Sa vjen e bëhet më keq. Shembujt, moskokëçarja shoqërore, keqkuptimi i lirisë, mënyrat e lehta të fitimit, fryrja e buzëve, zmadhimi i gjoksit e fabrikimi i të pasmeve, i servirin vajzat e gratë e reja shqiptare si produkte prodhimi në seri, por jo si individë me identitet.
Është utopike tashmë të pretendosh se shumë vajza e gra të rej do e masin veten me libra, përvojë, karakter, kur ato rivalitetin e shprehin me numër ndjekësish, numrin e gjoksit e volumin e buzëve, dhuratë nga doktori plastik e jo nëna natyrë. Është trendi, është e kohës, sjell përfitime, ok në rregull, le të tunden e shkunden, por deri kur? Po më pas?
Skadenca
Po u japim një tolerim deri 29 vjeçe, në rastin më të mirë, me doktor shumë të mirë, me shpenzime shumë të mira, deri në 35 vjeçe mund të përballojnë konkurrencën e rinisë, ca filtra më shumë, një fryrje më e freskët dhe metodë e re, një resort më të bukur ku bëhet “story”, pastaj?
Ja ku del nga deti, 19 vjeçarja me trupin e lagur, shumë më e paturpshme se ty që të kishte shembull, me trupin ende pa nevojë për shumë rregullime, dhe me mendjen e stërvitur vetëm për të goditur algoritmin. Çdo të bësh me jetën kur vendin në rrjet, në event, në klikime, në Dubai, ta zë dikush më e freskët, më “e re”, më e fryrë, më lozonjare?
Ekspozimi i femrës është fenomen global, por Shqipëria e ktheu në sport kombëtar
Në Perëndim, edhe kur një grua ekspozohet, zakonisht është dikush. Shakira, JLo, Beyoncé, Dua Lipa, tunden, por edhe këndojnë, performojnë, krijojnë. Kanë përmbajtje, mbështjellë dhe ofruar me ekspozim tërheqës. Tani krahasojini me shumicën e performancave të “këngëtareve” shqiptare.
Në Shqipëri, ekspozimi është bërë qëllim në vetvete, jo mjet për të shprehur veten. Dhe më keq akoma: është kthyer në kriter vlere, dikushi je nëse ke 100 mijë folloëers dhe ke bërë foto me shampanjë nga ndonjë hotel i shtrenjtë në Dubai.
Tik-Toku shqiptar si shesh beteje
Jo vetëm që vajzat nuk i mbron askush, por shumica e meshkujve, shpesh të shkallës më të ulët të edukimit dhe mendimit, i poshtërojnë publikisht me fjalor rruge, dhe çuditërisht… marrin pëlqime për këtë.
Po vajzat vetë? Shpesh kthejnë përgjigje me më shumë vulgaritet, si pjesë e “show-it”.
Pra jemi në një reality show kolektiv ku zhvlerësimi i vetes është bërë profesion, dhe rruga drejt famës kalon nga trupi, jo nga përmbajtja.
Pse Shqipëria duket më e zhveshur se Perëndimi?
Edhe në Perëndim egziston “ekspozimi” por jo gjithmonë degradimi. Sigurisht që ka influencere që shfaqin trupin, provokuese, ekstremisht seksuale, por janë të pakta, kanë kontroll të imazhit, lidhje me industrinë e modës, muzikës, pornografisë, apo aktivizimit feminist. Ekspozimi i trupit në këtë mënyrë, nuk është automatikisht vulgaritet, aq më pak “ofertë”. Madje në shumicën e rasteve, në perëndim, shoqërohet me personalitet, ide, markë personale. Krejt e kundërta në Shqipëri; trupi ekspozohet thjesht për të ndjellë.
Vulgariteti si normë
Gjuha dhe vulgariteti në Shqipëri është në nivele toksike. Jo pse meshkujt në Perëndim nuk flasin keq, por algoritmet, shoqëria civile, edukimi, por edhe ligji herë pas here, ndalojnë përhapjen masive të komenteve që ofendojnë brutalisht gratë, sidomos publikisht. Në Shqipëri, rrjetet sociale janë burim i gjuhës më të ndyrë të rrugës dhe rrugicave, pa asnjë filtër. Femrat që ekspozohen nuk mbrohen nga askush, por ç’është më e keqja, as ato vetë nuk reagojnë me dinjitet, duke kthyer përgjigje me po të njëjtin fjalor, si pjesë e shoë. Për krahasim, në SHBA, Britani, Gjermani, etj Perëndim, një grua influencere me fëmijë, që sillet e flet në mënyrë vulgare, nuk e ka shumë të lehtë të mbijetojë në rrjet në mënyrë pozitive, sepse shoqëria reagon, ndjekësit nuk shtohen, por largohen, ka kritika të forta publike, madje nëse ka edhe humbje kontratash.
Kultura dhe media off
Dhe këtu hyjmë në një portë që na çon në ambientin më të errët shqiptar, mungesën e edukimit mediatik dhe kulturor. Në Perëndim ka programe edukimi, mediat bëjnë analiza të mirëfillta të sjelljes në rrjetet sociale, dokumentarë dhe programe të ashpër mbi dëmin që sjell kultura e ekspozimit ekstrem. Po tek ne: Pothuaj asnjë mjet, as shkolla, nuk ndihmon të rinjtë të kuptojnë diferencën mes famës (jo përherë e arritshme) dhe vlerës. Gratë dhe vajzat që ekspozohen skajshëm merren si shembull suksesi, madje edhe figura qendrore në talk-shoë. Fenomeni i “vajzës garipe dhe rrugaçe” në Tik-Tok është kthyer në formë identiteti kolektiv, sidomos për vajzat e reja, pretendentet e ardhshme për influencere veç me ekspozim të trupit.
Pse duket kaq e shfaqur Shqipëria? Edhe Perëndimi ka plot vajza ekspozuese seksualisht. Vetëm se në vendin tonë s’ka fare balancë. Për çdo vajzë në Perëndim që ekspozohet, gjen dhjetëra CEO, shkrimtare, lektore, me humor inteligjent, artiste, mbrojtëse të flakta dhe reale kauzash…dhe këto kanë po aq ndjekës e diskutantë, në rrjetet e tyre, lidhur me aftësitë e tyre. Në Shqipëri çka shfaqet më shumë është vajza që ekspozohet, flet keq, sfidon me arrogancë dhe gjuhë vulgare, me rëndimin e gjuhës teksa pretendon se është influencere, por pa influencuar dikënd për ndonjë gjë, përveçse bisturisë tek mjeku.
Gratë e shkëlqyera të papromovuara
Kultura vetëm e pamjes dhe boshësisë është trend në botë, vetëm se në Shqipëri është në versionin më vulgar, më të zbrazët, më të trashë e më ordiner. Jo pse nuk kemi vajza e gra të shkëlqyera, por sepse ato nuk promovohen kurrë, ndoshta pak evidentim, por në vend të saj përçohet vulgu, qoftë edhe me rroba firmato. Rrjetet sociale na kanë bërë të harrojmë se gruaja nuk është vlerë për atë që tregon, por për atë që mbart.
Shkolla, mungesa e madhe
Sepse asnjë shkollë s’u thotë vajzave që ka rrugë të tjera për të qenë të dukshmë, asnjë prind nuk sheh më përtej numrit të ndjekësve e të jenë aksesorë çdo javë në BB, asnjë media nuk promovon vajzat që mendojnë, punojnë, krijojnë, luftojnë për veten, për dijen, për vullnetin, asnjë pjestar i shoqërisë civile nuk bën një hap për të çliruar të paktën një vajzë nga fejesat e detyruara, a nga jeta si skllave. Tundje-shkundje, silikonë dhe fjalë që askush nuk donia thoshte vajzës së tij, ama në rrjetet sociale ia thua dikujt që qshtë vajza e një tjetri.
Ato nuk zënë vetëm ekrane e rrjete,
zënë edhe stadiumet tashmë
Shikoni se çfarë ndodh në ndeshjet e rëndësishme të kombëtares. Vendet përballë kamerave, i zënë të njëjtat vajza influencere, apo të ngjashme, të fiksuara pas selfies, ndjekësve, stukimit të fytyrës, grimit, buzëve të fryra, gjoksit të rritur, prapanicës së dukshme, e sigurisht statusit “VIP”. Mbështillen me flamurin kuq e zi, bëjnë foto, bëjnë pak përdredhje e nxitojnë pastaj nëpër emisione. Shikoni ç’ndodhi e sa u viralizuan në ndeshjen Shqipëri-Kosovë. Edhe serbët me ato vajzat e gratë e tyre mbi 1.80, i bënë lajme, paksa tallëse gjithsesi.
Turpi, influenceret duke bërë selfie n’stadium, ultrasit në sheshe
Po tifozët Kuq e Zi? Ata që e kanë ndekur ekipin në shi e në borë, në Elbasan e Tiranë, në Kazakistan e Islandë, që ndezin zjarr ekipin dhe tifozët në mbarë botën e jo vetëm kaq? Ata i nxorrën jashtë kangjellave. E sa pak u indinjuan! Imagjino të lënë jashtë ata të Curva Sud në Itali, nuk ndodh. As në Gjermani, as në Angli. As në Greqi. Vetëm në Shqipëri ndodh që përfaqësimi kalon nga tribuna në Instagram e Tik-Tok. Sigurisht që në ndeshjen me Lituaninë në Shqipëri do ketë bileta për Kuq e Zi sepse nuk ka interes për instagram dhe ata duhen.
Rama: Në 2030 në BE
Vërtetë? Po si? Me kë? Se mirë u hapën kapitujt, po vajzat e gratë duhet t’i kemi gati për tavolina e profesione, jo thjesht për story e klikime. Evropa s’të pyet sa folloëers ke, por çfarë përfaqëson kur hap gojën, kur flet në emër të vendit tënd, kur nënshkruan. Por nëse produkti ynë kryesor eksportues janë vajzat me filtra, që bëjnë rillsa se si gënjejnë veten për jetën luksoze, i bie që të hyjmë (nëse) në BE vetëm me të pasme.
Ku qëndron rreziku që sot nuk dallohet?
Jo se vajzat ekspozohen. Le të ekspozohen!
Problemi është se shumë prej tyre nuk kanë një plan B. As profesion, as ndonjë talent, as identitet përveç trupit. Ç’do të ndodhë kur rrjetet të lodhen me to sepse dalin të tjerat, algoritmet të mos ua varin më dhe doktorët plastikë të tundin kokën “eh forca e gravitetit”? Çdo të bëjnë mijëra vajza e gra të reja që janë mësuar të jetojnë si në ekran dhe jo si njerëz?
Nuk është më çështje morali, por mbijetese kombëtare
Kur këto vajza e gra të mos jenë më trendi i ditës, kur ndjekësit të largohen prej tyre e të hedhin gifte në femra të tjera më të lëmuara e me gojë më të lëshuar, do të jenë njerëz me njëfarë peshe, a thjesht kujtesë për pozat e dikurshme në resorte?
Nuk jep askush llogari sigurisht, e as njeri i detyrohet dikujt shpjegime për jetën e tij, e si do jetë pjesa më e madhe e saj kur të piqen, por një shoqëri që nuk ofron modele, shembuj të tjerë femrash përveç atyre që tunden e shkunden për ndjekës, që tërheqin vëmendje veç kur shahen vulgarisht si meshkuj burgjesh, është shoqëri që i rrit vajzat jo për jetën dhe për të ardhmen, por për video 15 sekondëshe që harrohet pas pak e që kërkon një video tjetër më të fortë e më seksy se e para që të mbash “famën”.
A nuk vepron dhe droga njësoj? E le të mos harrojmë, se ato do të jenë nëna dikur, disa edhe janë sot. Dhe vijmë në thelbin e thelbit: Nuk bëhet fjalë për moralin, por për mbijetesë kombëtare.