush për famë, kush për kënaqësi, kush për vetmbushje, etj.

    Tipologjitë që prodhon mungesa e vlerës, a largimi prej saj

    Dhe nëse i ndajmë ka nga ata që për shkak të nivelit ordiner zgjedhin “të përfaqësojnë” fundin e shoqërisë, me sharje, fyerje, dhunë psiqike, dhunë familjare, një çmenduri sociale e përmasave apokaliptike për një mendje teknikisht normale.

    Pastaj janë ata që duan të shpërthejnë, të ngjiten lartë, të bëhen si të tjerët, pavarësisht se s’kanë dhënë asgjë deri në atë moment, por besojnë se janë më të aftë se ata që kanë dhjetëra vjet profesion dhe rrjetet sociale ua japin këtë mundësi, pavarësisht se për krahasim me profesionistët janë si dinosaurët me zhapikun.

    Nacionalizmi, spektakli i vjetër i rrjeteve

    Pastaj vijnë nacionalistët, më të flaktit, mbrojtësit e çdo pëllëmbe toke shqiptare, çdo gërme, e çdo tradite, sigurisht me fjalë në rrjete dhe në studio, apo emisione pa baza shkencore, pa mbështetje dokumentuese, etj. Ka dhe nivele të tjera, por le të qëndrojmë këtu.

    Laerti dhe shfaqja si “shpëtimtar”

    Learti e nisi kështu, pasi u kthye në vendlindje. Si nacionalist, si atdhetar, si interpretues ndenjash mëmëdhetare nëpër studio, duke e vënë veten në qendër të një kauze…për të cilën nuk mbaj mend ta kishte kërkuar njeri, dhe as ishte koha se i duhej më njeriu.

    Fama si drogë që kërkon mbidozim

    Fama vjen, por duhet mbajtur. Është si puna e drogës, me kohë trupi bëhet rezistent dhe duhet dozë më e madhe. Njësoj dhe fama kur nuk ka material brenda, është e shpejtë e fuqishme, dehëse, haluçinante, por duhet mbajtur sepse publiku krijon rezistencë dhe s’mund ta gënjesh më vetëm me skenarë alla “Is Boletini u nxori pisqollën e fshehur inglezëve në Londër”.

    Spektakël, apo realitet?

    Në këtë moment, ajo pjesa e parë e shoqërisë, që i takon shtresës së ulët fare, nis e ndryshon fyerjet dhe sharjet dhe zgjeron tabelën e qitjes, krijojnë sherre, seriale tragjike (shqiptarët i adhurojnë serialet, s’ka rëndësi vijnë nga Turqia, nga Brazili, nga Tik-Toku, apo ekranet e mbrëmjet).

    Grupi i dytë e sheh se fama me boshësi nuk është krejt e lehtë, disa e lënë në mes, disa vazhdojnë për inerci, disa përpiqen të ndërveprojnë ME grupin e parë, apo në jo pak raste SI grupi i parë, apo në raste të pakta, përqëndrohen në gjëra vërtetë të këndshme dhe tërheqëse për shoqërinë, jo domosdoshmërisht në klikueshmërinë e sharjeve dhe nacionalizmit, por me shije.

    Kur patriotizmi nuk shitet më vjen viktimizimi

    Dhe vijmë tek grupi i tretë, Learti si përfaqësues. Nacionalizmi, atdhetarizmi nuk shesin më, interesi nuk është i mëparshmi. Biletat për spektaklin dhe recitimin janë të lira, e kur je bërë rob i ekranit sa nuk jeton më dot jashtë tij, duhen mënyra të reja për të rimbledhur pëlqime, klikime, ndjenjë pozitive.

    Viktimizimi, siç ndodhi në një show televiziv me Leartin, për të tjerët ndodh në forma të tjera. Dhe viktimizmi vjen duke u rritur deri në “heroizëm” që kërkon vlerësim nga shoqëria.

    Moderatoret janë gazetarë që pyesin si, pse, apo janë infermirë që klithin “ua”, “jo”, “si ndodhi”? 

    Brenda spektaklit televiziv Learti dha një deklaratë jo të lehtë, se ishte përdhunuar kur ishte fëmijë. Në kohë të tjera do ishte bërë nami në rrjete sociale e me komente me mbështetje etj, por në kohët e sotme, ku të gjithë “shpikin” fjalë e ngjarje për të qenë si viktima vetëm për vëmendje, pa afruar prova, deklarime të tilla nuk tërheqin më.

    Nuk mbaroi me kaq. Nga viktimizim që nuk ngjit, u kalua në heroizim në një tjetër emision televiziv, që për çudi modaratoret (moderatorët) asnjëherë nuk bëjnë pyetje si, pse, ku, kush, kur, thjesht bëjnë “uau”, “vërtetë”, “oh”, “ah”, “mos” dhe shprehin empatinë e tyre duke e kthyer gazetarinë në infermieri:

    “Unë e njoha përdhunuesin tim, iu ula përballë, desha ta vrisja, por vetëm e pashë dhe nuk i thashë asgjë.”

    Kur drama nuk mjafton, vjen absurdi

    Teorikisht këtu drama në këtë skenar duhet të arrijë majën. Publiku duhet të çohet në këmbë dhe të duartrokasë gjatë. Lule, lot, mirënjohje, burrëri, legjenda, për këtë telenovelë tronditëse. Vetëm se, sërish efekti është i vakët.

    Atëherë kalohet në absurd diku tjetër, sepse tashmë kjo pjesë e shoqërisë (Laerti si përfaqësues tipik) nuk ka më kufij, ata janë personazhe që nuk duan të jenë më qytetarë, por lajme:

    “Motra ime 6 muajshe vdiq sepse diktatorit i duhej transfuzion gjaku”. 

    Sërish asnjë dokument, asnjë e dhënë, as nëna të paktën, thjesht një legjendë e dëgjuar, dhe asociimi i vetes apo familjes me të…

    Kjo shoqëri është bërë e frikshme në boshësi, edhe nga ata që kanë se çfarë t’i japin, dhe të imagjinosh që janë më pak se ata që s’kanë asgjë.

    A mund të luftohet kjo sindromë? 

    Kjo sindromë si luftohet? A mund ta luftojë vetëm një njeri, një institucion, një qytet? Unë them jo. Për vende të vogla si vendi ynë, fenomene të tilla bëhen kollaj udhërrëfyese për rininë, ndryshe nga vendet e mëdha ku ka me dhjetëra shembuj që mund të ndiqen.

    Imagjino kur mediat dhe rrjetet sociale i bëjnë jehonë këtij “sindromi”. Çfarë mund të presim më pas?

    “Profecitë” që s’kanë pse na habisin më

    Unë nuk do të çuditesha sikur nga Laerti, që tashmë më duket krejt i çoroditur në ndjekje të famës dhe klikimeve (nuk shoh asnjë arsye tjetër), të deklaronte përgjatë këtyre tre muajve që do t’i mungojnë emisionet televizive për shkak të pushimeve të sezonit: Nëna ime ka dashur të më abortonte, por një ëngjëll e pengoi; Gjaku im rrjedh nga princa ilirë dhe ADN ime është unike në Ballkan; Në një seancë psikologjike më është shfaqur Skënderbeu dhe më tha je pasardhësi im…

    Shqipëria në borxh me ndokënd?! Mijëra në fakt në borxh me atdheun

    Ndoshta kjo pjesë e shoqërisë, ku Laertin mund ta fusim si përfaqësues, vuan nga ndjenja se kanë dhënë shumë, por janë të pashpërblyer, të pavlerësuar, të panjohur mirë nga masa dhe përpiqen në mënyra krejt jofisnike për çka përfaqësojnë të imponojnë a rrëmbejnë dashuri, famë, mirënjohje, e ndoshta ndonjëherë edhe më shumë se kaq.

    Është kaq e thjeshtë: Atdheu, Shqipëria, nuk i ka askujt ndonjë borxh për t’i kthyer. As Skënderbeut madje. Përkundrazi, me dhjetëra, qindra e mijëra shqiptarë, duhet t’i kthejnë erzin që i kanë marrë, me narçizizmin, egoizmin, e ndjekjen e famës me çdo kusht e çdo çmim, edhe me atë të humbjes së vetes.

    Sa dëme të bëra nga shembujt e rremë dhe rrjetet që i fryjnë pa asnjë filtër!

    I kanë një borxh vendit për dëmin që i kanë bërë e i bëjnë, së bashku me ata që u shumëfishojnë dramat e shpikura, apo urrejtjen e injektuar.

    Duhet të lahen me atdheun fillimisht për dëmin e bërë duke dhënë shembuj të absurdit dhe jo logjikës, për të rinjtë që i kanë mashtruar se fama është sukses në çdo rast dhe jo pasojë që çon shpeshherë në probleme të rënda, për boshtin moral të shoqërisë që prej vitesh e vitesh e kanë zëvendësuar me klikime, për prindërit që ndihen përherë e më të humbur, e për mësuesit që ndihen përherë e më të largët.

    Ata kanë borxhin e madh se tashmë edhe prej tyre, kemi hyrë në epokën drithëruese të fëmijëve që duke ndjekur këta udhërrëfyes mendojnë se nuk ka më nevojë të studiosh, sepse mjafton të jesh interesant.

    Jo thjesht Laerti, është epokë e re kulturore

    Nuk është thjesht Laerti. Nuk ka lidhje me të. Ai është një nga mijërat, ndoshta më përfaqësuesi, të një kulture shoqërore që prej kohësh i afrohet dhunshëm përplasjes me asfaltin, duke u shoqëruar masivisht me like, gifte, dhe makiazh.